2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Perceptimi i drejtë i teksteve të Kur’anit dhe Sunetit

Më të lexuarat

Hoxhë Ismail Bardhoshi

Perceptimi i drejtë i teksteve të Kur’anit dhe Sunetit

Perceptimi i drejtë i teksteve fetare është një ndër bazat kryesore të referimit të vlefshëm e të vërtetë. Njeriu nuk mund të njohë qëllimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), veçse nëpërmjet kuptimit të drejtë të argumenteve të Kur’anit dhe Sunetit. Shumë bidate janë shpikur për shkak të keqkuptimit dhe keqinterpretimit. Umer ibnul Hattabi i dërgoi një letër ebu Musa el Esh’ariut, në të cilën ndër të tjera i shkruante: “Pastaj interesohu të kuptosh e të perceptosh drejt çështjet që të parashtrohen, gjykimi i të cilave nuk është përmendur as në Kur’an e as në Sunet, bëj analogji (krahasim) mes gjërave, mësoji shembujt e ngjashëm me çështjet që të paraqiten, pastaj gjyko sipas asaj që e vëren më të dashur te Allahu dhe më të ngjashme me të vërtetën.” “Sunen Darelkutni”, “Sunen el Bejhaki”. Albani thotë se transmetimi është i saktë.
Ibnul Kajim ka thënë: “Perceptimi i drejtë e i saktë dhe qëllimi i mirë janë prej mirësive më të mëdha me të cilat Allahu ka begatuar robin e tij. Madje pas mirësisë së Islamit, asnjë robi nuk i është dhënë mirësi më e madhe se këto të dyja. Ato janë dy boshtet e Islamit, prej të cilëve varet përfytyrimi i drejtë i kësaj feje dhe të cilat e sigurojnë robin që të mos jetë në rrugën e atyre, qëllimi i të cilëve ka qenë i keq e me të cilët Zoti është i hidhëruar, dhe as në rrugën e të humburve, të cilët devijuan në botëkuptimet dhe përfytyrimet e tyre. Përmes këtyre dy mirësive, robi bëhet prej atyre që Allahu i ka begatuar me mirësitë e Tij dhe të cilët kanë botëkuptime e qëllime të mira e të drejta. Këta janë ata, të udhëzuarit në rrugën e drejtë, dhe jemi urdhëruar t’i kërkojmë Allahut në çdo namaz që të na udhëzojë në rrugën e tyre. Perceptimi i drejtë është një dritë që Allahu e hedh në zemrën e robit, e nëpërmjet së cilës ky i fundit bën dallimin mes të saktës dhe të pasaktës, të vërtetës dhe të pavërtetës, udhëzimit dhe humbjes, orientimit dhe devijimit. Robin në këtë drejtim e fuqizon dhe e ndihmon qëllimi i mirë, përpjekja për të qëlluar të vërtetën dhe frika prej Zotit në fshehtësi e në publik, por e ndërpret dhe e shmang ndjekja e epshit, parapëlqimi i jetës së kësaj bote, kërkimi i lëvdatave të njerëzve dhe mospasja frikë prej Allahut.”

Parimet e perceptimit të teksteve fetare dhe studimit të tyre

Në mënyrë qëinterpretimi i teksteve të Sheriatit dhe deduktimi e përfitimi i rregullave, ligjeve e normave prej tyre të jetë i drejtë e i saktë, është detyrë që perceptimi dhe studimi i tyre të mbështetet në parimet që vijojnë:
1.Mbështetja në metodën e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.
Sahabët kanë një gradë të lartë sepse Allahu i ka nderuar, i ka lavdëruar, i ka lartësuar pozitat e tyre, i ka ngritur vlerat e gradat e tyre dhe i ka cilësuar të drejtë, që prej shtatë qiejve:
“Me ata të cilët të parët përqafuan Islamin nga Muhaxhirunët (besimtarët që u shpërngulën nga Meka në Medine) dhe Ansarët (besimtarët e Medinës që i strehuan dhe i ndihmuan ata), si dhe ata që i ndoqën besnikërisht ata (në besim), me këta Allahu është mjaft i kënaqur dhe ata janë më se të kënaqur me Të. Ai ka përgatitur për ta Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj, për të banuar atje ngaherë. Ky është ngadhënjimi madhështor.” Et-Teube: 100.
“Muhamedi është i Dërguari i Allahut dhe ata që janë me të janë të ashpër ndaj mohuesve (të Allahut) dhe të mëshirshëm ndërmjet tyre. I sheh ata të përkulen (në Ruku) dhe të lëshohen me fytyrë në tokë (në sexhde kur i falen Allahut), duke kërkuar Begati nga Allahu dhe Kënaqësinë e Tij. Shenja e tyre (e besimit të tyre) është në fytyrat e tyre nga gjurmët e sexhdes (gjatë faljes). Ky është përshkrimi i tyre në Teurat, ndërsa shembulli i tyre në Inxhil përshkruhet si një farë (e mbjellë) e cila lëshon lastarin, pastaj e forcon atë dhe ai qëndron vetë në trungun e vet duke i mrekulluar mbjellësit, që Ai t’i tërbojë mosbesimtarët me anë të atyre nga mesi i tyre të cilët besojnë (të gjithë ata që besojnë në Njëshmërinë e Allahut, në të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s. dhe e ndjekin Fenë e Allahut, Islamin, deri në Ditën e Fundit) dhe punojnë mirësi e drejtësi (sipas këtij besimi) falje dhe shpërblim tepër të madh (Kopshte të begatë të Xhenetit të pafund).” El Fet’h: 29.
Gjithashtu në Kur’an Ai ka lajmëruar se është i kënaqur prej tyre dhe se e di që në zemrat e tyre kanë qëllime të mira, të pastra e të drejta:
“Sigurisht që Allahu ishte i kënaqur me besimtarët kur ata të dhanë besën ty (Muhamed a.s.) nën pemë. Ai e dinte mirë çfarë kishte në zemrat e tyre, pra Ai zbriti es-Sekineh (butësinë, gjakftohtësinë e qetësinë) mbi ta dhe Ai i shpërbleu ata me një fitore të afërt.” El Fet’h: 18.
“Ehli sune uel xhemaah” respektojnë metodën e sahabëve në kuptimin dhe interpretimin e Kur’anit dhe Sunetit, sepse ata jetuan me Profetin (salallahu alejhi ue selem), e dëgjuan atë dhe ishin të pranishëm kur zbriste shpallja. Profeti (salallahu alejhi ue selem) u përcillte atyre shpalljen dhe ua komentonte atë. Ata e kanë njohur mirë gjuhën arabe, synimet e Sheriatit dhe shkaqet e zbritjes së ajeteve të Kur’anit. Për të gjitha këto arsye, ata sigurisht i dinë më mirë sesa gjeneratat e ardhëshme domethëniet e Kur’anit, Sunetit dhe synimet e Sheriatit. Prandaj Abdullah ibnu Mesudi ka thënë: “Kushdo që të marrë për shembull dikë, le të marrë për shembull shokët e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Ata kanë qenë njerëzit me zemrat më të mira, më të devotshme e më të pastra të këtij Umeti, kanë pasur dijen më të thellë, nuk shtireshin dhe nuk i trillonin gjërat, kanë qenë në udhëzimin më të drejtë dhe në gjendjen më të mirë. Ata janë njerëzit që Allahu i zgjodhi për të shoqëruar Profetin e Tij (salallahu alejhi ue selem), kështu që mësojeni, vlerësojeni epërsinë e tyre dhe pasojini gjurmët e tyre, sepse ata vërtet kanë qenë në udhëzimin e drejtë.” (Ibnul Abdil Berr në “Xhamiu bejanil ilmi”)
Metoda e sahabëve në perceptimin, interpretimin dhe praktikimin e Kur’anit dhe Sunetit është rruga e vetme për të qëlluar të vërtetën mes ideve, mendimeve, interpretimeve, rrymave e rrugëve të ndryshme të cilat qarkullojnë mes muslimanëve. Ajo është e vetmja që të çon në shpëtim:
“Kush kundërshton të Dërguarin pasi i është bërë i qartë udhëzimi dhe ndjek një rrugë tjetër e jo rrugën e besimtarëve (sahabëve), Ne do ta mbajmë atë në atë rrugë që ai ka zgjedhur për veten e tij, do ta djegim në zjarrin e xhehenemit, dhe sa përfundim i keq është ky.” En-Nisa: 115.
Rruga e besimtarëve që Allahu e ka cilësuar si të vetmen mënyrë për t’i shpëtuar zjarrit të xhehenemit, është rruga e sahabëve, ndërsa ata që kundërshtojnë të Dërguarin (salallahu alejhi ue selem) dhe ndjekin rrugë e interpretime të tjera, janë të kërcënuar me djegie në zjarrin e tij.
Për këtë tregon edhe hadithi që e ka transmetuar Abdullah ibn Amr, i cili thotë se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Do të shfaqen në Umetin tim ato veprime që u shfaqën te çifutët. Ata do të ecin me veprimet e tyre paralel me atë që e bënë beni israilët, aq sa nëse ka pasur mes beni israilëve të tillë që u vinin nënave të tyre haptasi, do të ketë në Umetin tim që do të veprojnë në këtë mënyrë. Vërtet beni israilët u përçanë në 72 grupe dhe ky Umet do të përçahet në 73 grupe, të gjithë do të jenë në zjarr, përveç njërit.” Sahabët e pyetën: “Kush është ky grup o i Dërguari i Allahut (na e përshkruaj neve atë)?” Profeti u tha: “Janë ata të cilët e zbatojnë Islamin kështu si unë dhe shokët e mi.” Transmeton Tirmidhiu dhe Albani thotë se hadithi është hasen.
Në këtë hadith përmendet qartë se grupi i shpëtuar janë ata të cilët e praktikojnë dhe e kuptojnë Islamin ashtu si Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe shokët e tij. Prandaj duhet ta perceptojmë, ta interpretojmë dhe ta praktikojmë Kur’anin dhe Sunetin ashtu si shokët e Profetit (salallahu alejhi ue selem) e jo sipas logjikës së devijuar, epsheve dhe mendimeve, shijeve e medhhebeve të ndryshme, të cilët bien ndesh me ta, siç veprojnë bidatçinjtë, sepse rruga e drejtë dhe e shpëtimit, është të mos i tejkalojmë domethëniet që sahabët ia kanë dhënë Kur’anit dhe Sunetit.
Në vijim do të përmendim disa thënie të dijetarëve, të cilat dëshmojnë se duhet të ndjekim “menhexhin” (metodën) e sahabëve në perceptimin, studimin dhe interpretimin e Kur’anit dhe Sunetit.
Ibnu Hazmi ka thënë: “Për ata, të cilët Allahu na ka lajmëruar se është i kënaqur ndaj tyre, e di atë çfarë gjendet në zemrat e tyre dhe se e ka zbritur qetësinë mbi ta, në asnjë mënyrë nuk është e lejuar që të dyshojmë në çështjen dhe gjendjen e tyre (besueshmërinë, korrektësinë, sinqeritetin etj.)” Këto fjalë që i ka thënë për sahabet, ibnu Hazmi i ka përfituar nga fjala e Allahut:
“Vërtet Allahu qe i kënaqur me besimtarët kur ata nën hijen e atij druri të zotoheshin ty dhe Ai e dinte se ç’kishin zemrat e tyre, andaj u dhuroi qetësimin dhe së shpejti i shpërbleu me një fitore.” El Fet’h: 18.
Ibnu Tejmije ka thënë: “Në çështjet e Akides, muslimanët kanë nevojë të njohin dy gjëra:
E para, të njohin qëllimin e fjalëve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem). Kjo bëhet duke njohur domethëniet e tyre në gjuhën arabe dhe me njohjen e komentit që i kanë bërë sahabët, tabiinët dhe mbarë dijetarët e Islamit që kanë ardhur më pas. Kjo sepse i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), kur u foli sahabëve me Kur’anin dhe Sunetin, ua ka bërë të njohur domethënien e tyre, dhe prandaj ata i njohën dhe i mësuan domethëniet e ajeteve dhe haditheve në mënyrë të plotë dhe të përkryer, siç mësuan përmendësh tekstet e ajeteve dhe haditheve. Po kështu përcjellja e domethënieve të ajeteve dhe haditheve tek tabiinët nga ana e tyre, ka qenë madhështore dhe më e përkryer se përcjellja e shkronjave dhe fjalëve.” (“Mexhmuel fetaua”)
Gjithashtu ka thënë: “Kush e komenton dhe e interpreton Kur’anin dhe hadithin në kundërshtim me tefsirin (komentin) e njohur nga sahabët dhe tabiinët, është shpifës (gënjeshtar) ndaj Allahut, devijues i fakteve, argumenteve dhe ajeteve të Allahut dhe keqinterpretues i fjalëve të Tij. Kjo padyshim i hap rrugën kufrit, devijimit dhe rrënimit të parimeve e realiteteve të fesë, gjë e cila njihet domosdoshmërisht se është e pavlefshme dhe e pavërtetë në fenë islame.” (“Mexhmuurr-rresail el munirije”)
Po kështu ka thënë: “Kush kundërshton thënien e tyre dhe e komenton Kur’anin ndryshe nga tefsiri i tyre, ka gabuar në argumentin që ka sjellë dhe në mendimin që ka synuar ta mbështesë me të.” (“Et-tefsirul kebir”)
Ibnu Rexheb el Hanbeli ka thënë: “Dija e dobishme prej të gjitha këtyre njohurive ështe mësimi i teksteve të Kur’anit dhe Sunetit, si dhe kuptimi i domethënieve të tyre duke u bazuar në atë që është transmetuar nga sahabët, tabiinët dhe pasuesit e tyre. Gjithashtu të konsiderohet e mjaftueshme ajo që është transmetuar prej tyre lidhur me çështjet e hallallit dhe haramit, asketizmit, njohurive që zbusin zemrën e të tjera. Pastaj të bëhet përpjekje për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta së pari, dhe së dyti të njihen domethëniet e të kuptohen mirë. Këto njohuri fetare janë të mjaftueshme për atë që logjikon dhe interesohet të marrë dije të dobishme e të preokupohet me të.” (“Fadlu ilmis-selefi alel khalefi”)
Esh-Shatibi ka thënë: “Prandaj selefët e mirë të këtij Umeti, në të cilët përfshihen sahabët, tabiinët dhe ata që i kanë pasuar ata, ishin më të diturit rreth Kur’anit dhe njohurive të tij…” (“El muvafakat”)
Ibnu Abdil Hadi ka thënë: “Nuk lejohet të shpikësh për ndonjë ajet ose hadith, një koment ose interpretim që nuk ka ekzistuar në kohën e selefëve dhe ata nuk e kanë njohur dhe nuk ia kanë sqaruar Umetit, sepse kjo nënkupton se ata nuk e kanë njohur të vërtetën dhe kanë devijuar prej saj, ndërkohë që është udhëzuar dhe e ka qëlluar ky kundërshtar i mëvonshëm!” (“Es-sarimul munki”)
2. Njohja e gjuhës arabe.
Që të kuptosh argumentet e Kur’anit dhe Sunetit në mënyrë të saktë, patjetër duhet të njohësh gjuhën arabe në të cilën ka zbritur Kur’ani fisnik dhe me të cilën Profeti (salallahu alejhi ue selem) u foli shokëve të tij. Prandaj interesimi i dijetarëve të Umetit dhe prijësave të tij për gjuhën e Kur’anit ka qenë shumë i madh, me qëllim që tekstet e Sheriatit të kuptohen ashtu siç duhet. Umer ibnul Hattabi çonte shkresa anembanë territorit të halifatit që njerëzit të mësonin Sunetin, rregullat e trashëgimisë dhe rrregullat e gjuhës arabe, ashtu siç mësonin Kur’anin. (“Xhamiu bejanil ilmi”)
Imam esh-Shafi’i, në librin e tij “Er-Risale” ka theksuar domosdoshmërinë e njohjes së mirë të gjuhës arabe për të kuptuar Kur’anin dhe Sunetin.
Ibn Tejmije ka thënë: “Njohja e gjuhës arabe me të cilën na është komunikuar feja, është prej gjërave që të ndihmojnë për ta kuptuar fjalën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Po kështu edhe njohja e semantikës së fjalëve, sepse në përgjithësi humbja e bidatçinjve ka lindur për këtë shkak, ngaqë ata i jepnin fjalës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij atë kuptim që pretendonin, megjithëse nuk ishte i vërtetë.” (“Mexhmuul fetaua”)
Esh-Shatibi ka thënë: “Qëllimi është të sqarojmë se Kur’ani ka zbritur në gjuhën arabe, kështu që kuptimi i tij mund të arrihet vetëm nëpërmjet kësaj gjuhe:
‘Nuk ka dyshim që Ne e zbritëm Kur’anin në gjuhën arabe me qëllim që ju të kuptoni.’ Jusuf: 3.
‘Sigurisht që ky (Kur’ani) është shpallje nga Zoti i Aleminit (i gjithësisë, Zoti i njerëzve dhe i xhindëve), të cilin Ruhu (meleku Xhibril) i besueshëm e ka zbritur në zemrën tënde (o Muhamed) që të mund të jesh prej këshilluesve, (i zbritur) në gjuhën arabe të qartë.’ Shuara: 192-195.
‘Ne vërtet e dimë se mosbesimtarët thonë: ‘Atë (Muhamedin) vetëm se e mëson ndonjë njeri i mençur. Gjuha e atij njeriu të cilit ata i referohen, është krejt e huaj, ndërsa ky (Kur’ani) është gjuhë arabe e qartë’.’ En-Nahl: 103.
Ka dhe plot argumente të tjera të cilat tregojnë se Kur’ani është arabisht, në gjuhën arabe dhe jo në ndonjë gjuhë të huaj, prandaj për atë që kërkon ta kuptojë, mënyra e vetme është arabishtja. Nuk ka rrugë tjetër për ta kuptuar përveç kësaj gjuhe.” (“El muvafekat”)
Këtu është një çështje shumë e rëndësishme të cilën duhet ta kemi parasysh. Argumentet dhe treguesit fetarë i kufizojnë domethëniet gjuhësore, u japin fjalëve dhe shprehjeve kuptime të caktuara, specifike dhe i sqarojnë ato.
Ibnu Tejmije ka thënë: “Nëse Profeti (salallahu alejhi ue selem) e sqaron kuptimin e një fjale dhe përmbajtjen e saj, nuk është e domosdoshme ta ketë marrë nga gjuha apo të ketë shtuar në të, por rëndësi ka që është njohur qëllimi i tij. Sido që të jetë raporti i fjalës së përdorur me gjuhën, e rëndësishme është të njohim qëllimin e Profetit (salallahu alejhi ue selem).”
Prandaj sqarimet e përmendura në Sheriat për termat dhe shprehjet kanë përparësi mbi çdo sqarim tjetër. Shumë bidatçinj, për arsye se nuk e kanë marrë në konsideratë këtë realitet, i komentuan termat fetare që kanë të bëjnë me parimet e fesë, duke u mbështetur krejtësisht në aspektin gjuhësor, pa marrë parasysh synimet e Sheriatit (p.sh. murrxhiet i dhanë fjalës “iman” vetëm kuptimin e njohjes dhe vërtetimit, pa marrë parasysh qëllimin e Sheriatit në përdorimin e kësaj fjale). (Shiko “Mexhmuul fetaua”, 7/289)
3. Mbledhja e të gjithë argumenteve që kanë të bëjnë me një çështje.
Tekstet fetare manifestojnë një tërësi unike dhe plotësojnë e përsosin njëri-tjetrin, kështu që nuk mund të qartësohet një çështje, derisa të mblidhen të gjitha argumentet që lidhen me të. Argumentet e sakta të Kur’anit dhe Sunetit, përputhen me njëri-tjetrin dhe nuk bien në kundërshtim, sepse ato kanë dalë nga një burim i vetëm, prandaj nuk mund të ketë në to kundërthënie. Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Librin e Tij:
“Vërtet ata që nuk besuan në Mesazhin Përkujtues (Kur’anin) kur ai u erdhi atyre (do të marrin dënimin). Dhe ai është një Libër i nderuar dhe i vlerësuar (sepse ai është Fjala e Allahut dhe Ai e ruan atë nga çdo shtrembërim). Nuk hyn gënjeshtra në të as nga para e as nga prapa, ai është i zbritur nga (Allahu) më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.” Fussilet: 41-42.
“A nuk mendojnë thellë për Kur’anin?! Po të kishte qenë ai prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, sigurisht që do të kishin gjetur në të mjaft kundërthënie e mospërputhje.” En-Nisa: 82.
Me këtë që sqaruam mësojmë se nuk lejohet të merret një tekst dhe të lihet një tjetër në të njëjtën temë, sepse kjo çon në copëtimin e teksteve, sakatimin dhe gjymtimin e tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Atëherë a besoni vetëm në një pjesë të librit dhe mohoni pjesën tjetër!?” El Bekare: 85.
Lidhur me këtë temë imam Ahmedi thotë: “Nëse nuk do t’i grumbullosh rrugët e hadithit, nuk e kupton atë, sepse hadithet sqarojnë njëri-tjetrin dhe variantet e një hadithi shpjegojnë njëri- tjetrin.”
Ibnu Tejmije ka thënë: “Dijetari, pasi të dallojë atë që e ka thënë i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) nga ajo që nuk e ka thënë, ka nevojë të kuptojë qëllimin e tij, kështu që duhet të bëjë pajtimin mes haditheve, të bashkojë gjërat e ngjashme e si rrjedhojë të bashkojë mes atyre gjërave që ka bashkuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe të ndajë e të bëjë dallim mes gjërave që Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë bërë të ndryshme. Kjo është dija prej së cilës përfitojnë muslimanët dhe të cilën është detyrë ta pranojmë. Me këtë dije kryesuan dijetarët e muslimanëve, si tre dijetarët e mëdhenj e të tjerë, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të gjithë.” (“Mexhmuul fetaua”)
Shatibiu ka thënë: “Strumbullari i gabimit në nxjerrjen e rregullave nga argumentet e Sheriatit është vetëm një gjë, e kjo është mosnjohja e synimeve të Sheriatit dhe mosbashkimi e mospajtimi mes argumenteve të tij. Sipas dijetarëve të vendosur në dije, metoda e saktë e deduktimit të rregullave nga tekstet, është të merret i gjithë Sheriati si një formë e vetme, duke i renditur çështjet e pjesshme në çështjet e tërësishme, duke përjashtuar prej argumenteve të përgjithshme gjërat e veçanta që janë përjashtuar po me argument, duke e kufizuar tërësinë e argumenteve absolute me argumentet e kufizuara, duke i shkoqitur e sqaruar argumentet e përgjithshme e të pashtjelluara me argumentet sqaruese, e të tjera aspekte e drejtime…”
Pas kësaj Shatibiu ka thënë: “Të vendosurit dhe të mëkëmburit në dije, e përfytyrojnë Sheriatin si një formë (njësi) të vetme, argumentet e së cilës i shërbejnë njëri-tjetrit, si pjesët e trupit të njeriut, nëse do të përfytyroheshin në një formë frytdhënëse.”
Gjithashtu ai ka thënë: “Shpesh i vëren injorantët që t’i mbështesin mendimet e tyre në argumente të pavlefshme ose argumente të sakta, por mendimin e kanë formuar duke u kufizuar vetëm me një argument të caktuar dhe duke mos i marrë në konsideratë argumentet e tjerë, të cilët e mbështesin atë mendim ose e kundërshtojnë.”
Nga ky sqarim që ka bërë Shatibiu, mësojmë se është e domosdoshme të mbledhim argumentet që kanë të bëjnë me një çështje të caktuar dhe të vendosim çdo tekst në vendin e duhur.
4. Njohja e synimeve të Sheriatit.
Prej mirësisë dhe mëshirës së Allahut të Lartësuar ndaj këtij Umeti, është që të gjitha rregullat i ka ligjëruar për synime dhe përfundime madhështore. Të gjitha rregullat dhe ligjet e Sheriatit janë të themeluara mbi realizimin e interesave për robërit në dynja dhe ahiret. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“O njerëz! Ju ka ardhur juve një këshillë e mirë nga Zoti juaj (Kur’ani i cili ju urdhëron për çdo të mirë dhe ju ndalon nga çdo e keqe) dhe shërim për atë (sëmundje të padijes, dyshimit, hipokrizisë, dallimeve etj.) në gjokset tuaj, udhëzim dhe mëshirë (duke shpjeguar e dalluar të lejuarën e të palejuarën) për besimtarët.” Junus: 57.
Dijetarët e Umetit tonë, në shumë thënie kanë theksuar se Sheriati ynë është zbritur për të realizuar dhe për të plotësuar e kompletuar dobitë dhe interesat për njerëzit, si dhe për të zhdukur dhe eliminuar, ose për t’i minimizuar dëmet dhe të këqijat në dynja dhe në ahiret.
Shatibiu ka thënë: “Sheriati është vendosur nga Allahu për të realizuar dobitë dhe interesat e robërve në dynja dhe në ahiret (në të tashmen e të ardhmen) dhe për të shmangur dëmet dhe të këqijat prej tyre.”
El Iz-z ibnu Abdus-Selam thotë: “I gjithë Sheriati është në dobi dhe interes të njerëzve. Ai ose përmban shmangien e dëmeve, ose arritjen e dobive dhe realizimin e interesave.”
Ibnul Kajim thotë: “Sheriati është i bazuar dhe i themeluar mbi objektivin e realizimit të urtësive, dobive dhe interesave për robërit në jetën e dynjasë dhe të ahiretit. Të gjitha rregullat dhe ligjet e Sheriatit janë të drejta, dobiprurëse dhe të vendosura në vendin e duhur. Çdo çështje që devijon nga drejtësia për në padrejtësi, nga mëshira për në të kundërtën e saj, nga dobia dhe interesi për në dëm, dhe nga urtësia, saktësia dhe preçiziteti për në kotësi, parregullsi dhe në konfuzion, nuk është prej Sheriatit. Ajo edhe sikur t’i mvishet Sheriatit me anë të keqinterpretimit, nuk i përket atij, sepse Sheriati është drejtësia e Allahut ndërmjet robërve të Tij dhe mëshira e Tij ndërmjet krijesave.”
Ibnu Tejmije ka thënë: “Sheriati është i themeluar mbi realizimin e dobive dhe kompletimin e tyre, si dhe eliminimin e dëmeve e të këqijave dhe minimizimin e tyre sipas mundësisë. Ai na udhëzon të njohim më të mirën e dy të mirave dhe më të dëmshmin e dy dëmeve ose dy të këqijave, në mënyrë që kur përplasen dy të mira dhe s’mund të bëhen të dyja, t’i jepet përparësi asaj që është më e rëndësishme, dhe kur përplasen dy dëme dhe s’mund të shmangen të dy, t’i jepet përparësi shmangies së dëmit më të madh.” (“Minhaxhus-Suneh”)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit