-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ish luftëtari i torturuar dhe burgosur kërkon miell dhe ushqim borxh

Më të lexuarat

Nazif Erlishta kishte lënë Zvicrën për të marrë pjesë në betejën e lavdishme të Koshares, ndërsa 17 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë po kërkon para borxh për të blerë miell për dhjetë anëtarët e familjes së tij.

Erlishta nga fshati Begaj (ish-Novosella e Begut) të Komunës së Vushtrrisë gjithçka që u ka shtruar në sofër për të ngrënë familjarëve i ka marrë borxh tek një shitore e lagjes, derisa miellin e ka marrë hua nga kompania “Rashani”.

I ulur në një shilte, Nazifi numëron plagët e marra gjatë luftës së fundit dhe ato që i kanë mbetur gjatë qëndrimit në burgjet serbe, pasi që ishte zënë rob në Koshare, si pjesëtar i brigadës “138 Agim Ramadani”, shkruan ‘Zeri’.

Tani ndonëse ka nisur të merr pensionin e invalidit të UÇK-së, atij nuk po i dalin këto mjete që t’i plotësoj nevojat elementare të familjes.

Erlishta shprehet se plaga e luftës, po iu mbulohet tash nga varfëria. “As fëmijët si kam shkolluar, mezi ia dolën ta mbarojnë të Mesmen këtu. Ndonëse në fakultet mu regjistruan dy djemtë, unë nuk pata mundësi t’i financoj studimet atyre. Me punën e krahut që bëja deri tani nuk e di as vet si ia kam dal t’i ushqej e shkolloj deri këtu”, thotë ai që tash për shkak të torturave të burgut gjendja shëndetësore i është përkeqësuar, kurse familja rrezikohet të mbijetojë, pa krahun e vetëm të shtëpisë që sillte bukën.

“Kam punuar privat sa me mbet gjallë, punë të rëndomta çka kam gjetur, tash e marrë atë pension invalid i luftës 225, por jemi dhjetë anëtar çka të bëjë me të përpara”.

Erlishta tregon se në sofrën e tij ushqehen dhjetë veta. “Nuk po më mjaftojnë paratë, shpesh borxh, marrë borxh ushqim, marrë dhe miell shpesh në Vushtrrri, kam 27-28 euro borxh për 100 kilogram miell që kam marrë tek dyqani i miellit”. Ai thotë se në dyqanin e lagjes borxhi i mbërrin deri në 100 euro. “Kur po e marrë këtë pension, po duhet me la ngapak në secilin dyqan borxhin, që t’ia lë vetes dyert qel vetes me marrë prapë”, thotë ai i zhgënjyer se ne luftë kishte hyrë me mendimin se pasluftës gjithçka do të ishte mirë për qytetarët.

Në luftë me urinë

“Kemi menduar se Kosova do të jetë një ‘Zvicër e vogël’. E lash punën në Zvicër që të luftojë për çlirimin e Kosovës. Tash po e shohim gjendjen ku kemi rënë, por unë po pranoj të rrezikohem urie sesa të revoltohem edhe pse shpirti na është lodhur. Sepse na ka ardhur puna me honger vetën, po mbesim keq për bukë”.

Erlishta thotë se askush nuk i hapi derën nga institucionet sesi jeton si ish luftëtarë. “Ne jemi të rrezikuar urie, duhet hyrë borxh për të jetuar”, thotë ai duke treguar dhe shtëpinë siç thotë të “arnuar” nga dora e tij për ta bërë të banueshme sado pak për fëmijët e tij dhe tri mbesat e vogla të djalit të madh. “Djemët janë për punë, por as për ta s’ka punë, vetëm të rëndomta. Djali i madh nuk arrin të sigurojë për vajzat e vogla ushqim siç duhet. Kemi dy dhoma dhe një sallon, e shtruar në ciment, por pikë kur bie shi. Ja këtu pikë, unë këtu flej dimër e verë”, tregon ai. Torturat e burgut tani e kanë “dorëzuar” në duar të mjekëve dhe vetëm një recetë mjeku i ka kushtuar 50 euro për të shëruar frymëmarrjen nga e cila vuan kohëve të fundit, njeriu që në burg ju thyen brinjët dhe dora. “Gjysmën e barnave si kam marrë hiq”, thotë ai, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Bashkëshortja e tij Shefkija tregon se jo rrallë i bie të mos ketë me çka ta përgatis mëngjesin. “Në fillim të muajit kapërcejmë disi, por kah mesi e tutje mezi ia dalim. Për festa ia dalim diqysh na jep dikush”, thotë gruaja që mban magjen në këtë familje e që tregon se ka mbet dhe pa miell në magje. “Kemi mbet dhe pa miell ma vështirë s’kish”, thotë ajo duke treguar se tani kanë filluar të hyjnë borxh në dyqane. “Jemi mbet dhe pa harq me lyp s’kemi dal asnjëri. Fëmijët i mashtrojsha pritni-pritni…”, thotë ajo derisa shpërthen në vaj sesi i është dashur të thur ndonjë muhabet për t’ua humbur fëmijëve mendjen që kishin tek buka.

Ajo thotë se nusja fal një motre që ia jep rrobat e fëmijëve të saj ia del ti veshmbath vajzat. “Një ditë në javë a punon a hiq djali punë fizike, kush ta thirr me punu një ditë punon çfarëdo pune të rëndomtë, ndodh tërë muajin nuk e thërret askush”. Shefkija tregon se 5-6 muaj nuk arrijnë ta paguajnë as rrymën. “Vijnë nga këpusin, mbesim 10 ditë pa rrymë…”. Ajo thotë se janë ankuar disa herë se nuk kanë gjendjen sociale ta paguajnë rrymën, por nuk është marrë parasysh ankesa e tyre. “Më shumë kemi mbetur në dorë Zotit se në dorë të shtetit, ndash luftoi ndash UÇK çka do këto kemi tash, nuk mendon kush a luftove a ke i burgosur a qysh po jetojmë”, thotë Shefkija.

Borxhet në shitore

Fatmir Lahu, pronar i dyqanit të lagjes “Besarti” thotë për gazetën se Nazifi vjen muaj për muaj hyn borxh për ushqime. “I japim ato që kemi, por dhe ne nuk kemi gjithë artikujt, ato që kemi nuk ia ndalim është një familje e madhe, të ardhura nuk kanë, përveç të luftëtarëve që merr Nazifi…, ai vjen hyn këto borxh ka ndodh deri 80-90 euro në muaj, i shënon në bllok dhe kur merr pensionin vjen i lanë”. Tani është fillimi i muajit dhe Lahu thotë se ky ish luftëtar ka borxh 30 euro. Po krejt s’mundet t’i kryejë të gjitha. Bukë vaj, kripë biber…për fëmijë se kanë tre fëmijë të vegjël. Dimrit ka kërkuar dhe të holla hua për barna të fëmijëve (mbesave) për shkak të gripave që ishin. “Është njeri i mirë, është i bërë llom nga torturat. Ditë për ditë nëpër mjek, prandaj e kuptojmë dhe respektojmë”.

Por, Nazif Erlishta nuk është paraqitur asnjëherë si ish- luftëtarë të kërkoj ndihmë. Muhamet Ademi pronar në firmën e miellit “Rashani” në Vushtrrri thotë se tani po e kupton se ai ka qenë luftëtarë. “E njoh si njeri të mirë, që lanë borxhin me rregull sepse merr miell borxh në muaj, por zakonisht i paguan kur merr pension, nuk i vonon, i sjellë, tash aktualisht ka 29 euro borxh”, thotë ai. Ademi thotë se Nazifi mban dhe ca pula për të mbetur gjallë dhe merr përveq miellit dhe misër për to.

Katër herë gjatë këtyre gjashtë muajve, Erlishta ka hyrë borxh për miell, kështu figuron në defterin që nga janari mban pronari Ademi.

Kush do që ka mundësi t’i ndihmojë kësaj familjeje mund të kontaktojë në këtë numër: 044 976 692

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit