4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Athina drejt miratimit të vendimit për ndërtimin e xhamisë së parë zyrtare

Më të lexuarat

Greqia mori një hap të madh drejt miratimit të një vendimi për ndërtimin e xhamisë së parë zyrtare në Athinë, pas disa dekada kundërshtimi nga grupet fetare dhe qytetare, njofton Wall Street Journal.

Hapi i ardhshëm është miratimi procedural nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Rendit.

Ndërtimi i xhamisë pritet të kushtojë afër 1 milion euro dhe do të financohet në tërësi nga shteti.

Xhamia është e paraparë të ndërtohet në lokacionin e quajtur Elaionas, një lagje jo shumë e populluar e Athinës.

Ajo pritet të ketë ndërtim të ulët, të jetë pa minare dhe të posedojë një hapësirë për faljen e namazit me kapacitet prej 350 vetësh.
Athina është një nga kryeqytetet e pakta në BE që nuk ka xhami, edhe pse sipas shifrave zyrtare në të jetojnë rreth 200,000 muslimanë.

Deri më tani, muslimanët janë falur në vende jozyrtare, si shtëpi private, bodrume dhe depo të braktisura.

Zyrtarët qeveritarë grekë vlerësojnë se janë 70 deri në 80 xhami të paautorizuara në Athinë dhe rajonin përreth.

Banorët myslimanë vendas mirëpritën vendimin e gjykatës në favor të xhamisë, edhe pse disa vënë në pyetje nëse kjo xhami do t’i përmbushë kërkesat e komunitetit musliman, duke pasur parasysh faktin se numri i besimtarëve të cilët mblidhen në raste festave fetare shkon edhe deri 1,500 vetë.

Për vite të tëra, shumë njerëz në këtë shoqëri me shumicë dërmuese greke-ortodokse kanë argumentuar se një xhami do të hollonte kulturën greke dhe është parë si një koncesion politik ndaj Turqisë. Të dyja vendet vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje territoriale, shkruan WSJ.

Por vala e refugjatëve muslimanë gjatë dekadës së kaluar ka rritur nevojën për ndërtimin e një xhamie zyrtare.

Ndërtimi i xhamisë është kundërshtuar fuqishëm nga partia ekstreme
‘Golden Dawn’, popullariteti i së cilës u rrit në prag të krizës dhe depresionit ekonomik në Greqi.

Por, ardhja e partisë Syriza të udhëhequr nga Tspiras dhe fluksi i refugjatëve të cilët erdhën në Greqi nga Siria dhe vatrat tjera të luftës, ka sjellur një qëndrim më të hapur ndaj nevojës së komunitetit musliman për ndërtimin e një xhamie.

Përfundimisht Gjykata më e lartë administrative e Greqisë, Këshilli i Shtetit, këtë muaj hodhi poshtë kundërshtimet e disa banorëve për ndërtimin e xhamisë, duke i hapur kështu rrugë lëshimit të lejes për ndërtim.

Sipas një zyrtari grek, ndërtimi i xhamisë pritet të fillojë pas gjashtë muajsh, varësisht prej procedurave burokratike, të cilat sipas tij mund të jenë pengesa kryesore në realizimin e këtij projekti. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit