3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Vëllazëria në Islam.

Më të lexuarat

Vëllazëria në Islam

Falënderimi i takon vetëm Allahut, që me anë të Muhammedit solli dritën dhe fenë e vërtetë, udhëzoi me anë të tij njerëzit dhe ua hapi atyre sytë, i bashkoi pasi ishin të përçarë, i bëri miq pasi ishin armiq.

E falënderojmë Allahun që na urdhëron neve, besimtarëve, ta duam njëri-tjetrin dhe ta forcojmë gjithnjë besimin duke forcuar dashurinë për njëri-tjetrin.

O njerëz, kijeni frikë Allahun, përmbajuni urdhrave të Tij dhe urdhrave të të Dërguarit të Tij, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrini lumturinë e vërtetë.

I Dërguari i Allahut, Muhammedi (Paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos kini smirë për njëri-tjetrin, mos mashtroni, mos urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. Jini vëllezër, siç i ka hije robve të Allahut. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e lë në baltë, nuk e gënjen dhe nuk e përçmon atë. Devotshmëria është këtu (e tha këtë tri herë, duke bërë me shenjë nga zemra e tij). Për një njeri është shumë keq që ta përçmojë vëllanë e tij musliman.” (Marrë nga Muslimi)

Në një hadith tjetër ai thotë: “Atij që i largon muslimanit një brengë, Allahu ia largon brengën Ditën e Kijametit; Atij që i mbulon muslimanit një të metë, Allahu do t’ia mbulojë Ditën e Kijametit.”

Në hadithin që e përmendëm më lart, Pejgamberi (Paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!) thotë: “Jini vëllezër, siç i ka hije robve të Allahut”.

Vëllazëria, për të cilën na porosit Pejgamberi ynë i dashur, nuk është sipërfaqësore, ajo duhet të jetë e fortë dhe duhet ta ketë vendin në shpirt e në zemër. Ajo nuk duhet të jetë me qëllime interesi, por një dashuri e vërtetë, që shprehet me fjalë e vepra të mira. Vëllazëri e vërtetë është kur t’i do për vëllanë atë që do për vete, kur dëshiron që ai të jetë besimtar i përpiktë, të jetë krenar, i fortë, i pasur, e të sillet mirë, kur e këshillon atë dhe i mëson si të jetë në rrugë të drejtë, duke përdorur metodat më të favorshme, për t’ia arritur qëllimit.

Gjithashtu, kur nuk do për vëllanë atë që nuk e do për vete, kur të shqetëson fakti që ai mund të jetë i shthurur, i poshtëruar, i varfër, i dobët dhe asnjëherë nuk pajtohesh me sjelljet e tij të këqija, kur i bëhesh krah gjithnjë dhe nuk mjaftohesh vetëm duke iu lutur Allahut për të, nëse e sheh që ka nevojë, por t’i vetë përpiqesh ta ndihmosh me sa ke mundësi.

Dijetari i nderuar Ibnu Kudame el-Makdesi në një nga shkrimet e tij, ka përmendur disa nga detyrimet që ka secili prej nesh ndaj vëllait të tij musliman. Ai thotë:

1. Plotësimi i nevojave të vëllait tënd musliman, ndërkohë që shpërblimi i Allahut për ty, varet nga fakti se në cilën kategori të poshtëshënuar bën pjesë:

T’ia plotësosh nevojat kur ai ta kërkon një gjë të tillë dhe ti je në gjendje për ta ndihmuar. Kjo të bëhet me dëshirë dhe mundësisht me buzëqeshje.

T’ia plotësosh nevojat kur nuk të kërkohet një gjë e tillë, por ti vetë e ndjen nevojën e tij për ty.

Të plotësosh nevojat e vëllait para tuajave. Qenë sahabët ata, që e praktikuan të parët këtë lloj veprimi, prandaj, Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar në Kur’an, duke thënë: “Ata u japin përparësi të tjerëve para vetes edhe nëse është diçka personale.”

2. Gjuha duhet të heshtë.

Këtë gjë mund ta sqaronim në këtë mënyrë: duhet të heshtë dhe të mos përmendë të metat e vëllait musliman, në prani a në mungesë të tij. Duhet të mos pyesësh për ato gjëra që ai nuk dëshiron t’i tregojë, të ruash sekretet e tij edhe nëse ndahesh prej tij. Duhet të mos fyesh shokët e tij, pjesëtarët e familjes, madje edhe nëse dëgjon dike duke i bërë këto veprime, të mos i tregosh vëllait, për të mos shkaktuar grindje.

3. Gjuha duhet të flasë

Këtë mund ta sqaronim kështu: ashtu siç përmendëm më lart faktin se nuk duhet të themi atë që vëllait nuk i pëlqen, po kështu duhet që gjuha tashmë të zgjidhet, për të folur për anët e tij të mira.

Duhet që me fjalë e vepra të përpiqesh të fitosh zemrën e tij, ta pyesësh për ndonjë hall që mund të ketë dhe gjithnjë, kur je me të, të përpiqesh të jesh i gëzuar dhe i qeshur. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!) thotë në një hadith: “Nëse dikush prej jush e do vëllain e tij musliman, le t’ia shprehë.” (Kumtoi Tirmidhiu)

Këtu mund të përmendim se është detyrë që vëllanë ta thërrasim me emrin apo pseudonimin që ai pëlqen. Umer ibn Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë:

“Dashurinë e vëllait tënd musliman mund ta fitosh me anë të tri gjërave: ta përshëndesësh kur e takon, t’i bësh vend kur jeni ulur për të kuvenduar dhe ta thërrasësh me emrin që ai pëlqen më shumë.”

4. Lutu për vëllanë kur është gjallë dhe kur ka vdekur

Lutjet duhet të jenë të njëjtat ato që bën për veten tënde (përveç rastit kur ke diçka fare personale). Ebu Derda kumton se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!), ka thënë: “Kur muslimani lutet për vëllanë e tij, pa ditur gjë (ky i fundit), lutja pranohet. Tek koka e lutësit qëndron një engjëll i ngarkuar të thotë, pas çdo lutejeje të mirë për vëllanë musliman, ‘Amin, të dhëntë Allahu edhe ty të njëjtën gjë!’” (Kumtoi Muslimi)

5. Besnikëria dhe sinqeriteti

Besnikëri do të thotë ta duash vëllanë musliman deri në vdekje dhe pas saj, t’u qëndrosh besnik fëmijëve dhe miqve të tij. I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!), një herë, pasi ka nderuar siç duhet një të moshuar, tha: “Ajo vinte tek ne shpesh, kur Hatixheja ishte gjallë. Ruajtja e marrëdhënieve të tilla është pjesë e besimit.” (Kumtoi Hakimi)

Që të tregohesh besnik i vërtetë me vëllanë tënd, duhet që marrëdhëniet e tua me të të mos ndryshojnë edhe nëse rritesh në post, të shtohet pasuria etj. Duhet gjithashtu që të mos u vësh veshin fjalëve që mund të të thotë dikush për vëllanë, dhe të mos mbash shok e mik armikun e tij.

6. Lehtësim dhe jo stërmundim

Duhet të mos e stërmundosh vëllanë tënd duke i kërkuar të bëjë atë që nuk ka mundësi, apo t’i kërkosh të t’i zgjidhë hallet, të të shërbejë, etj. Në lidhjet e tua me të, duhet që qëllimet e tua kryesore të jenë: arritja e kënaqësisë së Allahut, kënaqësia dhe shlodhja kur takohesh me të, ta kesh si ndihmë për të forcuar besimin për t’u afruar edhe më shumë me Allahun, duke zbatuar detyrimet që ke ndaj vëllait tënd musliman.

Si mendoni ju, vallë është shenjë e vëllazërisë që të përvetësosh pa të drejtë pasurinë e tjetrit, të kalosh kufijtë e të drejtave reciproke, t’i heqësh riskun vëllait tënd, t’i ndërhysh në tregëti (për t’i prishur punë), të fejohesh a të martohesh me atë vajzë që ai e ka kërkuar para teje dhe pret të marrë përgjigje (nga familja e vajzës), ta mashtrosh vëllanë tënd, ta presësh në besë, të flasësh për të metat e tij dhe të harrosh anët pozitive që ka ai, ta përgojosh duke folur pas krahëve?!

Duhet të mos harrohet se përgojimi i tjetrit është një nga mëkatet e mëdha. O muslimanë, kijeni frikë Allahun dhe mos harroni se jeni vëllezër të një feje dhe marrëdhëniet vëllazërore që keni, janë për hir të Allahut. Kjo është lidhja më e fortë se të gjitha, si në këtë botë, ashtu edhe Ditën e Gjykimit.

Allahu në Kur’an thotë:

“Atë ditë, miqtë e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve (besimtarëve).” (Zuhruf, 67)

Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij (Paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!), na kanë dhënë disa rregulla bazë që rrisin dhe forcojnë dashurinë vëllazërore, na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin dhe i japin fund njëherë e përgjithmonë përçarjes dhe armiqësisë midis nesh. Prej tyre mund të përmendim përshëndetjen (kryesisht selamin).

Në një hadith Muhammedi (Paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!) porosit ata që janë grindur me njëri-tjetrin dhe thotë: “Nuk i lejohet askujt që të mbajë mëri me vëllanë e tij, më shumë se tri ditë. Më i mirë prej tyre është ai që e përshëndet i pari tjetrin (i jep selam)”.
Eshtë detyrë e atij që dëgjon selamin, që të përgjigjet në të njëjtën mënyrë ose më mirë, duke shoqëruar përshëndetjen me buzëqeshje, çiltërsi dhe me zë, që të dëgjohet.

Në një hadith, i Dërguari i Allahut, Muhammedi (Paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!) porosit njërin prej shokëve të tij (Ebu Ejubin): “Të të tregoj një tregëti të suksesshme?” – “Po”, – ia ktheu Ebu Ejubi. “Nëse dy vetë janë të grindur, – vazhdoi Pejgamberi (Paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të!), pajtoji dhe afroji!”

__________________________________________________ __

Marre nga www.albislam.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit