0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

TIPARET E BURRËRISË NË KUR’ANIN FISNIK

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen dhe shokët e tij!

Burrëria për të cilën foli Kur’ani, botëkuptimet dhe bazat e së cilës sot kanë humbur dukë lënë trashëgimi njerëz të ngjashëm me burra por jo burra, ka veçori, baza dhe shtylla të kultivuara në Kur’an dhe Sunnet, të cilat lëvduan protagonistët e saj (burrërisë), nxitën për të, përmendën ata, ngritën pozitën e tyre, etj. E tërë arsyeja e kësaj fokusohet në atë se ata realizuan në praktikë tiparet e burrërisë, u lartësuan me të dhe ajo u lartësua me ta.

Ejani bashkërisht të shohim tiparet e burrërisë në Kur’an.

1. Lidhshmëria me xhami dhe dashuria për pastërtinë. Thotë Allahu i Madhëruar:
“لَمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَى مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَنْ تَقُومَ فِيهِِ فِيهِ رِجَالٌ يُحِبُّونَ أَنْ يَتَطَهَّرُوا وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُطَّهِّرِينَ
Ti mos u fal aty kurrë! Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar në respekt ndaj All-llahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit”. Et Teube, 108.
E shihni ku është lokacioni i këtyre burrave? A janë ata në vende të përbuzura ku burrëria zhveshët nga thelbi i saj? Assesi, ata janë në xhami dhe shkojnë në to të pastër, me dashuri, kështu që fituan dashurinë e Allahut të Madhëruar ngase Ai i do të pastërtitë.
Kjo është një prej cilësive të atyre burrave të mëdhenj, që ngadhënjyen me epitetin e burrërisë së vërtetë.

2. Përkujtimi i Allahut të Madhëruar dhe falja e namazit si dhe largimi nga çdo gjë që të devijon prej tyre. Thotë Allahu i Madhëruar:
“فِي بُيُوتٍ أَذِنَ اللَّهُ أَنْ تُرْفَعَ وَيُذْكَرَ فِيهَا اسْمُهُ يُسَبِّحُ لَهُ فِيهَا بِالْغُدُوِّ وَالْآصَالِ * رِجَالٌ لا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلا بَيْعٌ عَنْ ذِكْرِ اللَّهِ وَإِقَامِ الصَّلاةِ وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ يَخَافُونَ يَوْماً تَتَقَلَّبُ فِيهِ الْقُلُوبُ وَالْأَبْصَارُ
(ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që All-llahu lejoi të ngriten, e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet”. En Nur, 36-37.
Kush janë në këtë xhami? Janë burrat!
Ka thënë njëri nga selefët: Ata bënin shitblerje por kur thirrej ezani, edhe nëse e kishte në dorë peshoren, e lëshonte dhe nisej në xhami.
Amr b. Dinari ishte me Salimin, birin e Abdullahut. Rrugës për ne xhami iu ra të kalonin nëpër një treg të Medinës, ku nuk panë asnjë njeri. Ata kishin mbuluar artikujt e tyre, gjë që e shtyri Salimin të recitojë:
“رِجَالٌ لا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلا بَيْعٌ عَنْ ذِكْرِ اللَّهِ
Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun,”.
Këta janë burra, të cilët dëshirën e Allahut të Madhëruar e përparësuan ndaj dëshirës së tyre, këta janë që preferuan adhurimin ndaj kënaqësive dhe mallit të kësaj dynjaje, këta janë që iu përgjigjen thirrjes hyjnore “Hajje ala’s salah, hajje ale’l felah! – Ejani në Namaz! Ejani në shpëtim!” ndaj thirrjes së lakmisë, të cilën e motivon djalli.

3. Përforcimi në programin hyjnor. Ka thënë Allahu i Madhëruar:
“منَ الْمُؤْمِنِينَ رِجَالٌ صَدَقُوا مَا عَاهَدُوا اللَّهَ عَلَيْهِ فَمِنْهُمْ مَنْ قَضَى نَحْبَهُ وَمِنْهُمْ مَنْ يَنْتَظِرُوَمَا بَدَّلُوا تَبْدِيلاً
Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi”. El Ahzab, 23.
Këta nuk devijuan, nuk u luhatën, nuk ndërruan, përkundrazi, mbetën të pathyer dhe stoik në këtë rrugë duke pritur caktimin e Allahut të Madhëruar – vdekjen e tyre në këtë gjendje. Këtë tipar mjerisht e kanë mungesë shumë muslimanë, madje edhe disa që punojnë për Islam. Sot sheh në sjelljet dhe idetë e tyre lajthitje dhe shmangie nga rruga e drejtë.

4. Përkrahja dhe animi kah profetët. Ka thënë Allahu i Madhëruar:
“وَجَاءَ مِنْ أَقْصَى الْمَدِينَةِ رَجُلٌ يَسْعَى قَالَ يَا قَوْمِ اتَّبِعُوا الْمُرْسَلِينَ * اتَّبِعُوا مَنْ لا يَسْأَلُكُمْ أَجْراً وَهُمْ مُهْتَدُونَ
Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: “O populli im, dëgjoni të dërguarit!”
Dëgjoni atë që nuk kërkon prej jush ndonjë shpërblim dhe janë udhërrëfyes!”. Jasin, 20-21.
Prej vetive të burrërisë është edhe mbajtja e anës së profetëve, duke luftuar armiqtë e tyre, duke përkrahur thirrjen e tyre, duke iu përgjigjur ftesës së tyre, duke pasuar ata e jo duke luftuar, ikur, kundërshtuar, shpifur, urryer, etj.
Sa burra mund t’i numërojmë sot që kanë këtë veçori?
Sa janë ata që misionin e Pejgamberit, alejhi’s selam e përkrahin?
Natyrisht se janë pak, shumë pak.

5. Këshillimi në raste frike. Besimtarët e mirë këshillojnë. Thotë Allahu i Madhëruar duke rrëfyer për një besimtar në kohën e Musait, alejhi’s selam:
“قَالَ يَا مُوسَى إِنَّ الْمَلَأَ يَأْتَمِرُونَ بِكَ
…tha: “O Musa, parësimi është duke biseduar për të mbytur ty…”. El Kasas, 20.
Ata mblidhen dhe kuvendojnë për të të mbytur ty. Unë po t’i zbuloj planet e tyre, po t’i dëftoj qëllimet banale të tyre, andaj lëshoje këtë vend- i tha ai besimtar Musait, alejhi’s selam.
Ibni Kethiri ka thënë se ky njeri u quajt me burrëri (ruxhule (الرجولة) ecje në këmbë) ngase theu rrugën nëpër të cilën ecej dhe trasoi një rrugë të shkurtër në këmbë, që të arrinte më shpejt tek Musai, alejhi’s selam sesa armiqtë. I tha: “Njerëzit po vijnë pas meje që të të arrestojnë dhe të mbysin, andaj lëshoje këtë vend. Unë po të këshilloj”.
Shikoje këtë burrë, i cili vjen duke nxituar, shkurton rrugën dhe këshillon një të dashur dhe profet të Allahut të Madhëruar, Musain, alejhi’s selam, edhe pse ishte krizë (sigurie). Kështu, në kohë të tilla, njeriu për hire të Allahut të Madhëruar këshillon vëllezërit e tij besimtar. Një njeri i vetëm bën atë që një ummet i tërë nuk e bën. Një njeri i vetëm vlen vërtet shumë…!
E lusim Allahun e Madhëruar t’i përmirësoj veprimet tona të jashtme dhe të brendshme, qëllimet tona t’i bë fisnike dhe vetëm për Të ngase Ai ka mundësi për çdo gjë!
Falënderimi i takon Allahut fillim e mbarim!

Burimi: http://www.alimam.ws/ref/1390
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI/sedatislami.wp

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit