-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Vizione për ekonominë siriane

Më të lexuarat

Ekonomia në Siri gjendet përtokë. Me ndihmë nga jashtë ajo duhet të ngrihet sërish në këmbë, kur regjimi i Assadit t’i përkasë së kaluarës. Bashkësia ndërkombëtare planifikon për ditën X.
“Assadi duhet të largohet, koha e tij ka marrë fund”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle të martën (04.09.2012) në një takim të miqve të Sirisë në Berlin. “Ne duhet të jemi të pregatitur për këtë ditë”. Qeveria gjermane dëshëron të kontribuojë për këtë. Përfaqësues nga 60 vende zhvilluan konsultime në Ministrinë e Jashtme gjermane, se si mund të ndihmohet rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë siriane pas rrëzimit të regjimit. Në takim merrnin pjesë edhe pjesëtarë të opozitës siriane dhe ekspertë të ekonomisë.
E qartë është se pa ndihmë nga jashtë, rimëkëmbja nuk do të jetë e mundur. “Populli sirian disponon rezerva natyrore si për shembull naftë, por vetëm ne nuk ia dalim të rimëkëmbim ekonominë”, tha Abdelbaset Sieda, president i Këshillit Kombëtar sirian, në opozitë. Për këtë arsye Sirisë i duhet një plan Marshall, pra ndihmë nga jashtë në fazën kalimtare, pas marrjes fund të regjimit të Assadit. “Pa një ekonomi të fortë ne i hapim dyert dhe portat ekstremizmit”, paralajmëroi Sieda.
Biznesmeni sirian Ayman Tabaa është larguar pak kohë më parë nga atdheu i tij. Ajo që dikur ishte e vetëkuptueshme është sot për të një privilegj, për shembull një mëngjes i thjeshtë. “Sot nuk kam më frikë se mund të bie viktimë e bombave në Aleppo ndërkohë që mbaj rradhën për bukë”, thotë Ayman Tabaa.

Ndihmë emergjente dhe perspektiva afatgjata
Ministri i Jashtëm Westerwelle nuk përjashtoi në takimin në Berlin pranimin nga Gjermania të refugjatëve sirianë. Ai theksoi megjithatë se: “Prioriteti është fare qartë ndihma në Siri.” Por mungesa e zonave të sigurta në vend e bën këtë thuajse të pamundur për momentin. Ushqimet, uji dhe medikamentet, do të jenë ndihmat e para emergjente pas përfundimit të luftimeve. Në takim u diskutua edhe për perspektivat afatgjata për ekonominë siriane. Qeveria gjermane tha se është e interesuar që në Siri “të ekzistojnë shanse të ndershme ekonomike pas vitesh me radhë sundimi të nepotizmit”, theksoi Westerwelle.

Një fushë potenciale investimesh është sektori i naftës dhe gazit natyror. Prodhimi është reduktuar me gati 50 për qind që prej fillimit të luftës civile, bëri të ditur ish-zëvendësministri sirian i naftës, Abdou Husameddin. Shumë sipërmarrës dhe punëtorë kanë braktisur vendin, ata duhet të rikthehen që biznesi të ringjallet.

Plane në sirtar
Gjermania drejton së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe “Grupin e punës për rindërtim ekonomik dhe zhvillim”, i cili u themelua në shkurt 2012 nga grupi i miqve të popullit sirian. Sekretariati ndodhet në Berlin. Synimi i punës së këtij grupi është të pregatisë sa më mirë të jetë e mundur rendin e ri ekonomik dhe rindërtimin. Bashkësia ndërkombëtare kërkon të jetë e pregatitur për ditën X dhe të mos i rëndojë sirianët me oferta ndihma të pakoordinuara dhe joeficiente.
Këto planifikime duhet t’ia bëjnë më të lehtë opozitës siriane krijimin e një profili në politikën ekonomike dhe duke rritur kështu kredibilitetin e saj. Westerwelle u bëri thirrje grupeve të ndryshme opozitare në Siri të bashkëpunojnë në frymën e pluralizmit dhe demokracisë. Vetëm kështu mund ata mund të përfaqësojnë “një alternativë kundrejt regjimit të padrejtësisë” dhe të zhdukin frikën për atë ç’mund të ndodhë me Sirinë pas Assadit./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit