Hurmat përmbajnë sheqer, yndyrë dhe proteina, poashtu edhe vitamina të rëndësishme. Hurmat janë shumë të pasura për nga ndërtimi i tyre i brendshëm. Mjekësia moderne ka treguar se ato janë mbrojtës nga kanceri abdominal. Hurmat gjithashtu i tejkalojnë frutat e tjera për nga shumëllojshmëria e përbërjes. Ato përmbajnë yndyrë, kalcium, sulfur, hekur, kalium, fosfor, mangan, bakër dhe magnezium. Me fjalë të tjera, një hurmë është minimumi i një diete të shëndoshë. Arabët zakonisht i kombinojnë hurmat me qumësht dhe jogurt ose bukë, gjalpë dhe peshk. Ky kombinim në të vërtetë e bën dietën të vetëmjaftueshme dhe të shijshme për mendjen dhe trupin.
Rëndësinë e hurmës dhe të drunjve të tyre e tregon fakti se ato janë të përmendura më shumë se 20 herë në Kur’anin Famëlartë.
Muhamedi a.s. i krahasonte muslimanët e mirë me drunjtë e hurmave, duke thënë: “Në mes të drunjve është një dru, sikurse muslimani; gjethet e tij nuk bien.”
Arsyeja kryesore pse njerëzit ndjenjë uri është mungesa e sheqerit në gjak e jo barku i zbrazët, siç mendohet. Kur trupi merr ushqim esencial prej disa hurmave, ndjenja e urisë bëhet e pandieshme. Kur ndokush e then agjërimin me disa hurma dhe merr ushqim tjetër pas kësaj, ai nuk do të jetë në gjendje për të ngrënë shumë. Për këtë muslimanët në përgjithësi bëjnë iftar me ngrënien e hurmave.
Transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse ndokush nga ju është agjërueshëm le të bëjë iftar me hurma, në qoftë se nuk ka hurma, atëherë me ujë. Vërtet uji është pastrues.”
Merjemja, nëna e Isait a.s., i ka përdorur hurmat si ushqim të saj, kur ajo vuante nga dhimbjet e lindjes dhe gjatë kohës kur ishte lehonë. Tani, eksperimentet tregojnë se hurmat përmbajnë stimulues që fuqizojnë muskujt e uterusit në muajin e fundit të shtatzënisë. Kjo ndihmon në dilatacionin (zgjerimin) e uteruesit dhe në të njëjtën kohë zvogëlon gjakderdhjen pas një lindjeje në tjetrën. Dietikët konsiderojnë se hurmat janë ushqimi më i mirë për lehonat dhe ato që janë duke u dhënë gji fëmijëve. Kjo sepse, hurmat përmbajnë elemente që asistojnë në lehtësimin e depresionit te nënat dhe pasurojnë qumështin e nënës me të gjitha elementet e nevojshme për t’a bërë fëmijën të shëndoshë dhe rezistent ndaj sëmundjeve. I Dërguari, alejhi selam, ka veçuar rëndësinë e hurmave dhe ndikimin e tyre në rritje të fetusit dhe ka propozuar që t’i përdorin sidomos gratë, për shkaqet që u thanë më sipër.
Hurmat janë ushqim ideal që lehtë tretet, dhe brenda gjysmë ore pas ngrënies së tyre trupi i lodhur rigjenerohet dhe rimerr fuqinë. Duke u mbështetur në disa transmetime Muhamedi, alejhi selam, i ka rekomanduar hurmat si barëra për ata që ankojnë nga ç’rregullime të zemrës. Gjithashtu, shkenca moderne ka vërtetuar efektshmërinë e hurmës si mbrojtës nga sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes dhe institutet bashkëkohore për dietë rekomandojnë që fëmijët të cilët ankojnë nga nervoziteti natyror apo hiperaktiviteti të marrin hurma.
Ajshja, r.a., gruaja e të Dërguarit, alejhi selam, ka porositur të përdorin hurma ata që ankohen nga marramendja dhe vet ajo ka përdorur kombinimin e hurmave me tranguj për të shtuar peshën e saj. Ajo thoshte: “Kanë provuar të m’a shtojnë peshën dhe të më japin gjithçka për këtë, por unë nuk shtova peshë. Duke përdorur kombinimin e hurmave të pjekura dhe trangujve unë ia arrita.” Ajshja kishte të drejtë, ngase siç e dimë 1 kg hurma përmban përafërsisht 3000 kalori, të cilat veçmas janë të mjaftueshme për furnizim të kërkesave ditore të njeriut aktiv për një ditë të plotë.
Hurmat janë të pasura me kalcium dhe për këtë ndihmojnë në formimin e eshtrave. Hurmat janë gjithashtu të rëndësishme në mbajtjen e shëndetit të syve. Ato janë mjaft efektive në ruajtjen kundër territ të natës.
Hurmat janë stimulimi më i mirë për muskuj dhe poashtu edhe ushqimi më i mirë për ushtar gjatë angazhimit në beteja. Muhamedi, alejhi selam, i përdorte të gjitha llojet e hurmave, por lloji më i preferuar quhej Ajvah (lloji më i mirë i hurmave).
Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Kush i ha shtatë hurma në mëngjes, atë ditë nuk do të sëmuret nga helmi, as nuk do ta zërë magjia.” Kjo sepse, ngrënia e hurmave në mëngjes, në lukth të zbrazët, i mbyt parazitët e zorrëve, ngase hurmat kanë veti antidote (kundërhelmuese) dhe nëse përdoren rregullisht, ato kufizojnë dhe dobësojnë mundësinë e zhvillimit të larvave të parazitëve në traktin digjestiv.
Pra, hurmat klasifikohen si ushqim, lëng, frut, ëmbëlsirë, substancë ushqyese dhe ilaç.
Përgatiti: Fexhrie Kaçiu/pertymoter/kohaislame