Edhe pse nuk ka ende rezultate zyrtare, Partia Nacionale Skoceze ka shpallur fitoren në zgjedhjet për parlamentin skocez, duke premtuar zgjedhje të reja për pavarësi nëse Britania zgjedh të largohet nga Bashkimi Europian pas referendumit të 23 qershorit.
Në Londër sytë janë nga kandidati i laburistëve Sadik Khan me origjinë nga Pakistani, i cili përballet me konservatorin Zak Goldsmith. Por rezultatet për kryeqytetin shpallen në fund të ditës sot.
Partia Nacionale Skoceze ka shpallur fitoren historike, e treta e shënuar në zgjedhjet për parlamentin skocez edhe pse nuk arrin të formojë një shumicë absolute.
Laburistët mund të përfundojnë në vendin e 3-të pas ngjitjes së Partisë Konservatore Skozece dhe ringjalljes së liberal-demokratëve.
UKIP, ose Partia e Pavarur ka shënuar rezultate të kënaqshme dhe mund të bëhet pjese e Asamblesë së Wellsit për herë të parë.
Sa i përket Londrës, rezultatet pritet të dalin në fund të ditës së sotme.
Partia Nacionale Skoceze ka premtuar zgjedhje të reja për pavarësi nëse vendi do të jetë i detyruar të largohet nga Bashkimi Europian kundër vullnetit të saj pas referendumit të 23 qershorit.
Megjithatë, shumica e skocezëve mendojnë se nëse Britania del nga Bashkimi Europian, atëherë edhe Skocia do të luftojë për pavarësinë e saj.
SNP kishte parashikuar të fitojë një shumicë më të madhe të 129 vendeve të parlamentit skocez në këto zgjedhje, të paktën më shumë se 69 vendet e fituara në vitin 2011.
Pas fitores së parë në 2007, SNP formoi Qeverinë e parë me shumicë absolute në 2011.
Qendrat e votimit u mbyllën mbrëmë në orën 23:00, ku 45 milionë qytetarë britanikë votuan për krerët lokalë në Skoci, Wells dhe në Irlandën e Veriut, por edhe për këshillat rajonalë në të gjithë Anglinë.
Britanikët kanë hedhur votën e tyre edhe për Bashkinë e Londrës, ku mes dy kandidatëve Sadik Khan dhe Goldsmith, sytë kanë qenë mbi kandidatin e laburistëve me origjinë nga Pakistani, mysliman, djali i një shoferi autobusi.
Sipas rezultateve të para, laburistët kanë arritur të mbajnë Këshillat lokalë të Sunderland dhe Newcastle.