Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të Komisionit për vlerësimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një letër drejtuar kryeministrit Thaçi, deputeti nga radhët e PDK-së jep arsyet e dorëheqjes nga kryetari i Komisionit për vlerësimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“ Duke vlerësuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka kryer misionin e saj të çlirimit të Kosovës, së bashku me mbështetjen ndërkombëtare; duke vlerësuar se funksioni im ka pushuar së funksionuari, prej krijimit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës; duke ditur se prej vitit 2000 unë nuk jam marrë me strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pasur në vëmendje se unë nuk duhet të ngarkohem me përgjegjësinë e evidentimit të veprimtarisë e të luftës së çdo luftëtari të UÇK-së; duke qenë se nuk ndihem person adekuat për ta ndjekur dinamikën e detyrës që më kërkoni ta kryej, duke qenë se kam ngarkesa që nuk më lejojnë që kësaj veprimtarie t’i kushtojë kohën dhe vëmendjen e duhur, duke i vlerësuar mundësitë e mia dhe përmasat e detyrës së ngarkuar, si dhe duke vlerësuar se kjo detyre nuk më takon ta kryej unë, për vetë funksionin që kam pasur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, jap dorëheqjen prej detyrës së Kryetarit të Komisionit për vlerësimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në letrën e Sylës.
“Në cilësinë e ish-komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qoftë se Ju do të vlerësoni të më thërrisni për konsulta rreth përfundimeve të punimeve të komisionit në fjalë, jam i gatshëm t’iu ofroj mendimet dhe opinionet e mia”, shprehet më tej Syla, në letrën drejtuar kryeministrit Thaçi.kohaislame