-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Azem e Hysni Syla dhe vëllai i Remit zhvaten pasurinë e milionerit nga Prishtina

Më të lexuarat

Kapitali familjar i “F”-së peshonte hiq më pak se 1.2 milion euro. Por, ai sot nuk ka asgjë pos një kafeneje qymez tek Komuna e Prishtinës. Shtëpi, lokal, toka, e para kanë përfunduar në pronësi të njerëzve të Azem Sylës i njohur si “Daja i madh”, djalit të axhës së tij, Hysni Syla, i njohur si “Daja i vogël” dhe në xhepat e vëllait të Rrustem Mustafës, Bedriut.

Pos kërcënimeve me jetë, “F”-ja ka rënë në grackën e një vajze. Është incizuar duke bërë seks me të. Me këtë video, është provuar që të detyrohet të nënshkruaj shitblerjen e një toke me çmimin e përcaktuar nga “Daja i vogël”. Insajderi sjell me vazhdime hulumtimin për haraçin dhe fajdetë e njerëzve të fuqishëm.

“F”-ja çohet prej tavolinës për ta përgatitur një makiato të vogël për myshteriun e rregullt.

“Ço bab’ te dyqani i nuseve”, e “urdhëron” djalin e tij 15 vjeç që punon si kamerier.

“F”-ja nxjerr bukën për familjen me këtë lokal, që ngjan me një qymez buzë rrugës në Prishtinë. Këtu ka përfunduar prej disa vjetësh.

Prej një pasaniku të madh, “F”-ja mezi ia del ta mbajë familjen. Pasuria e tij ka shkuar tek të fortit.

Shtëpi, lokale, toka, e para, miliona euro ia kanë marrë me detyrim, kërcënim e shantazh “F”-së, Azem Syla, djali i axhës së tij, Hysni Syla, dhe vëllai i Rrustem Mustafës, Bedriu.

Shtëpinë me gjithë lokal në vlerë prej 700 mijë eurosh, sot e ka në pronësi Fahredin Gashi. Vetëm 80 mijë euro ia kanë dhënë.

Për 200 mijë euro para me fajde të marra nga Bedri Mustafa, vëllai i Rrustem Mustafës, “F”-ja ka paguar 500 mijë euro kamatë.

“F”-ja ka pasur një pazar për 15 hektar tokë në Pejë me Hysni Sylën, djalin e axhës së Azem Sylës. Kontrata e nënshkruar për këtë tokë është 450 mijë euro. “F”-së i janë paguar 200 mijë euro nëpërmjet një OJQ-je. Dhjetë hektarë tokë ia ka bartur në emër të dhëndrit të Hysni Sylës, Mustafë Hoxha.

Pronësinë për pesë hektarë tjerë nuk ua ka bartur pa u kryer pagesa. Atëherë kanë filluar kërcënimet e shantazhet. Atë e kishin kërcënuar direkt edhe Azem Syla, i njohur si “Daja i madh” dhe Hysni Syla, i njohur si “Daja i vogël”. Meqë nuk iu ishte nënshtruar kërcënimeve, atij i është dërguar një femër që i ishte prezantuar si “Dafina nga Gjilani”.

91abfb26-0b95-4b08-b052-ac92056f5c47

“F”-ja nuk kishte rezistuar shumë. Pas disa bisedave telefonike ata kishin shkuar në motelin “Motrat Binjake”.

Por, Dafina kishte pasur një kamerë speciale. Kishte incizuar gjithçka.

Një javë më vonë, dy burra i kishin shkuar në lokal. Ia kishin treguar videon në të cilën “F”-ja shihej duke bërë seks. Burrat me kapele të zeza i kishin dhënë ultimatum që nëse brenda 48 orësh nuk ua bartë pronësinë për 5 hektarët në Pejë, videoja do të publikohej në “Youtube”.

“F”-ja nuk iu ishte nënshtruar shantazhit. Kishte shkuar direkt në Prokurori për ta raportuar rastin. Pas disa vjet nënshtrimi, ai kishte marrë zemër. Këtë guxim ia kishte shprehur në sy edhe “Dajës së vogël” dhe “Dajës së madh” një pasdite në lokalin e tij afër Komunës së Prishtinës.

“Duhet me ardhë me e përkthy tokën, se e sheh kush osht Hysni Syla”, i kishte thënë “Daja i madh”.

“Nuk jam ma ai ‘F’ që e keni njofto dikur”, ia kishte kthyer ai.

“F”-ja kishte bashkëpunuar me prokurorin special, Reshat Millaku i cili kishte hapur një hetim që kishte pasuar me një proces gjyqësor. “Dafina” është dënuar me 1 vjet burgim, derisa Shaip Bujupi me dy vjet. Hysni Syla është liruar nga akuza për shkak të “mungesës së bollshme të provave”.

Por, Prokuroria është ankuar në shkallën e dytë duke kërkuar dënimin e “Dajës së Vogël”.

Prokurori Special, Reshat Millaku kishte akuzuar Shaip Bujupin, A. M. dhe Hysni Sylën për detyrim.

Sipas Prokurorisë, veprimet kriminale i kanë ndërmarrë pasi “F”-ja, nuk kishte pranuar kërkesën e Hysni Sylës, që të ia shiste pesë hektar tokë në Pejë.

d9d59cec-8843-42cb-93b8-486297ea19af

“I pandehuri Shaip Bujupi, ia ka dhënë numrin e telefonitë të dëmtuarit ‘F’, të pandehurës A. M., e cila në fillim i ka dërguar SMS, e pastaj pas kontakteve telefonike.. e pandehura dhe i dëmtuari ‘F’, të shkojnë në ndonjë Motel, për të kryer marrëdhënie seksuale”, thuhet në aktakuzë.

Paraprakisht, sipas Prokurorisë, Shaip Bujupi paraprakisht ia kishte blerë një kamerë A. M., e cila e kishte aktivizuar me telekomandë dhe kishte incizuar gjithçka.

Incizimi kishte ndodhur më 7 janar 2012, rreth mesditës.

“Shaip Bujupi, së bashku me një person tani të paidentifikuar, me datë 11.01.2102, kanë shkuar në kafeterinë e ‘F’-se… I pandehuri Shaip Bujupi ka kërkuar nga i dëmtuari që t’ia përkthej dy hektar tokë në Pejë. Kur viktima ka refuzuar, atëherë i është treguar incizimi që e kishte bërë e pandehura A. M.”, thuhet në aktakuzë.

Viktima ishte kërcënuar se nëse brenda 48 orëve nuk e bënë përkthimin e tokës, incizimin do ta publikojë në YouTube.

Me gjithë kërcënimin, viktima kishte refuzuar që t’ua përkthente tokën.

Hysni Syla ka mohuar akuzat se ka dorë në detyrim. Edhe Bedri Mustafa ka mohuar se ka dhënë para me fajde. Ai ka thënë se viktimën e ka fqinjë, derisa ka mohuar se njihet me Shpresim Ukën./Insajderi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit