Isa Mustafa po përpiqet t’i paraqesë si viktima zyrtarët e partisë dhe Komunës së tij që dyshohen për zhvatje dhe korrupsion. Partitë opozitare dhe analistët e kundërshtojnë këtë qasje të Kryetarit të LDK’së. Sipas tyre, ai duhet të shqetësohet për korrupsionin që ka përfshirë gjithë zinxhirin institucional, e jo të akuzojë drejtësinë se po vepron në mënyrë selektive.
Isa Mustafa përsërit të njëjtat fjalë, sa herë që organet e drejtësisë arrestojnë apo hetojnë zyrtarët e tij në parti dhe komunë.
Thotë se është viktimë e pushtetit të Kryeministrit Hashim Thaçi.
Kështu foli edhe këto ditë, teksa shihte Policinë e EULEX’it duke arrestuar njeriun e dytë për nga pushteti në Komunën e Prishtinë, Sami Hamitin, dhe nisjen e hetimeve ndaj dy deputetëve të tij, Naser Osmanit dhe Sali Asllanajt.
Analisti politik, Armand Shkullaku thotë se Isa Mustafa nuk ka të drejtë kur thotë se drejtësia po vepron në mënyrë selektive.
“Përpjekja për të treguar që drejtësia është selektive kur vihen nën akuzë figura të larta, siç është rasti i Komunës së Prishtinës, se nën hetime nuk është vetëm Sami Hamiti, kemi edhe Ramadan Mujën, Kryetar i Prizrenit, që është duke u hetuar nga EULEX’i, kemi Qemajl Mustafën e Gjilanit, kemi ministra e ish-ministra, kemi edhe kundërshtarë të z. Mustafa që janë nën hetim. Pra, mendoj se nuk duhet të shqetësohemi nga selektiviteti i drejtësisë, por shqetësimi real duhet jetë që nuk ka parti politike, forcë politike, qeveri, komuna, që nuk po rëndojnë dyshime se janë të përfshirë në korrupsion”, ka thënë Shkullaku për Express .
“Ky është më shumë problem i përfshirjes së njerëzve të pushtetit në korrupsion sesa selektim nga EULEX’i”, ka shtuar ai.kohaislame