2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Prishtinë: Falja e namazit në xhami dhe rrugë

Më të lexuarat

E premtja, apo e xhumaja është një ditë e veçantë për besimtarët myslimanë. Falja e xhumasë, konsiderohet si një nga obligimet e domosdoshme fetare të këtij besimi.

Një interesim i shtuar për kryerjen e ritualeve fetare vërehet edhe në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Por, ajo që bie në sy është falja e namazit në rrugë.

Qytetarë të shumtë në Prishtinë, e kanë falur në rrugë xhumanë, pasi që brenda në xhaminë në Lagjen Tophane, nuk kishte hapësirë të mjaftueshme.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës thonë se falja në rrugë paraqet problem për ta, por edhe qytetarët.

Ata thonë se që nga përfundimi i luftës, kur ka filluar të rritet numri i banorëve në Prishtinë, personat që kanë shprehur dëshirën të falen, shpesh janë detyruar që namazin ta kryejnë jashtë xhamive, në oborr dhe në rrugët pranë tyre.

Krye-imami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, Burhan Hashani, thotë për Radion Evropa e Lirë se sidomos të premteve, në kryeqytet, në disa xhami, si ajo në Lagjen Tophane, Dardani e në qendër, por edhe në disa lagje të tjera, qytetarët nga mungesa e hapësirës brenda xhamive detyrohen të falen në oborrin e xhamisë dhe në rrugët përreth.

“Rrugët nuk duhet të bllokohen, por ata njerëz diku duhet të falen. Xhamitë janë të stërmbushura dhe njerëzit falen në rrugë. Shkoni në Lagjen Dardania atje, incizoni atje, numri i njerëzve që falen jashtë është ende më i madh. Numri i atyre që falen jashtë është shumë më i madh se i atyre që falen brenda. Ne edhe në këshill kemi kërkuar zgjidhje se si të dilet nga kjo situatë. Por, njerëzit nuk kanë ku të falen. Nuk i zë hapësira se xhamit janë të vogla”, thotë Hashani.

Në Prishtinë në vitin 2000, numri i xhamive ka qenë trembëdhjetë, kurse deri me tash në vitin 2016 numërohen 25 sish.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se falja e namazit nuk është e lejuar që të bëhet në një vend, në të cilin pengohet tjetri nga veprimet e tij çfarëdo qofshin ato.

“Nuk lejohet falja e namazit në rrugë, në të cilën dikush ka nevojë të kalojë në atë rrugë. Imagjinoni sikur të ndodhë një rast ku duhet të kalojnë zjarrfikësit, ose duhet kaluar ndihma e shpejtë ose policia, e të ngjashme, në të cilën dikush falet ndërkohë që dikush tjetër, mos e bëftë Zoti, digjet në anën tjetër. Prandaj, është dispozitë sheriatike, është rregull i sheriatit, është vepër e urryer falje e namazit në një vend ku e pengon dikë tjetër”, deklaron Rexhepi.

Në anën tjetër, Burhan Hashani, konsideron se Komuna e Prishtinës duhet të mendojë për këtë çështje dhe, siç shprehet ai, ‘komuna duhet t’ju bëjë zgjidhje taksapaguesve të vet’.

“Është mungesë e objekteve, sepse lagje të tëra janë pa xhami. Ne kemi bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës në departamentin e urbanizmit vite me radhe që në planet urbanistike, rregullative, kur bëhen për lagje, të parashihen edhe objektet fetare, krahas objekteve tjera”, shpjegon Hashani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit