Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta gjeni në mënyrë të përmbledhur në faqet që shkuan, por megjithatë, unë do të mundohem që në këto rreshta, ta shpreh më qartë dhe më shkurt atë.
Ne e duam Profetin (paqja qoftë mbi të) për një sërë arsyesh dhe disa nga këto arsye janë:
1- Ne e duam Profetin (paqja qoftë mbi të) sepse dashuria për të është një shfaqje e dashurisë për Allahun e Madhëruar. Dashuria për Allahun është themeli i dashurisë në fe. Allahu vetëduhet sepse Ai është Zoti, është Qenia e Përsosur Supreme. Çdo dashuri që ka të bëjë me fenë, është në vartësi të dashurisë së Allahut, siç është dashuria ndaj profetëve, engjëjve, njerëzve të mirë dhe veprave e moraleve të mira gjithashtu, të cilat Allahu i do dhe i pëlqen. Të gjitha këto dashuri janë të lidhura pas dashurisë për Allahun. Profetin (paqja qoftë mbi të) ne e duam për hir të Allahut dhe po ashtu, ne i bindemi urdhëresave të tij, po për hir të Allahut. ”Thuaj: Nëse e doni Allahun, më pasoni mua që Allahu tu dojë juve”.[18] Dashuria ndaj Allahut nuk mund të ndahet nga dashuria për Profetin e Tij, dhe dashuria ndaj Profetit, nuk mund të ekzistojë pa ndjekur rrugën dhe fenë e tij. Sa më shumë të ndjekë besimtari rrugën dhe ligjin e Profetit, aq më shumë shtohet edhe dashuria e tij për të, e aq më shumë ai e do Allahun e Madhëruar.
2- Ne e duam Profetin tonë, sepse Allahu e donte atë dhe e pati zgjedhur dhe nderuar në mes tërë krijesave të Tij. Zoti e zgjodhi atë për të qenë i Dërguari i Tij dhe e bëri atë vulën e profetëve dhe më të zgjedhurin e krijesave. Uathile ibn El-eska tregon se e ka dëgjuar Profetin (paqja qoftë mbi të) të thotë: Allahu zgjodhi Kinanen ndërmjet bijve të Ismailit, zgjodhi Kurejshët mes bijve të Kinanes, mes Kurejshëve zgjodhi Hashimitët dhe nga Hashimitët më zgjodhi mua.[19] Po ashtu, Ebu Hurejra na tregon se i Dërguari i Allahut pati thënë: Unë jam zotëria i bijve të Ademit Ditën e Kijametit, i pari njeri që do të ngrihet nga varri, i pari që do të ndërmjetësojë dhe i pari që do t’i jepet leje për ndërmjetësim.[20] Ebu Hurejra transmeton gjithashtu, se Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kur Allahu e do një njeri thërret Xhibrilin dhe i thotë: Allahu e do filanin, prandaj duaje atë, e Xhibrili e do atë dhe thërret mes banorëve të qiellit: Allahu e do filanin, ndaj duajeni atë, dhe banorët e qiellit e duan atë, e më pas ai bëhet i pranuar mes banorëve të tokës.[21] Ibn Haxher duke komentuar këtë hadith thotë: Qëllimi me fjalën pranim në këtë hadith, është pranimi i dashurisë nga ana e zemrës për këtë njeri, simpatia dhe pëlqimi i tij. Nga ky hadith kuptohet se dashuria që kanë njerëzit në zemra për dikë është një shenjë për dashurinë e Allahut ndaj tij.[22] Nëse kjo është një veçori për të gjithë të bindurit e Zotit, pa dyshim se më parësor për këtë dashuri dhe këtë pranim, është krijesa më e mirë, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të). Realiteti tregon se një fenomen i tillë është shfaqur për të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (paqja qoftë mbi të) shumë herë më fuqishëm se për çdokënd tjetër. Bota nuk ka njohur ndonjëherë një njeri, për të cilin zemrat do të drithëroheshin kaq shumë dhe do të sakrifikonin për hir të dashurisë ndaj tij, çdo gjë të shtrenjtë që kishin. Ky është pra, i Dërguari i Allahut, ndaj të cilit edhe armiqtë e tij më të ashpër treguan respekt dhe u mahnitën me të. I Dërguari i Allahut e meriton të duhet, sepse Allahu e donte atë dhe e përzgjodhi mes gjithë krijesave të Tij, për t’i dhuruar këtë mirësi të madhe, mirësinë e profetësisë.
3- Ne e duam Profetin tonë (paqja qoftë mbi të) për butësinë dhe mëshirën e madhe që ai pati me Umetin e tij. Ai ishte me të vërtetë një njeri që kujdesej së tepërmi që njerëzit të vinin në rrugën e drejtë të Zotit dhe mundohej me gjithçka për t’i shpëtuar ata nga humbja dhe shkatërrimi. Allahu i Madhëruar thotë: Vërtet që ju ka ardhur juve një i Dërguar nga vetë ju. Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim e vështirësi. Ai është i merakosur dhe i dëshiruar për ju (që të jeni të udhëzuar) dhe për besimtarët ai është që ndjen shumë, mëshirues.[23]Dhe përsëri Allahu i Madhëruar thotë: Mbase ti (O Muhamed) do ta mbytësh veten me pikëllim pse ata nuk bëhen besimtarë.[24] Dhe thotë: Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (O Muhamed) veçse si përkujtim mëshire për gjithë botët.[25] Abdullah ibn Amr ibn El-as thotë: Një herë i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) po lexonte fjalën e Allahut ku përmendet lutja e Ibrahimit (paqja qoftë mbi të) për popullin e tij: O Zoti im! Vërtet që ata (idhujt) kanë gabuar e humbur shumë nga njerëzit. Por kushdo që më ndjek mua, vërtet që ai është prej meje dhe kushdo që nuk më bindet e nuk më ndjek mua (rrugën time), atëherë Ti je vërtet gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.[26] Lexoi edhe fjalën e Allahut, ku përmendet lutja e Isait (paqja qoftë mbi të) për popullin e tij: Në qoftë se Ti i ndëshkon ata, ata janë robërit e Tu, dhe nëse Ti i fal, vërtet që Ti, Vetëm Ti je i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.”[27] Dhe pas kësaj Profeti (paqja qoftë mbi të) filloi të qante me ngashërim, ngriti duart e tij drejt qiellit dhe tha: O Zot, popullin tim! O Zot popullin tim! Dhe dyert e qiellit u hapën nga lutja e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të). Allahu i Lartësuar i thotë Xhibrilit: Shko tek Muhamedi, dhe Zoti yt e di më mirë se çka, dhe pyete! Xhibrili shkoi dhe e pyeti se çfarë kishte, dhe pasi Profeti (paqja qoftë mbi të) i tregoi, Allahu i tha Xhibrilit: O Xhibril, shko tek Muhamedi dhe thuaj: Ne do të bëjmë të gëzohesh për Umetin tënd dhe nuk do të trishtojmë.[28] Pas kësaj, Profeti (paqja qoftë mbi të) e ndërpreu të qarën.
A e shikon pra, o vëlla musliman se si i Dërguari i Allahut prekej dhe qante edhe për të mirën tënde dhe të gjithë njerëzimit. Ai lutej për mua, për ty dhe për të gjithë njerëzit, por a po e ndjekim ne rrugën e tij?! A e kemi vlerësuar siç duhet fenë e tij?! Apo mos vallë ne tallemi me rrugën dhe Sunnetin e tij të bekuar?! Sa keq, e mira konsiderohet si e keqe dhe e keqja si e mirë!
Abdullah ibn Zejd tregon: Kur Allahu i dha fitoren të Dërguarit të Tij në ditën e Hunejnit, ai filloi t’u dhuronte nga plaçka e luftës, atyre njerëzve që ishin të rinj në Islam, ndërkohë që medinasve nuk u dha gjë. Një pakënaqësi ndoshta u krijua mes tyre për shkak të kësaj gjëje, e atëherë Profeti (paqja qoftë mbi të) u foli atyre dhe u tha: O ju Ensarë! A nuk ju gjeta të humbur dhe Allahu ju drejtoi nëpërmjet meje? A nuk ishit të përçarë dhe Allahu ju bashkoi nëpërmjet meje? A nuk ishit të varfër dhe Allahu ju pasuroi nëpërmjet meje? Dhe sa herë që Profeti u përmendte ndonjë gjë, ata thonin: Allahut dhe të Dërguarit të Tij i takon merita. Profeti (paqja qoftë mbi të) u tha: Nëse do të kishit dëshiruar, do të thoshit se erdhe tek ne kështu e ashtu (dhe ne të dhamë këtë e atë).[29] A nuk do të dëshironit që njerëzit të merrnin delet dhe devetë, dhe ju të ktheheshit bashkë me Profetin në shtëpitë tuaja? Sikur të mos kish qenë Hixhreti (emigrimi) do të kisha dëshiruar të isha medinas, nëse njerëzit do të marrin një rrugë të caktuar dhe medinasit një rrugë tjetër, unë do të isha me medinasit. Medinasit për mua janë të afërm dhe njerëzit e tjerë të largët. Ju pas meje do të ndesheni me njerëz që i japin përparësi vetvetes dhe lënë mënjanë të tjerët, por bëni durim, derisa të më takoni pranë basenit![30]
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) tha: Çdo profet e ka një lutje të pranuar, dhe të gjithë profetët nxituan ta bënin lutjen e pranuar të tyre, ndërsa unë e kam ruajtur këtë lutje për të ndërmjetësuar Umetin tim, Ditën e Kijametit. Ajo lutje do të përfshijë, me lejen e Allahut, të gjithë ata që prej Umetit tim kanë vdekur duke mos i bërë ortak Allahut në asgjë.[31]
Tekstet ku tregohet butësia, mëshira dhe dashamirësia e Profetit (paqja qoftë mbi të) për Umetin e tij janë të shumta. Ai gjithmonë brengosej për popullin e tij që ata të ishin në rrugë të drejtë, në rrugën e besimit. A nuk e meriton vallë një njeri i tillë që të duhet dhe të admirohet nga mbarë njerëzimi?!
4- Ne e duam Profetin tonë (paqja qoftë mbi të) për përkushtimin që ai ka treguar në këshillimin e Umetit të tij dhe dashamirësinë që ai ka shfaqur në çdo moment për këtë Umet.
Për çdo gjë të mirë në këtë botë që u vlen muslimanëve, madje dhe të gjithë njerëzve, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të) ka nxituar të na këshillojë që ta punojmë atë, ashtu si edhe për çdo gjë të keqe në këtë botë për muslimanët dhe për tërë njerëzimin, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të) na ka këshilluar të largohemi dhe na ka paralajmëruar për rrezikun që vjen prej kësaj të keqeje. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) nuk ka vdekur pa e plotësuar misionin e tij. Allahu i Madhëruar nëpërmjet tij plotësoi mirësinë e Tij ndaj njerëzve dhe e përsosi këtë fe, ku çdo gjë në të është e qartë si vetë drita e diellit dhe vetëm një i humbur mund të devijojë nga rruga e drejtë e saj.
Njeriu në mënyrë të natyrshme e do dikë, i cili shqetësohet dhe përkujdeset për të, qoftë edhe një herë a dy herë, ndërsa nëse do të trajtojmë jetën e Profetit tonë (paqja qoftë mbi të) do të shohim se e tërë jeta e tij ishte e mbushur me dashamirësi dhe përkujdesje për Umetin e tij. Ai përpiqej me të gjitha forcat që tu mësonte njerëzve të mirën, t’i edukonte ata, t’i pajiste me moral të lartë dhe t’i ftonte në rrugën e Allahut pa përtesë, që e ardhmja e kësaj bote t’i përkiste fesë së Zotit të Lartësuar. Ishte ky njeri, ai i cili me ndihmën e Zotit i udhëzoi njerëzit në shtegun e drejtë, pasi jetonin në injorancën para islame dhe në një humbje të qartë. E nëse mëshira e Allahut nuk do t’i kishte përfshirë njerëzit me misionin e Muhamedit (paqja qoftë mbi të), ata do të kishin jetuar në detin e errësirave dhe kushedi se ku do ti kishin hedhur dallgët, pa mundur dot të gjenin bregun e duhur.
Allahu i Madhëruar thotë: Vërtet Allahu derdhi mbi besimtarët mirësi të madhe kur Ai çoi ndër ta një të Dërguar nga mesi i tyre, duke iu lexuar atyre Vargjet e Tij (Kur’anin), duke i pastruar ata (nga gjynahet e tyre) dhe duke u këshilluar atyre Librin dhe urtësinë, edhe pse para kësaj ata kanë qenë në gabim të qartë.[32]
Këtu qëndron edhe mirësia e madhe e dërgimit të këtij Profeti, vlerën e së cilës nuk është në gjendje ta përcaktojë askush, përveç atij që e ka jetuar edhe kohën e injorancës edhe të Islamit, një njeri, i cili i pa të gjitha të këqijat e kohës së injorancës para islame dhe më pas pa edhe mirësitë dhe ngritjen që solli Islami. Ai pra që njeh dallimin ndërmjet Islamit dhe Injorancës, ndërmjet rrugës së drejtë dhe mosbesimit, ai di edhe të vlerësojë madhështinë e kësaj mirësie, mirësi që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër në botë, ndaj dhe me të drejtë, një njeri i tillë do ta donte me gjithë shpirt Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe para dashurisë së tyre, nuk do të vinte askënd. Kjo ishte edhe arsyeja pse shokët e Profetit, ishin njerëzit që e donin më tepër të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të). Ata jetuan injorancën para islame dhe e panë më sy atë, dhe kur erdhi Islami, bënë dallimin ndërmjet dritës dhe errësirës dhe kështu u kapën fort pas Islamit dhe ndërkohë iu shtohej dashuria dita-ditës për këtë Profet të madh të Allahut (paqja qoftë mbi të).
Njeriu në mënyrë të natyrshme i do prindërit e tij, sepse ata janë shkaku që ai erdhi në jetë dhe sepse ata përkujdesen për të, derisa ai vetë të mund të ecë në jetë. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) meriton të duhet më tepër, sepse ai është bërë shkak që njeriu të përfitojë ashtu siç duhet nga kjo jetë, në të gjitha fushat. Nëse njerëzit nuk do të ndiqnin fenë e tij, sigurisht që ata do të ishin në një humbje të qartë, ngjashëm me kohën e injorancës para islame, gjë të cilën mund ta shohim edhe sot.
5- Ne e duam Profetin tonë (paqja qoftë mbi të) për virtytet e bukura dhe moralin e lartë që Allahu i pati dhuruar, cilësi të cilat zor se mund të mblidhen të gjitha tek një njeri i vetëm, siç u bashkuan pikërisht tek ky njeri. Sikur mrekullitë e këtij Profeti të kufizoheshin vetëm tek virtytet dhe morali i tij, pa dyshim ato do të kishin mjaftuar si argument për vërtetësinë e profetësisë së tij dhe lartësinë e mësimeve të tij. Çdokush që lexon jetën dhe veprën e tij, do të shohë sesi Profeti (paqja qoftë mbi të) në të gjitha virtytet e mira, qëndronte më lart se të tjerët, ashtu siç e përshkruan edhe Allahu kur thotë: Dhe vërtet ti (Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit.[33]
I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ishte njeriu më i moralshëm, më zemërgjeri, më i sinqerti, më bujari, më besëmbajtësi, pranë çdo të mire dhe larg çdo të keqeje, nuk fliste vetëm se të vërtetën dhe kur premtonte vetëm se e mbante atë, ishte bujar me pasurinë e tij, askujt nuk i tha jo, por u jepte njerëzve aq shumë, sikur të mos ia kishte nevojën pasurisë. Ishte trim dhe guximtar, miqtë e tij i kërkonin ndihmë në momente të vështira, i durueshëm, për hir të Allahut përballonte çdo vështirësi, vetëpërmbajtjen e kishte më të fuqishme sesa zemërimin, ai falte edhe kur të kishte në dorë, gjithmonë përgëzues, i lehtë në marrëdhënie me njerëzit, i mëshirshëm, i dashur, i butë, as i ashpër e as i vrazhdë, as njeri që bërtet dhe as njeri që e ndyn gojën… Allahu i pati dhuruar përsosmëri në moral dhe në trup, në fjalë dhe në vepra, e pati zbukuruar me urtësi dhe qetësi dhe kështu që u bë pronar i zemrave të njerëzve që e duan, i binden dhe sakrifikojnë gjithçka për të. Është më se normale që njerëzit ta duan me gjithë zemër një njeri me cilësi të tilla, sa herë e më shumë që njerëzit do të thellohen në jetën e tij, aq më tepër ata do të zbulojnë anët e mrekullueshme të moralit të këtij Profeti dhe do ta duan atë edhe më tepër. Kjo është edhe arsyeja pse shokët e Profetit ishin njerëzit që e donin atë më tepër se çdo pjesëtar i këtij Umeti, e si jo, kur ishin ata që panë me sytë e tyre këtë njeri kaq të madh.
Krijesa më e mirë e Zotit në moral dhe në trup ishte ai
Dhe më i dobishmi për njerëzit në rast nevoje
Krijesa më bujare që merrte dhe jepte ishte ai
Dhe më dorëlëshuari ndaj çdo kërkimtari
Më i madhi njeri që drejt lartësive synonte
Drejt madhështisë dhe lartësisë modest ai ngrihej
Edhe kalorësit më trima pas shpinës së tij fshiheshin
Kur lufta merrte flakë dhe shpatat vringëllinin
Justinain Topulli