1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Kampi në Idomeni shndërrohet në një qytezë të refugjatëve me rreth 12 mijë banorë

Më të lexuarat

Kampi i improvizuar i refugjatëve në Idomeni ku janë të vendosur rreth 12 mijë refugjatë, ditëve të fundit përveç nevojave themelore për jetesën është duke zhvilluar edhe infrastrukturën. Numri i refugjatëve që largohen nga Idomeni është shumë më i ulët në krahasim me ata të sapoardhurit, pasi që çdo ditë të re kampi i refugjatëve po zgjerohet në të gjitha drejtimet, shkruan Anadolu Agency (AA).

E vetmja pengesë për refugjatët mbetet gardhi i telit i ndërtuar nga ana maqedonase, por refugjatët vazhdojnë të besojnë se një ditë do të hapet kufiri dhe nuk duan të humbasin momentin e rihapjes së tij. Ndërkohë, nga ana tjetër refuzojnë të zhvendosen në kampet e tjera zyrtare nga frika se mos dërgohen në Turqi, pas marrëveshjes mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë për të luftuar migracionit e paligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Ekipet shëndetësore që kujdesen për refugjatët në Idomeni thonë se foshnjat e para tashmë kanë lindur dhe disa të tjera pritet të vijnë në jetë së shpejti, ndërkohë që në këtë kamp ndodhen rreth 4 mijë fëmijë të moshës nën pesë vjeçare. Organizatat humanitare mundohen tu sigurojnë ushqim dhe nevojat e tjera themelore, por nga ana tjetër edhe vet refugjatët veprojnë si tregtarë, ata në hyrje të kampit shesin ushqim, vaj, fruta, cigare dhe sende të tjera primare, përfshirë edhe telefona celularë.

Osman Belag nga Iraku, i cili në hyrje të kampit shet bukë për përgatitjen e pites tregon se profesioni i tij në Irak ishte këpucëtar, por për shkak se nuk i kanë mbetur të holla, në Idomeni ka filluar një profesion tjetër për të fituar para. Ai bukën e merr nga një fermer vendas në vlerë prej 80 cent dhe e shet 1 euro.

“Unë shes rreth 200 bukë në ditë. Populli ynë nuk është i mësuar me ushqime të thjeshta si këto, por nuk kanë rrugëdalje tjetër. Nëse vazhdojmë edhe gjatë kohë të qëndrojmë këtu, ky kamp do të shndërrohet në një çarshi ku do të kemi mundësi të gjejmë gjithçka çka na nevojitet”, tha irakiani Osman Belag për AA.

Siriani Fadil Hashar, i cili mbi një muaj ndodhet në Idomeni, sapo ka filluar të punojë në profesionin e tij që në Siri e ka ushtruar për 19 vite. Ai është berber dhe thotë se për shkak se refugjatët në Idomeni ndodhen për një kohë të gjatë, u nevojitet një berber që të kujdeset për pamjen e tyre. Një prerje e flokëve dhe mjekrës te berberi Fadil Hashar kushton 5 euro.

“Mjetet për kryerjen e punës i kam blerë në Selanik. Sirianët janë pak të çuditshëm, ata kujdesen shumë për pamjen e tyre, por këtu më mungojnë shumë sende, si krem, xhel dhe sende tjera kozmetike. Shoh se këta njerëz kanë interesim të madh për pamjen e tyre, kështu që në ditët e ardhshme ndoshta do të blejë edhe sende tjera të nevojshme”, u shpreh siriani Fadil Hashar për AA.

Nga ana tjetër, organizatat ndërkombëtare kanë angazhuar punëtorë vendas për të pastruar kampet. Gjithashtu, numri i tualeteve është duke u rritur dhe në ditët e ardhshme pritet që të ndërtohen edhe barakat e para, të cilat do të furnizohen edhe me rrymë elektrike. Me këtë mund të thuhet se Idomeni është shndërruar në një qytezë të refugjatëve me rreth 12 mijë banorë.

Javën e fundit temperaturat në këtë rajon janë rritur dukshëm, ashtu që autoritetet greke vazhdojnë të apelojnë që refugjatët të tërhiqen nga kampi i improvizuar në Idomeni, për shkak të frikës për përhapjen e epidemive. Në anën tjetër, qeveria greke ka deklaruar se nuk duhet të përdoret forcë për të shpërndarë refugjatët nga Idomeni, por duhet të angazhohen persona të cilët do të bindin refugjatët të zhvendosen në kampet e tjera zyrtare, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Çdo mëngjes vërehen dy apo tre autobusë në hyrje të kampit të cilët janë angazhuar për të transportuar refugjatët, mirëpo në mbrëmje këta autobusë shumicën e rasteve kthehen të zbrazur apo rastësisht me ndonjë familje të dorëzuar, e cila kërkon kushte më të mira për jetesën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit