Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar padi penale ndaj 3 aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët u arrestuan dhe u liruan dy ditë më parë. Kjo për faktin se ata kanë shpërndarë në Prishtinë urdhërarreste për kryeministrin Thaçi dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, me logo të Policisë së Kosovës. “Nuk është lojë, apo instilacion, siç e mendojnë ata. Do t’i sugjerojmë prokurorit që të bëjë padi penale për keqpërdorim të dokumentit zyrtar, jo vetëm ndaj atyre që e kanë bërë, por edhe ndaj urdhërdhënësve”, ka thënë Rexhepi në emisionin “Interaktiv” të KTV –së .
Ministri i Brendshëm ka folur edhe për vjedhjen e arit në Policinë e Pejës, duke thënë se po zhvillohet një hetim gjithëpërfshirës, i cili do të çojë deri në ngritjen e aktakuzave dhe ndëshkimin e atyre që e kanë shitur dhe blerë arin e vjedhur. Ndërkohë, i pyetur për rezultatet e hetimeve për vrasjen e Selver Haradinajt në veri të Mitrovicës, Rexhepi e ka përjashtuar motivin ndëretnik, duke mos pranuar të japë sqarime të tjera.koha/kohaislame