10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Pesë gjërat që i mësova për veten gjatë këtij ramazani

Më të lexuarat

Në këtë ramazan kam mësuar pesë gjëra për veten dhe mësova se çka mund të bëj gjatë vitit.

1. Nuk është vështirë të zgjohesh për namazin e natës

Do të ishte shumë vështirë të agjërosh në këto ditë të nxehta të verës nëse nuk do të zgjohesha në kohë për të ngrënë syfyr. Pra, menjëherë ndryshova orarin e të shkuarit në krevat që të isha e gatshme për t’u zgjuar në kohën e syfyrit dhe pjesën e tretë të natës.

Nëse kam pasur mundësi ta ndërroj rutinën time dhe ta ushqej barkun e di se jam në gjendje të zgjohem për namazin e natës për ta ushqyer shpirtin.

2. Nuk është vështirë të hash më pak

Gjatë ramazanit vaktet janë dy. Por edhe gjatë iftarit duke shpejtuar në përgatitjen dhe vendosjen e iftarit, kisha shumë pak hapësirë për të ngrënë ushqim siç duhet. Edhe krahas kësaj isha në gjendje të falem natën, të shtoj adhurimet dhe të kryej obligimet ditore.

E kuptova se jeta ime nuk duhet të sillet rreth ushqimit tim. I Dërguari i Allahut s.a.v.s na ka porositur që një e treta e barkut të mbushet me ushqim, një e treta me ujë dhe një e treta të ngelet bosh. Duhet të kujdesemi që jeta jonë të sillet rreth namazeve ditore dhe të hamë aq sa na nevojitet për t’i kryer obligimet.

3. Nuk është vështirë të kontrollosh gjuhën

Gjatë ditëve të ramazanit kishte momente kur nervat e mia ishin në sprovë dhe kur pothuajse pëlcisja nga zemërimi. Mirëpo kisha mundësi të përmbahem dhe ta kontrollojë veten në përputhje me fjalët pejgamberike: Ai i cili nuk i lë fjalët dhe veprat e shëmtuara, nuk ka nevojë ta lë ushqimin dhe pijen (Buhariu).

Njëherë kur e ushtrova durimin e kuptova se kjo nuk është edhe aq punë e rëndë sa ne e konsiderojmë. Durimi është cilësi të cilën duhet ta ruajmë edhe pas ramazanit.

4. Nuk është vështirë të agjërosh

Këto dy vite ramazani është në ditët më të nxehta dhe 21 Qershori është dita më e gjatë e vitit. Megjithatë nuk e kisha problem të agjëroj. Mësova se nëse jam e vendosur mund të agjëroj pa problem edhe ditët më të gjata dhe më të nxehta. Dhe nëse agjëroj këto ditë të vështira mund të agjëroj edhe ditët që janë sunet të agjërohen si p.sh. dita e hënë dhe e enjte.

5. Nuk është vështirë të lidhesh me Kuranin

Shumica prej neve lidhen me Kuranin gjatë muajit të ramazanit. Në këtë muaj filloi shpallja e Libirit të Zotit. Unë gjithashtu lexoj dhe mendoj për ato ajete gjatë ditës dhe gjatë namazit të teravisë. Çdo ditë kaloj disa orë duke lexuar dhe medituar rreth ajeteve kuranore.

Dhe nëse kam pasur mundësi që gjatë ramazanit të marr Kuranin dhe të lexoj disa orë, sigurisht se kam mundësi që jashtë ramazanit të kaloj disa minuta apo edhe më shumë me lexim të Kuranit. Fjalët e Allahut çdo ditë na thërrasin, vetëm duhet t’i përgjigjemi thirrjes.

Përktheu: A. D. Islampress

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit