3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Propaganda, armë e “fuqishme” në luftën e diskreditimit

Më të lexuarat

Serbia, edhe kësaj radhe, si edhe më parë, është përkujdesur që të provojë të zbehë festën e Kosovës për ditën e përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, me kumtimin e saj se ka dëshmitarë për trafikim organesh në Kosovë.

Mirëpo, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i kanë hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë të drejtësisë, se kanë një “dëshmitar, që ka marrë pjesë në trafikimin e organeve të serbëve të rrëmbyer”, në fund të viteve ’90”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, lidhur me këto pretendime të serbëve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ky lajm, nuk ka të bëjë as me drejtësinë, dhe as me të drejtat e njeriut, por është pjesë e propagandës serbe ndaj Kosovës.

“Ky lajm ka të bëjë me propagandën dhe me formën e luftës së ftohtë të propagandës. Koha kur është plasuar një lajm i tillë, si dhe forma e prezantimit të tij të dielën, një ditë para se të merret vendimi sot për largimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare mbi Kosovën, tregon se është një përpjekje e forcave pro-millosheviqiane në Serbi që ta njollosin këtë ditë dhe këtë ngjaje të madhe historike për Kosovën që ndodh sot”, ka deklaruar Hoxhaj.

Për më tepër, kryediplomati kosovar ka thënë se, autoritetet kosovare e kanë ditur se Serbia do të dalë me një lajm të tillë pikërisht para përfundimit të mbikëqyrjes.

“Ne kemi pasur informata para disa ditësh, para se një lajm i tillë të publikohet, se një gjë e tillë do të ndodhë dhe tendenca është e hapur: njollosja e një dite historike për Kosovën”, ka bërë të ditur Hoxhaj për Radion Evropa e Lirë.

Prokurori i Serbisë për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq, i ka thënë një ditë më parë AFP-së, se e ka dëshmitarin, që dyshohet se ka marrë pjesë në trafikim të organeve të të burgosurve serbë, nga ana e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, në fund të viteve ‘90.

“Ne e kemi një dëshmitar, që ka dëshmuar për procedurën mjekësore, të bërë në pjesën veriore të Shqipërisë, që përbëhej nga marrja e organeve nga serbët e rrëmbyer gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë”, ka deklaruar Vukçeviq.

Sipas tij, ky dëshmitar “e ka përshkruar operacionin e zemrës së një të burgosuri serb në lokacionin afër Kukësit, në fund të viteve ‘90”, dhe transportimin e organit në Aeroportin Rinas, afër Tiranës.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skendër Hyseni, këto veprime nga ana e zyrtarëve serbë, i sheh si përpjekje të vazhdueshme për të minuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës në botë.

“Ne duhet ta dimë se Serbia do të vazhdojë të përdorë çdo instrument në dispozicion, çdo armë të mundshme, ato që janë legale dhe jo legale, për të diskredituar të drejtën e Kosovës për shtet dhe mëvetësi. Kjo është në vazhdën e atyre përpjekjeve dhe për mua nuk është asnjë befasi, duke e njohur mentalitetin dhe praktikat serbe të veprimit karshi Kosovës”, ka deklaruar Hyseni.

Edhe analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, ka thënë se me plasimin në publik të informatave që flasin për trafikim me organe njerëzore, Beogradi po synon ta prishë imazhin e Kosovës.
Rasti “Medicus” dhe raporti i Martit, dy çështje të ndara

Megjithatë, një pjesë të fajit, sipas Matoshit, e kanë edhe udhëheqësit në Kosovë. Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Prishtina zyrtare, nuk ka këmbëngulur në ndarjen e rastit “Medicus” si rast që ka të bëjë me periudhën e pasluftës nga proceset që kanë ndodhur në Kosovë, që pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

“Edhe lidershipi aktual i Kosovës i ka fajet e veta, për arsyen e thjeshtë, se nuk i ka ndarë me kohë këto dy procese, sepse unë mendoj se këto dy procese janë të ndara. Afera ‘Medicus’, është një proces i pasluftës, por lidershipi aktual duke dashur t’i mbrojë njerëzit e vet, nuk ka ditur që të insistojë të zbardhet afera ‘Medicus’, dhe të pastrohet imazhi i Ushtrisë Çlirimtare”, ka vlerësuar Matoshi.

Lidhur me akuzat për trafikim të organeve nga ish-pjesëtarët e UÇK-së në Kosovë, po zhvillohen hetime nga një prokuror i misionit të bashkimit evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Zyrtarët më të lartë në Kosovë dhe Shqipëri i kanë hedhur poshtë kategorikisht pretendimet për trafikim të organeve, që për të parën herë ishin paraqitur në raportin e Dik Martit në Këshillin e Evropës, por janë shprehur në mbështetje të hetimeve gjithëpërfshirëse për këtë rast.

Ish-ministri Hyseni ka thënë se konsideron që politika e Serbisë karshi Kosovës edhe kaq vjet pas përfundimit të luftës, nuk ka ndryshuar. Sipas tij, Republika e Kosovës gjithmonë duhet të jetë e kujdesshme në marrëdhëniet me Serbinë.

“Kosova po hyn në atë që po quhet dialog me Serbinë, me një besim tepër të madh, në një situatë dhe me një partner, kushtimisht po them në këtë rast, Serbinë, e cila është krejtësisht e paqëndrueshme dhe vështirë t’i besohet”, ka thënë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Akuzat për trafikim të organeve, krim të organizuar, keqpërdorim të pozitës dhe ndërmarrje të jashtëligjshme të veprimtarisë mjekësore rëndojnë që nga marsi i 2011-s mbi shtatë kosovarë, në mesin e të cilëve dr. Lufti Dervishi, profesor i mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, i cili e kishte themeluar klinikën, dhe Ilir Rrecaj, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, që e kishte dhënë licencën për themelimin e klinikës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit