Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron ka folur sot para Parlamentit në Londër, lidhur me akuzat se ai dhe babai i tij mund të kenë përfituar nga investimet jashtë vendit, duke thënë se nuk ka bërë asgjë gabim.
Ai tha se dje ka publikuar të gjitha informatat lidhur me kthimin e taksave, jo vetëm për vitin e kaluar, por për gjashtë vitet e fundit.
Ai gjithashtu ka publikuar edhe informacione të tjera lidhur me paratë e trashëguara nga familja e tij, në mënyrë që, siç ka thënë Cameron, njerëzit të shohin se nga e ka prejardhjen pasuria e tij.
“Publikimi i informacioneve për taksat e kryeministrit në këtë mënyrë është i paprecedent, por mendoj se kjo është gjëja e duhur për tu bërë. Por, të jem i qartë – unë nuk besoj se kjo duhet të aplikohet edhe te anëtarët e tjerë të parlamentit”, ka thënë Cameron.
Ai ka shtuar se është e drejtë të forcohen ligjet dhe të ndryshohet kultura rreth investimeve, për ta minimizuar dhe dekurajuar shmangien nga tatimet.