3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

SHQIPËRI – PËRFUNDOI TRAJNIMI I TRUPAVE TË POLICISË USHTARAKE NGA PALA ITALIANE DHE TURKE

Më të lexuarat

Në poligonin e stërvitjes në garnizonin e Zall-Herrit u zhvillua të enjten pasdite ceremonia e përfundimit të trajnimit të efektivave të Policisë Ushtarake nga ekspertë të Karabinierisë Italiane dhe nga specialistë të Forcave Speciale turke.

Pas një përmbledhjeje të paraqituar nga nënkolonel Bedri Qoli, zëvëndëskomandant i Policisë Ushtarake, ku të pranishmit u njohën me detajet e zhvillimit të kësaj stërvitjeje, pjesëmarrësit ndoqën një varg demonstrimesh nga efektivat e Policisë Ushtarake, ku mund të veçojmë qitjet me pistoletë dhe automatikë, veprimet për shoqërimin dhe sigurimin e personaliteteve VIP, veprime në operacionet e kërkim-shpëtimit në kushte të ndryshme terreni, si dhe mjaft elementë të tjerë stërvitor, të cilat efektivët e Policisë Ushtarake i kryejnë në operacionet paqeruajtëse.

Në të gjitha këto veprime u evidencua qartë përkushtimi, disiplina dhe profesionalizmi i trupave të Policisë Ushtarake të trajnuara gjatë kësaj periudhe nga pala italiane dhe ajo turke.

Pas përfundimit të demonstrimeve, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, duke përshëndetur të pranishmit në këtë aktivitet u shpreh se, “në planëzimin e kësaj stërvitje Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm ka pasur si synim kryesor të harmonizojmë dhe të realizojë dy elementë shumë të rëndësishëm, që në thelbin e tyre kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve kushtetuese të Forcave të Armatosura ndaj vendit tonë, si dhe ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut”.

Më tej gjeneralmajor Gjunkshi theksoi se, qëllimi i stërvitjes ishte i dyfishtë: nga njëra anë përgatitja për të bërë vlerësimin dhe certifikimin e një njësie të Policisë Ushtarake e deklaruar si “NATO pool of forces”, e cila pritet që së afërmi të dislokohet në misionet e Aleancës dhe nga ana tjetër me një njësi të dytë synimi kryesor ishte rritja e nivelit të aftësive profesionale dhe personale në përmbushjen e detyrave operacionale”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, falenderoi për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer që kanë dhënë për realizimin e kësaj stërvitje atashetë ushtarakë të Italisë dhe të Turqisë, ekipin e DIE-s, të Dakok-ut, si dhe homologët e tij, shefin e Shtabit të Italisë, gjeneralin Biagio Abrate dhe shefin e Shtabit të Turqisë, gjeneralin Necdet Özel.

Me këtë rast efektivat e Policisë Ushtarake të trajnuara në këto kurse u përshëndetën edhe nga atasheu ushtarak italian, gjeneral brigade Vito Dell’Edera dhe atasheu ushtarak i Turqisë, kolonel Zafer Ugur, të cilët kanë vlerësuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë stërvitje për kontributin e dhënë dhe rezultatet e arritura, duke shënuar një tjetër një hap të rëndësishëm drejt arritjes së standardeve operacionale të parashikuara nga NATO për këto forca.

Në fund të ceremonisë, nga pala shqiptare iu dhanë çertifikata ekspertëve italianë dhe turq që drejtuan këtë stërvitje, ndërsa pala italiane dhe ajo turke ka shpërndarë çertifikata për të gjithë efektivat që morën pjesë në stërvitjen një mujore.

Ndërsa nga data 11 qershor deri më datën 13 korrik Policia Ushtarake, në bashkëpunim me Qendrën e Stërvitjes të Brigadës së Dytë të Karabinierëve në Livorno, Itali dhe Forcat Speciale të Turqisë zhvilloi trajnimin e nënreparteve të saj për kryerjen e detyrave në operacionet paqeruajtëse, operacionet e emergjencave civile dhe kryesisht në operacionet e kërkim-shpëtimit në kushte të ndryshme të terrenit dhe motit.

Në këtë trajnim u angazhuan rreth 76 forca dhe 5 mjete të Policisë Ushtarake, të cilat u trajnuan gjatë një periudhe një mujore në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale në Zall-Herr dhe 22 efektivë të Batalionit të Këmbësorisë Malore të Vaut të Dejës.

Stërvitjet e zhvilluara do t’i shërbejnë përgatitjeve për vlerësim dhe për çertifikimin e nënreparteve të Policisë Ushtarake të deklaruar “NATO Pool of Forces”, që do të kryhet së afërmi në stërvitjen “BIZA 2012”. Procesi i vlerësimit kryhet nga Grupi i vlerësimit i ngritur pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i monitoruar nga NATO.

Policia Ushtarake aktualisht ka në mision në Kabul të Afganistanit Kontingjentin e Parë Paqeruajtës, i cili është nën komandën turke, si dhe në përbërje të misioneve të tjera paqeruajtëse që dërgojnë Forcat e Armatosura ka edhe nga dy përfaqësues të policisë ushtarake.trt/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit