Ka mbetur vetëm një nënshkrim i kryeministrit Hashim Thaçi, në mënyrë që të zyrtarizohet Njësia e Helikopterëve, e cila pritet të menaxhojë krizat dhe fatkeqësitë e pamenaxhueshme deri më tani nga institucionet vendore.
Koordinatori i krijimit të kësaj njësie, njëherazi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, tregon për rrugën që kanë kaluar deri më tani për krijimin e kësaj njësie si dhe për të mirat që do t’ia sjellë ajo vendit.
Pas një pune që ka zgjatur rreth një vit e gjysmë, Ibishi bën me dije se tashmë është krijuar infrastruktura ligjore dhe çështjet e tjera që lidhen me krijimin e kësaj njësie e cila do të jetë në kuadër të Policisë së Kosovës, por që do të veprojë në fushën e aeroportit “Adem Jashari”.
“Jo vetëm sivjet, por unë mendoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe sipas mendimit tim nuk duhet të kalojë as muaji dhe menjëherë pas asaj pëson një rrugë e trasuar, një gatishmëri e shteteve për të rilicencuar pilotët”, ka thënë Ibishi, shkruan “Zëri”.
Ndonëse deri më tani nuk ka pasur kosto financiare, krijimi i kësaj njësie Ibishi paralajmëron se tash e tutje do të ketë kosto pavarësisht gatishmërisë së shumë shteteve për të ndihmuar qoftë në shkollimin e pilotëve të rinj, qoftë në dhurimin e helikopterëve në formë të donacioneve.
“Për vitin tjetër në kuadër të buxhetit janë ndarë 13 milionë euro dhe me këtë buxhet parashihen që të blihen dy helikopterët e parë që do të ndihmojnë dukshëm në zvogëlimin e tragjedive dhe katastrofave në vend”, thotë Ibishi.
“Këtë vit është paraparë aktivitete të ndryshme parapërgatitore, rregullimi i zyrave, pajisjeve të ndryshme, pagave të stafit, e gjëra të tjera, është një kosto e vogël për këtë, ndërsa vitin që vjen ne llogarisim që t’i blejmë dy helikopterë të lehtë që çmimi i tyre varet se me çfarë pajisjesh shtesë merret dhje kjo mund të variron dukshëm”, thotë ai.
Rezultati i deritashëm, sipas tij, është arritur falë punës së grupit punues që kanë punuar në mënyrë vullnetare e që është udhëhequr nga piloti i parë shqiptar Ali Aliu. Grupi i udhëhequr nga ky i fundit, por edhe katër persona të tjerë dy nga të cilët pilotë e dy të tjerë staf teknik pritet që të jetë stafi i parë zyrtar i Njësisë së Helikopterëve të Kosovës.
Ky staf pritet që të zyrtarizohet nga kryeministri Hashim Thaçi në mënyrë që me fillimin e vitit tjetër të nisë blerja e helikopterëve të parë. Helikopterët e tjerë, sipas Ibishit, ka gjasë që në Kosovë të sillen si donacione dhe për këtë ai ka thënë se kanë mbështetje të madhe nga Sllovenia e Turqia.
Me shtetin turk, sipas zëvendësministrit, janë shumë pranë nënshkrimit të një memorandumi, sipas të cilit, dhjetë pilotë të rinj do të studiojnë në Turqi për pesë vite, në mënyrë që më pas të vijnë e të shërbejnë në Kosovë.
Por, në tërësi, sipas tij, Kosova aktualisht ka gjithsej 62 ekspertë të aeronautikës që nuk janë vetëm pilotë por edhe inxhinierë teknikë e staf tjetër që shërbejnë për veprimtarinë e helikopterëve dhe manovrimin e tyre në terrene ku mjetet tokësore e kanë të pamundshme veprimin.
Helikopterët që pritet të blihen për nevojat e Kosovës, sipas Ibishit, do të ndihmojnë në kontrollimin më të mirë të vijës kufitare, në luftimin më të lehtë të krimit të organizuar e madje edhe në rastet më të rënda në evitimin e katastrofave nga zjarri e të tjera të ngjashme.kohaislame