Njerëzit që i kanë mbijetuar sulmit në zemër, duhet që të hanë çokolatë së paku dy herë në javë, pasi që në atë mënyrë do të zvogëlojnë rrezikun nga vdekja e mundshme prej sëmundjeve koronare.

Një studim suedez ka treguar se pacientët që kanë pasur sulm në zemër, janë 70% më pak të rrezikuar nga vdekja nëse hanë çokolatë. Edhe në qoftë se çokolatën e hanë njëherë në javë, do të zvogëlojnë rrezikun nga vdekje gati përgjysmë.

Ky zbulim është vetëm një pjesë nga dobitë e shumta që sjell çokolata, dhe veçanërisht çokolata e zezë. Rezulatet nga ky hulumtim kanë treguar që çokolata e zezë e zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e gjakut, mbron nga karcinomi dhe i mbron shtatzënat nga lindjet e parakohshme, raporton healthandcare.co.uk .

Edhe pse personat mund të i mbijetojnë sulmit në zemër, prapë se prapë mbesin dëmtime të cilat në mënyrë drastike e rrisin rrezikun e vdekjes nga problemet e mundshme kardiake në të ardhmen. Megjithatë, studimi i kryer në Stockholm tregon që konsumimi i çokolatës mund të ndihmojë.

Por, ekspertët paralajmërojnë se kjo gjë nuk ka të bëjë me të gjitha ëmbëlsirat. Përkundrazi, produktet e tjera të ëmbla mund ta përkeqësojnë dukshëm gjendjen.