2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

HOXHË HASAN VOGLI – Gjuhën shqipe do ta mbrojmë edhe me gjak

Më të lexuarat

HOXHË HASAN VOGLI

Gjuhën Shqipe Do Ta Mbrojmë Edhe Me Gjak

Çerek shekulli i parë i historisë së zhvillimit të kulturës dhe të arsimit në Tiranë lidhet ngushtë me emrin dhe veprimtarinë e Hoxhë Hasan Vogli. Hapja e alfabetit të Stambollit, funksionimi i shkollës fillore “Ylli” në Tiranë, qendresa heroike ndaj përsekutimeve që iu bënë patriotëve nga Shevqet Durgut pasha e më vonë nga Esat Toptani, themelimi i jetimores së Tiranës dhe shumë vepra bamirëse, e bënë shumë të dashur dhe të nderuar emrin e Hasan Voglit.
Hasan Vogli rrjedh nga një familje tiranase me tradita atdhetare. Ai kreu shkollën plotore (Ruzhdie) në Tiranë, kurse në Shkodër vazhdoi shkollën pedagogjike me gjuhë mësimi turqishten, “Daru-mualiminë”. Sipas të dhënave, ai ndoqi edhe arsimin e lartë në Stamboll, ku u pajis me një kulturë të lartë teologjike. Që në fillim u ingranua në lëvizjen patriotike. Si kredo të vepimtarisë së tij shoqërore ai kishte parullen “Jam shqiptar, flas shqip dhe gjuhën shqipe do ta shkruaj edhe me gjak”.
Kësaj motoje ai nuk i devijoi asnjëherë. Shërbeu si mësues i shkollës fillore shqipe të Tiranës, që drejtohej nga Filip Hashiku, duke e filluar punën me 1901. Njëkohësisht shërbeu si mësues edhe në shkollat e tjera turke, gjithmonë duke iu përmbajtur parimeve të tij. Me shpalljen e Pavarsisë punoi si mësues në disa shkolla të Tiranës, derisa vdiq në moshën 58- vjeçare. Në këto shkolla dha lëndë të profilit fetar, paralelisht me lëndë të tjera të kulturës së përgjithshme.
Më 1910 dhe më pas me ardhjen e rrebelëve të Esat Toptanit, siç thotë Hfz.Ibrahim Dalliu, në librin e tij “Patriotizma në Tiranë”, ai u ndoq dhe u përsekutua, në mënyrën më çnjerëzore, derisa mbeti i gjymtë.
H.Vogli i përkiste atij grupi njerëzish me karakter të fortë, që nuk përkulen dhe që as nuk i nënshtrohen dhunës. Shkonte i pari në xhami dhe dilte i fundit. Që nga më kryesorët që mbrojti vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe u radhit krah për krah me ithtarët e qeverisë që doli nga ky Kongres. Ai nuk shkroi ndonjë vepër, por fjala e tij qe aq e fortë si para xhematit në xhami, ashtu edhe para nxënësve në shkollë.
H.Vogli ishte prototipi i myslimanit të devotshëm. Kudo që do të ndërmerrej ndonjë nismë për të ndihmuar nevojtarët ose për të ngritur ndonjë institucion që mungonte, ai do të zgjidhte kuleten e tij, do të angazhohej me tërë autoritetin që gëzonte. Shumë vajza jetime i kanë gëzuar martesat e tyre në sajë të ndihmave që ai u ka dhënë. Jetimorja e Tiranës është ndihmuar nga ky burre i madh, i cili, pas vdekjes, ullishtet e tij ia kaloi si pasuri këtij institucioni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit