3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Bukuria e Islamit në transmetimin e lajmit

Më të lexuarat

Ndër informacionet më interesante të ditëve të sodit janë ato që kanë të bëjnë me raportet martesore të personaliteteve të njohura – VIP.  Kur besimtari musliman përqendrohet në raste të këtilla, atëherë ai duhet që të jetë i kujdesur dhe të jetë në hap me Kur’anin dhe sunetin e Pejgamberit a.s., për arsye se „njeriut do t’i mjaftonin gënjeshtrat nëse do ta përcillte, madje, vetëm atë që do ta dëgjonte.“ Kështu na mësonte më i miri i njerëzimit, Muhammedi, alejhis-selam.

O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë. (El-Huxhuratë, 6)

Sherif Ahmeti, fjalën fasik e ka përkthyer si i pandërgjegjshëm, por ajo mund të ketë edhe kuptime të tjera si mëkatarë, i pafe, i pamoralshëm, i prishur, etj.

Allahu i Madhërishëm me këtë nuk iu drejtohet bimëve, kafshëve apo natyrës së vdekur. Ai me këtë iu drejtohet njerëzve – krijesave më të zgjedhura, madje jo çdo njeriu, por vetëm atyre që besuan Atë, melaqet e Tij, librat e Tij, pejgamberët, Ditën e Gjykimit, si dhe caktimin e Tij. Me fjalë të tjera, Allahu na drejtohet neve. Na fton dhe kërkon prej nesh që çdo lajm, njoftim, risi, deklaratë të mos e pranojmë pa i kushtuar vëmendje. Përkundrazi, Ai na urdhëron që në mënyrë kritike t’i vështrojmë, respektivisht t’i sqarojmë, t’i zbardhim, deri sa t’i dallojmë qartësisht.

Sot, duke shfrytëzuar internetin, mediat elektronike dhe ato të shtypura, informacionet përhapen shumë shpejt. Vallë, a keni pyetur ndonjëherë se  kush janë ata që plasojnë lajme dhe informacione të tilla? Natyrisht, këta janë njerëz të zakonshëm, nga mishi dhe gjaku. Ka prej tyre që janë të moralshëm, të sinqertë, të ndershëm dhe të drejtë, mirëpo ka prej atyre që nuk janë të rallë, e që janë të pafe, të pamoralshëm, të prishur dhe mëkatarë, prej të cilëve, Allahu i Madhërishëm, në ajetin e cituar, na lajmëron që të jemi të kujdesshëm.

„Njeriut do t’i mjaftonin gënjeshtrat nëse do ta përcillte, madje, edhe vetëm atë që do ta dëgjonte“, janë fjalët me të cilat shumë qartë, i dashuri ynë, Muhammedi a.s., na udhëzon. Se sa jemi besnikë ndaj këtyre fjalëve, përgjigjen le ta gjejmë te vetë ne.

Çfarë lajmesh lexohen më se tepërmi sot, ose cilat lajme përhapen më shpejt? Lajmet e mira apo të këqijat? Sa herë keni lexuar apo dëgjuar se dikush ia ka shpëtuar dikujt jetën? A kujdeset ndonjë për parkun apo për pastrimin e anëve të lumit? A ka studentë që kanë notë mesatare 10? A ekzistojnë tek ne familjet e lumtura, lagjet e ndërtuara, kompanitë e suksesshme? A ka në mesin tonë tolerancë ndëretnike dhe ndërfetare? Gjithsesi se të gjitha këto ekzistojnë, por për to pak apo shumë pak flitet.

E pse të flitet kur kjo aspak nuk i shkon për shtati djallit dhe pasuesve të tij? Këtyre me tepër u konvenon dhe janë të kënaqur kur përhapen informacionet dhe lajmet mbi tradhtitë bashkëshortore dhe dashuriçkat e tyre të njëpasnjëshme, mbi korrupsionin, hajninë, përleshjet ndëretnike, e të ngjashme.

Ndër informacionet më interesante dhe më bombastike të ditëve të sodit janë ato që kanë të bëjnë me raportet martesore të personaliteteve të njohura – VIP.  „Ai tradhtoi atë, ajo tradhtoi atë, filani e filania janë ndarë, filania ka gjetur një dashnor të ri“, e shumë e shumë shembuj dhe raste të ngjashme.

Njeriu bashkëkohorë të gjitha këto i dëgjon apo i lexon, andaj dhe nuk mund të qëndrojë i qetë, porse duhet marrë një qëndrim në lidhje me këtë.

Kur besimtari musliman merr qëndrim në lidhje me këto raste, atëherë ai duhet që të jetë i kujdesur dhe të jetë në hap me Kur’anin dhe sunetin e Pejgamberit a.s., për arsye se mund të bie në telashe të mëdha. Lajmi se ndonjëri ka bërë prostitucion, sidomos nëse do të ishte i martuar, është i rrezikshëm sikur një sëmundje.

Një lajm të tillë duhet besuar ashtu që mos të  ngelet edhe një gjurmë e vogël dyshimi në vërtetësinë e tij. Përse? Për arsye se njeriu, i cili akuzon një besimtare për prostitucion, ndërkohë që nuk i posedon katër dëshmitarë (të cilët sot vështirë se mund t’i gjesh), sipas Kur’anit dënohet me katërdhjetë të rëna dhe prej tij më nuk pranohet dëshmia.

Pejgamberi a.s., këtë mëkat e ka radhitur në mesin e shtatë mëkateve të cilat e shkatërrojnë njeriun. E si mund të mos e shkatërronte kur ky gjest bart me vete dëme të mëdha dhe pasoja të paparashikueshme për personin i cili është nën akuzë?!

Prandaj, pasur parasysh përditshmërinë tonë, është e domosdoshme që ndaj saj të sillemi drejtë. Ekzistojnë tri mënyra të mundshme: E para, menjëherë t’i besohet lajmit të tillë, e dyta, të verifikohet mirë, dhe e treta, të shfaqim mosinteresim për të.  E para, vetvetiu, është e papranueshme, për shkak se bie ndesh me tekstet e shenjta, e dyta edhe sikur të donim nuk mund të arrinim ta vërtetonim dhe ta fusnim në praktikë, kështu që për ne ngel e treta, që të mbetemi të përmbajtur, sepse nga bukuria e Islamit është që njeriu të lë mënjanë atë që atij nuk i sjellë kurrfarë dobie.

Autor:
Elmir Mashiq

Burimi:
Preporod.com

Përktheu:
Mehas Alija

(Islampress)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit