10.7 C
Pristina
Saturday, September 21, 2024

HAFIZ IBRAHIM DALLIU – Burri që nuk u mposht nga persekutimet

Më të lexuarat

HAFIZ IBRAHIM DALLIU
Burri Që Nuk u Mposht Nga Persekutimet

Zhvillimi i kulturës islame, shtypi publicistik dhe ai fetar, beteja dhe lufta për mbrojtjen e pavarësisë, lidhen me emrin dhe veprat e Hafiz Ibrahim Dalliut. Me Kur’an në dorë dhe me pushkë nën sqetull, ai u priu vullnetarëve të Tiranës si komandant për ta mbrojtur vatanin kundër agresorëve jugosllavë.
Hafiz Ibrahim Dalliu si një figurë patriotike, i shërbeu arsimit në përgjithësi dhe atij pedagogjik në veçanti. Gjatë viteve të rinisë, pa mbushur ende 18 vjeç, në rrugë klandestine, përvetësoi alfabetin shqip dhe më 1901, së bashku me Filip Ashikun dhe Hoxhë Voglin, shërbeu si mësues i shkollës shqipe në Tiranë.
Më 1908 ai hapi shkollën e vajzave në Tiranë, ku u pregatitën mësueset e para vajza myslimane, si Servete Maçi etj. Mori pjesë në Kongresin Kombëtar për problemet e Arsimit, që u mbajt në Elbasan në shtatorin e vitit 1909. Së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Aleksandër Xhuvanin, Hafiz Ibrahim Dalliu qe nga të parët që themeloi Normalen e Elbasanit, e cila u hap me vendim të Kongresit të mësipërm.
Luigj Gurakuqi shkruan se normalja e Elbasanit kishte në themelet e saj djersen e mundin e Hafiz Ibrahim Dalliut, të Aleksandër Xhuvanit, Sotir Pecit, të tyre (të Luigj Gurakuqit, R.Z)e të atdhetarëve të tjerë.
Pas vitit 1912 Hafiz Ibrahim Dalliu iu kushtua publicistikës dhe letërsisë satirike. Më vonë drejtoi gazeten politike “Dajti”. Duke nisur nga viti 1918 deri më 1924 botoi një varg veprash satirike duke u bërë kështu ndër të parët poetë satirikë që çanë rrugën e humorit në letërsinë shqipe. Këto vepra janë “Grenxat e kuqe”(1918), “Dokrat e hinit”(1920), “Kabineti i Xhafer Ypit” (1922) etj. Shkroi gjithashtu edhe librin me vjersha patriotike “Kreshniku i atdheut”, si dhe monografine “Patriotizma në Tiranë”(1930). Por njohjen si poet ai e fitoi me elegjinë kushtuar Avni Rustemit, kurse popullaritetin e fitoi nga qëndrimi i tij stoik kundër torturave që atij i bënë pushtuesit e Shqipërisë.
Burrëria dhe heroizmi i Dalliut vihet në dukje dhe në një nga këngët e “Lahutës së Malësisë”, ku poeti Gjergj Fishta mbi të tjera shkruan: “a isht’ “Shqiptar” apo “Osmanli”, u përgjegj me trimëni: jam shqiptar me gjuh e fis.
Hafiz Ibrahim Dalliu ishte një ndër mbështetësit konseguentë të lëvizjeve demokratike të viteve 1920-1924. Vrasja e atdhetarit të shquar Avni Rustemi e brengosi pa masë. Por ai gjeti forca dhe i thuri këtij martiri të shquar, një këngë e cila gjeti jehonë jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por në mbarë viset shqiptare.
Hafiz Ibrahim Dalliu edhe më vonë u përndoq nga forcat rrebele dhe nga rregjimi komunist. Ai njohu qelitë e burgut të Manastirit, Selanikut, Tiranës. Herën e fundit e akuzuan për botimin e poemës “Grenxat e kuqe”, se ka sulmuar pansllavizmin. Por karakteri shumë i fortë, besimi në islam e ushqente atë për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë.
Vlen të përmendet edhe kontributi i tij i paçmuar gjatë viteve ’30 për botimet e shumta që bëri në shërbim të edukimit fetar. Numërohen gjithsej 15 vepra, përkthime, por shumica origjinale. Ndër të gjitha këto shquan”Tefsiri shqip i Kur’anit” në dy vëllime, përkthyer nga arabishtja.
Libra të tjerë me karakter fetar jane: “Udha muhamedane” (vepër afër 500 faqesh), botuar në Tiranë më 1936, “E lemja dhe jeta e të madhit Muhammed alejhiselam”, vepër në vargje, me një vëllim prej 238 faqesh, Tiranë, 1933, “Mësime teorike dhe praktike të besimit islam”, Tiranë, 1935 etj. Qe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit