0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Merkel, thirrje gjermanëve kundër anti-semitizmit

Më të lexuarat

Fatkeqësisht, antisemitizmi është shumë shpesh i dukshëm në shoqërinë tonë, deklaroi Angela Merkel në fjalimin e saj të përjavshëm, ku kujtoi se Gjermania ka ende një detyrim madhor: t’i rezistojë gjuhës së urrejtjes e të respektojë Kushtetutën.

Kancelarja u bëri thirrje 81 milionë banorëve të vendit të mos bëjnë kompromis me rezistencën ndaj ndjenjave antisemite, duke i kërkuar çdo të rrituri të ndërhyjë, nëse sheh shenja të këtij fenomeni nëpër shkolla apo gjetkë.

E një rëndësie kyçe për Merkelin është fshirja e mesazheve të urrejtjes në mediat sociale. Pak kohë më parë, të njëjtin pretendim shfaqi ministri i Drejtësisë, Heiko Maas, i cili tha se Facebook-u duhet t’i fshijë statuset raciste e ksenofobe, ashtu siç heq postimet me përmbajtje nuditeti.

Tendenca të tilla, për shefen e ekzekutivit gjerman, janë shtrirë te të rinjtë e porsambërritur, nga vende ku urrejtja kundër Izraelit apo hebrenjve ka qenë mbizotëruese.

“Antisemitizmi në Gjermani është më i përhapur nga sa mund të mendohet, e për t’i bërë ballë këtij fenomeni, duhet kaluar në veprim, duhet luftuar e nuk duhet lejuar asnjë kompromis”, tha Merkel.

Komentet e Merkelit paraprijnë çeljen e një ekspozite arti në Muzeun gjerman të Historisë, në Berlin. Aty do të paraqiten 100 objekte nga Jad Vashemi, memoriali kushtuar 6 milionë hebrenjve të vrarë nga nazistët.

Për Merkelin, fakti që drejtuesit e Jad Vashemit pranuan të bëheshin pjesë e kësaj nisme ishte një tregues i qartë besimi, i cili u kujton gjermanëve “përgjegjësinë e tyre të përjetshme” për holokaustin. “Është e rëndësishme, – theksoi kancelarja, – që çdo brez të përballet me historinë tonë, në mënyrë që të rinjtë të kuptojnë kontributet e shumta të hebrenjve në shkencën, kulturën dhe zhvillimin ekonomik të Gjermanisë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit