0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A ËSHTË JEZUSI ZOT ? BIBLA THOTË “JO”

Më të lexuarat

Senad Maku

Një ndër problemet më kontradiktore në historinë njerëzore është çështja e Isait (Jezusit) a.s.. A ishte ai krejtësisht hyjnor apo krejtësisht njeri?
Polemika rreth personalitetit të Jezu Krishtit është ndryshimi më i madh ndërmjet Islamit dhe Krishterimit. Ky ndryshim i mban të veçuar pasuesit e këtyre dy besimeve. Muslimanët shohin tek Jezu Krishti një profet të madh të Zotit, e duan dhe e rrespektojnë aq sa duan dhe rrespektojnë Abrahamin (Ibrahimin), Moisiun (Musain) dhe Muhamedin, si dhe të tjerët para tyre (paqa e Zotit qoftë mbi ta).
Të krishterët nga ana tjetër e quajnë Jezusin Zot ose bir i Zotit, dhe e adhurojnë si të tillë, një koncept ky që muslimanët nuk mund ta pranojnë.
Bibla, edhe pse me shtesa e ndryshime të shumta e tregon qartë se Jezusi nuk është Zot por njeri dhe i dërguar i Zotit xh.sh.

Pa humbur kohë do të theksojmë argumentet nga vet Bibla të cilat tregojnë dhe aludojnë qartazi që Jezusi nuk është Zot. Nga filimi deri në fund, Ungjijtë tregojnë qartë se Jezusi është krejt ndryshe nga natyra hyjnore e Zotit.
Le të bëjmë një krahasim në mes Zotit dhe Jezusit:

1. Zoti është i pavdekshëm.
Bibla tregon një nga cilësit e Zotit, e cila është pafillimësia dhe pavdekshmëria ku thotë: “ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm”. (1 Timoteu 6:16) “Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia”. (Psalmi 90:2) “Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund”. (Psalmi 102:27)

Kurse Jezusi vdiq.
Bibla thotë: “Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ”O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!”. Dhe, si tha këto, dha fryma”. (Luka 23:46) “por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur…”. (Gjoni 19:33) “Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën”. (Marku 15:37)

2. Zoti është i Gjithdijshëm.
Bibla thotë: “Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni”. (Mateu 6:8) “Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura. Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë”. (Isaia 42:8-9)

Kurse Jezusi nuk ishte i Gjithdijshëm.
Jezusin kur e pyëtën për ditën e fundit ai u përgjigjë: ”Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati”. (Marku 13:32 poashtu shih: Mateu 24:36) Poashtu padituria e tij ceket edhe në këtë citat tjetër biblik ku tregon se: “Dhe, duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë në se mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s’gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve”. (Marku 11:13)

3. Zoti është i Plotfuqishëm.
Bibla e tregon Zotin si Zot të Plotfuqishëm: “Unë jam Perëndia i plotfuqishëm…”. (Zanafilla 17:1) “… Perëndi i plotfuqishëm”. (Ekzodi 6:3)

Jezusi ishte i pafuqishëm.
Por Jezusi tregohet i pafuqishëm: “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime”. (Gjoni 5:30) “Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta, duke thënë: “O Krisht, profetizo! Kush të ra?”. (Mateu 26:67-68) “Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë force”. (Lluka 22:43) Për më tepër , Jezusi nuk u ringjall vetë nga të vdekurit, por ishte Perëndia ai që e ringjalli, citoj: “Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!” (Veprat e Apostujve 2:32). Këtu tregohet se kush është Perëndia i vërtetë. po të ishte Jezusi Zot, a nuk ka mundur që ta ringjall vehten??!! .

4. Zoti nuk lodhet dhe nuk flen.
Bibla thotë: “Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme”. (Isaia 40:28) “Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle“. (Psalmi 121:4)

Por Jezusi ishte lodhur, por edhe ka fjetur sikur edhe ne.
Bibla thotë: „Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë posit“. (Gjoni 4:6) “Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte”. (Mateu 8:24) “Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk”. (Marku 4:38)

5. Zoti nuk mund të shihet.
Bibla aludon qartë se Zoti nuk mund të shihet dhe që kërkush nuk e ka parë: “Dhe tha akoma: “Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë”. (Ekzodi 33:20) “Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij…”. (Gjoni 5:37) “Askush s’e pa Perëndinë kurrë…”. (Gjoni 1:18) “Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë”. (1 Gjonit 4:12)

Jezusi jetoj në mesin e njerëzve
Kurse Jezusin e kanë parë dhe ka qendruar në mesin e njerëzve, ka pas familje, ka qen i dërguar i Zotit, etj., ku bibla vetë tregon për këtë: “A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda?”. (Mateu 13:55) “Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë”. (Gjoni 6:14) “Ata i thanë: ”Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit”. (Luka 24:19) Kurse te 1 Gjoni 1:1 thekson që njerëzit e panë Jezusin dhe e prekën atë.

6. Zoti nuk është njeri dhe nuk jeton në tokë.
Bibla thotë: “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet”. (Numrat 23:19) “Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t’i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë”. (Jobi 9:32) “Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!”. (1 Mbretërve 8:27)

Jezusi ka qenë njeri, bir i njeriut dhe ka jetuar në Nazaret.
Bibla thotë: ”Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!”. (Luka 23:47) “Erdhi Biri i njeriut, që ha dhe pi…”. (Mateu 11:19) “Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: ”Biri i njeriut do t’u dorëzohet në duart e njerëzve”. (Mateu 17:22) “dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: ”Ai do të quhet Nazareas”. (Mateu 2:23) “Ata i thanë: ”Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit”. (Luka 24:19)

7. Zotit i takon adhurimi.
Bibla thotë: “Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij”. (Mateu 4:10) “Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht”. (Mateu 6:6)

Jezusi nuk adhurohet.
Kurse Jezusin nuk e kanë adhuruar, Jezusi ka urdhëruar që të adhurohet vetëm Perëndia, sepse edhe ai e ka bërë një gjë të tillë: “ndërsa po lutej, qielli u hap”, “Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej”, ” Jezusi po lutej në vetmi”, “dhe ra në gjunj dhe lutej”, “shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë” (Lluka 3:21/ 5:16/ 9:18/ 22:41/ 6:12), “Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej” (Mateu 26:39) Nëse Jezusi është Zot. A i lutet Zoti Zotit ??!!
Poashtu dishepujt kërkuan nga Jezusi si të luteshin, por ai ju tregoj si të luten jo atij, por Perëndisë, ku thotë: “Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij”. (Mateu 4:10) “Dhe ai u tha: ”Kur të luteni, thoni: “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë. Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme. Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu”. (Luka 11:2,4)

8. Zoti nuk tundohet nga e keqja.
Bibla thotë: „Askush kur tundohet të mos thotë: ”Jam tunduar nga Perëndinë”, sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri“. (Jakobi 1:13)

Jezusin e ka tunduar djalli.
Bibla thotë: „Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte“. (Mateu 4:1) „dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satanai“. (Marku 1:13)

Jezusi ia mohoi vetes mundësinë dhe dëshiren, në bibel tregohet: „Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka. Dhe ai i tha: ”Çfarë do?”. Ajo u përgjigj: ”Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde”. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ”Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ”Po, mundemi”. Atëherë ai u tha atyre: ”Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im”. (Mateu 20:20-23) “…por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar”. (Gjoni 14:31) “Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur”. (Marku 7:24) Sikur Jezusi të ishte nga origjina e babait, pra Zot sic pretendojnë ata, atëher ai duhet të jetë njësoj si Ati në dëshirë dhe mundësi.

Këto ishin disa krahasime në mes Zotit dhe Jezusit. Pra, nga këto citate që cekëm, logjikoni vet me arsyen tuaj, a mund të jetë Jezusi Zot?
Poashtu kemi edhe citate tjera biblike ku tregojn se Jezusi nuk është Zot, dhe që vet Jezusi me fjalët e tij e tregon:

a) „Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar. Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë“. (Gjoni 5:30,31)
b) „Ati është më i madh se unë”. (Gjoni 14:28)
c) “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar”. (Gjoni 13:16)
d) “Jezusi i tha: ”Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj”. (Gjoni 20:17)
e) “Dhe kur t’i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë”. (1 Korintasve 15:28)
f) „Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të tij, siç edhe vet e dini“. (Veprat e apostujve 2:22)
g) „Edhe rashë përpara këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha: ”Ruaju se e bën, unë jam bashkëshërbëtori yt si dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jezusit. Perëndinë adhuroje! Sepse dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë“. (Zbulesa 19:10)
h) “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”. (Gjoni 17:3)

Ka edhe me djetra dhjetra citate biblike që e hjedhin poshtë hyjninë e Jezusit. Vërtet nuk dojnë koment këto citate.
Në të vërtetë para 2000 vjetëve Jezusi profetizoi se njerzit do ta adhuronin më kot dhe do ta besonin në doktrina të krijuara nga njerëzit dhe jo nga Perëndia:
“Por në padobi ata më adhurojnë mua, duke mësuar urdhëresa të shpikura nga njerëzit”. (Mateu 15:9) poashtu tha: “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë”. (Gjoni 8:32)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit