1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Çfarë thotë nipi i Komandant Hoxhës mbi familjen e tij?

Më të lexuarat

Arian Xhezairi është një nga figurat e mirëfillëta të komunitet mysliman në Kosovë. Ai aktualisht po jep kontribut e tij në mënyra të ndryshme duke qenë pranë njerëzve me shkrime dhe ide që bëjnë të reflektosh e të mendosh. Ai ka shkruar një shkrim të gjatë në lidhje me rënien dëshmorë të një kushëriri të afër të tij, sot kur ai ka mbushur 17 vjet nga rënia e tij heroike.
Ky është shkrimi i plotë: “Ky shkrim është shumë i gjatë. Dhë këtë që do ta bëj tani, nuk e kam bâ asnihere për 17 vite. Bile as në aplikacionin tim në 2005 për në akademinë ushtarake atë kohë në TMK, nuk kam pas nënvizue këtë të vërtetë.
Por sot, në saje të datës, rrethanave dhe momentit, mendoj që është pikërisht koha për ta shpërnda me ju të nderuem miq. Në vijim gjendet një shkëputje e familjes sime, në këtë ditë shumë me mall e emocion për ne.

Jam përplot emocione, sepse sot bëhen 17 vjet që prej kur kushëriri im Alajdin Xhezairi u bë dëshmorë i luftës së Kosovës.
Atë ditë, me në krye axhën tim Samidin Xhezairi – Komandant Hoxha dhe me bashkëluftëtarët e tjerë, patën falur namazin e Sabahut, vetëm për t’u përleshur më pas, rreth një orë më vonë, me arsenalin e forcave të shkjaut. Betejë kjo që Kosovës i kushtoi nëntë nga djemtë e saj më të bukur.
Edhe pse numëroja vetëm 13 vite, akoma më shfaqet parasysh vaji dhe dënesja ime e asaj ditë, sepse humba një shok shumë të ngushtë, i cili përkundër diferencës prej gati 10 vitesh, më merrte me vete ngado që shkonte. Ndersa sot, zemra e ndjen mungesën e tij, megjithatë Zoti e bëri shkak që të ndihem i lumtur që ishte i familjes tonë dhe që sakrifikoi për Zotin dhe për atdheun.
Por nuk është i vetmi me të cilin krenohem unë sot që bartë mbiemrin ti.
Krenohem me mixhën tim Samidin Xhezairi, i cili përkundër gjithë luftërave që bëri, e mësoi i Gjithëdijshmi që ky të reflektojë ndershmërinë e pastërti e të qëndrojë i dinjitetshëm.
Krenohem me kushëririn tim Berat Xhezairi, të cilin sakrifica për atdhe e bëri të përjetojë tortura, rrahje e malltretime për plotë katër vite ne burgjet famëkeqe të Nishit.
Krenohem me kushëririn tim Nehat Xhezairii për qëndresën e tij në betejën e Vrrinit ne 1998, për aktivizmin e tij atdhetaresk para luftës, në të dhe pas saj.
Krenohem me prindin tim doktor Ajdin Xhezairi per kontributin e tij në UÇK. Për gatishmërinë e tij që t’iu gjindej gjithmonë afër luftëtarëve të lirisë duke i mjekue, duke ofrue shërbime logjistike dhe transport për ta në rrethana kritike.
Krenohem me mixhën tim Hajredin Xhezairi dhe me kushëririn tim Muhidin Xhezairi të cilët gjithmonë ishin në gjendje gatishmërie per asistencë, roje ditë e natë, dhe shërbim të palodhshëm ndaj atdheut.
Nga 11 meshkuj të moshës madhore që kishte familja Xhezairi, tetë prej tyre aktivisht të kyçur në shërbim ndaj atdheut, në momentet kur më së shumti i duheshin këtij.
Dhe çfarë e bën akoma më të ndershme gjithë këtë shpërthim emocional tani, është e vërteta se përkundër gjithë kontributit të tyre, përpos njërit që punon si shërbyes civil, asnjëri prej tyre, për asnjë moment lëre që nuk grabitën, nuk vodhën, nuk përvetësuan as një pëllëmbë e as edhe një qindarkë të këtij kombi a këtij populli, por edhe kurrë nuk morrën as rrogë nga shteti e as pensione të invalidit apo veteranit apo ku e di unë çfarë.
Dhe tani, gjithë këtë e thash pa aspak modesti. E nëse dikush gjykon se me këtë rast unë po krenohem, atëherë më duhet të ia konfirmoj këtë.
Krenohem dhe dorën në zemër më duket pak. Krenohem për mbiemrin që kam pas nderin dhe privilegjin ta trashëgoj. Krenohem për veprën dhe sakrificën e tyre. Por më së shumti krenohem për ndershmërinë dhe dinjitetin e dëshmuem nga të gjithë që i përmenda me lartë, bile duke mos përfshi gjyshen time dhe gratë e tjera të familjes, që gatuen, u lanë uniformat dhe u përkujdesën për shumë bashkëluftëtarë të djemve apo burrave të tyre.
E si mos të krenohem, kur sot pas 17 vitesh, i bie hise llojlloj matrapazi, profiteri të luftës, grabitësi e mafiozi, të del pa turp e fare pa u skuqur, dhe të flet për vlera njerëzore a kombëtare.
Për fund, nëse deri më sot ndokush nga ju ka mundur të pyetet për reagimet e mia në shkrime, me video tek Ta Thot Vëllai apo edhe në forma të tjera, shpresoj që me këtë rast ju është bërë e qartë se përse nuk ma duron mendja por as zemra, asnjë Alma Lamë, e as Arbana Xharrë, as Blerim Latif e as Berat Buzhalë, asnjë quazi-patriot e asnjë shizofren, asnjë mafioz por asnjë sekser a hitmen, të më mbajnë leksione për etikë, për fe e për atdhe.
Dhe tani më modestinë por edhe këmbëngulësinë më të thellë, asnjë nga familjarët e mi të sipërpërmendur, nuk do t’mund ta prezervonin dinjitetin dhe modestinë, po të mos kishin marrë qysh si fëmijë edukatën fetare të mësuar nga gjyshi im Mulla Xhevat Xhezairi, dhe po të mos ishin robër të nënshtruar vetëm ndaj Krijuesit Fuqiplotë e të Urtë.
Ndërkaq me Alajdinin, e lus Zotin e Madhërishëm të na bëje të mundur takimin në botën tjetër. Atje ku shpërblimi i Allahut i pret robërit e Tij të ndershëm, dhe të durueshëm. Allahume Amin ya Rabbel Alemin!
“Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e All-llahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre.
Janë të gëzuar me atë që u dha All-llahu nga të mirat e Tij, dhe atyre që kanë mbetur ende pa i bashkuar rradhëve të tyre, u marrin myzhde se për ta nuk ka as frikë dhe as që kanë pse të brengosen.
Ata janë të gëzuar me begati e dhurata që ua dha All-llahu, e s’ka dyshim se All-llahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.”
– Kur’an, Ali Imran, 3:169-171″

1

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit