Glaukoma është një prej shkaqeve kryesorë të verbimit nëpër botë, veçanërisht në vendet në zhvillim. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se glaukoma është një sfidë më e madhe për shëndetin publik se sa kataraktet, sepse verbimi i shkaktuar nga glaukoma është i përhershëm. Carol Pearson e Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi rreth glaukomës dhe rreziqeve të saj.
Nëse mendoni se nuk jeni të rrezikuar nga glaukoma, kjo nuk është e vërtetë. glaukoma është një sëmundje që shkakton verbimin në gjithë botën, madje të prekurit tipikisht as që e dine se janë prekur nga kjo sëmundje deri sa ajo shkatërron përgjithmonë të paktën 40 për qind të shikimit.
Dr. Alan Robin është specialisy në kurimin e glaukomës.
“Glaukoma është shkaku krysor i verbimit në Shtetet e Bashkuara. Mes hispanikëve dhe afrikano-amerikanëve glaukoma është shkaku numër dy i verbimit”.
Edhe në Kinë e Indi, glaukoma është shkaku numër dy i verbimit.
“Glaukoma që shikojmë në Afrikën nën-Sahariane është shumë më agresive, një sëmundje shumë më tepër verbuese se sa glaukoma që shikojmë tek amerikanët ose edhe tek afrikano-amerikanët në Shtetet e Bashkuara”.
Dr. Eric Fleischer analizon ndryshimet racore të glaukomës në Qendrën Medstar të Spitalit të Uashingtonit.
“Është më se e sigurtë se kushdo që vjen nga Afrika ka më shumë mundësi të preket nga glaukoma”.
Mosha është një faktor tjetër i rrezikut nga glaukoma, megjithëse njerëz të të gjitha moshave mund të preken prej saj. Siç shpjegon Dr. Robin, ekziston një grup sëmundjesh, të cilat së bashku krijojnë presion tek sytë.
“Syri mund të krahasohet me sahatin. Mbrapa faqes së sahatit, ku shikojmë numrat, lëvizin lëngje. Dhe këto lëngje qarkullojnë para dhe mbrapa numrave dhe në një cep të sahatit lëngjet rrjedhin”.
Dhe kur kjo rrjedhje nuk funksion dhe bllokohet, lëngjet nuk mund të dalin nga syri me shpejtësinë e prodhimit të tyre, duke krijuar presion që e dëmton syrin dhe më në fund shkatërron nervin optik. Dhe si rezultat vjen verbimi.
Procesi zakonisht nuk shoqërohet me dhimbje dhe të prekurit as që e kuptojnë se është në zhvillim.
“Tipikisht njerëzit e kuptojnë se janë prekur nga glaukoma kur përplasen tek korniza e derës, për shembull, sepse kanë humbur shikimin anësor. Ose ata e gjejnë veten në aksident automobilistik sepse nuk shikojnë makinën në anë të makinës së tyre”.
Fatmirësisht, glaukoma mund të diagnostikohet me lehtësi. Një analizë fare e thjeshtë mat shikimin anësor sepse kjo pjesë e shikimit është e para që preket.
Lajmi i mirë është se nëse diktohet në faza të hershme, glaukoma është e menaxhueshme.
“Glaukoma nuk mund të parandalohet, por mund të trajtohet”.
Pasojat e glaukomës nuk mund të kthehen mbrapsht, por ndërsa studiuesit mësojnë më shumë rreth saj, ata kanë më shumë shpresë se një ditë glaukoma mund të kurohet, madje edhe të parandalohet./voa/kohaislame