1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Siguria dhe vlera e saj në Islam

Më të lexuarat

Siguria dhe rehatia janë ndër mirësitë më të çmuara që na janë dhënë nga Allahu i Madhërishëm. Allahu këtë mirësi ia dha fisit Kurejsh, siç e ka përmendur në shumë ajete kur’anore, ku thotë:

“Vallë, a nuk e shohin ata se si Ne u kemi dhënë atyre një vend të shenjtë e të sigurt (Mekën), ndërkohë që njerëzit rreth tij po grabiten? A mos vallë ata besojnë në gjëra të kota, ndërsa dhuntitë e Allahut i mohojnë?!” (El-Ankebut: 67)

Gjithashtu Allahu i Madhërishëm thotë: “Ata thonë: “Nëse ndjekim udhëzimin së bashku me ty, së shpejti do të jemi të dëbuar nga vendlindja”. Vallë, a nuk ua kemi mundësuar, që të jetojnë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen fruta të llojllojshme, si ushqim prej Nesh? Por shumica e tyre nuk e dinë.” (El-Kasas: 57)

Pra, siguria dhe rehatia janë nga dhuntitë më të mëdha të Allahut ndaj robërve. Në këtë dhunti njeriu e gjen veten të sigurt dhe kryen obligimin e tij në profesionin ku punon, shkon e vjen i sigurt dhe i qetë. Kur Allahu ua dhuroi këtë mirësi kurejshëve, i urdhëroi që ta adhurojnë vetëm Atë si falënderim. Për këtë Allahu thotë në Kur’an:

“(Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh. Për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë. Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes), i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.” (Sure El-Kurejsh)

Kur Kurejshët e përgënjeshtruan të Dërguarin e tyre, e kundërshtuan Allahun dhe nuk e falënderuan për dhuntinë që ua kishte dhënë, Allahu sigurinë ua ktheu në frikë e pasiguri, ngopjen e tyre në uri, siç thotë Allahu i Madhërishëm:

“Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë. Vërtet, atyre u erdhi një i Dërguar nga radhët e tyre, por ata e quajtën për gënjeshtar dhe i goditi dënimi, ngaqë ishin të padrejtë.” (En-Nahl: 112-113).

Ndërsa kur besimtarët e realizuan të drejtën e Allahut, duke e veçuar Atë në adhurim, Allahu ua zëvendësoi frikën me siguri, qetësi e rehati dhe realizoi premtimin që u kishte dhënë në fjalën e Tij:

“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëj mëkëmbës në Tokë, ashtu siç i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që pas kësaj mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.” (En-Nur: 55)

Allahu ua përkujtoi atyre dhuntinë e sigurisë që u kishte dhuruar. Allahu thotë:

“Dhe kujtohuni kur ishit pak në numër, ishit të dobët në tokë e kishit frikë se njerëzit (mosbesimtarët) do t’ju gllabëronin! Ai ju strehoi dhe ju forcoi me ndihmën e Tij e ju dha shumë të mira, që ju ta falënderoni. (El-Enfal: 26)
Allahu i ka urdhëruar besimtarët që ta ruajnë dhuntinë e sigurisë, të rehatisë e qetësisë, duke i dalë përballë çdokujt që dëshiron ta rrezikojë sigurinë e tyre apo të krijojë kaos në mesin e tyre, qofshin këta muslimanë apo jomuslimanë, individë apo grupe. Allahu thotë:

“Pa dyshim se ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që bëjnë shkatërrime në tokë është të vriten ose të gozhdohen, ose t’u këputen duart dhe këmbët tërthorazi, ose të dëbohen nga vendi. Ky ndëshkim është poshtërim për ata në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër për ata do të ketë dënim shumë të madh.” (El-Maide: 33)

Ky ajet quhet ajeti i -el-hirabe- luftimit. Lufta është e kundërta e paqes, e cila është shpëtim nga çdo e keqe dhe e dëmshme dhe sigurim i shpirtit dhe i pasurisë.

Disa juristë të fesë, el-hirabe e kanë përkufizuar kështu: Dalja e një grupi të armatosur në vendin islam për të shkaktuar kaos, për derdhjen e gjakut, marrjen e pasurisë, çnderimin e njerëzve, shkatërrimin e të mbjellave, duke kërcënuar kështu fenë, moralin, rendin dhe ligjin. Nuk ka dallim që ky grup të jetë nga muslimanët apo jomuslimanët përderisa i shkaktojnë këto trazira në vendin islam dhe përderisa e bëjnë këtë ndaj atyre që gjakun e kanë të mbrojtur.

Nëse këto krime i kryen edhe vetëm një person, ai konsiderohet njeri që duhet të luftohet. Kjo dukuri ndryshe quhet edhe “bllokim i rrugës apo plaçkitje” sepse kur ndodh kjo, njerëzit u shmangen rrugëve nga frika se mos vriten, se mos u merret pasuria apo se mos çnderohen.I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është distancuar nga ai që mban armë dhe del në rrugë duke frikësuar njerëzit e sigurt.

I Dërguari alejhi selam ka thënë: “Kush na drejton armët nuk është prej nesh.” (Mutefekun alejhi) Ky njeri nëse nuk e ka pasur nderin në këtë botë që të cilësohet si musliman, nuk do ta ketë këtë nder as pas vdekjes sepse secili ringjallet në atë që ka vdekur. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Kush del nga respektimi (i ligjit) duke u larguar nga xhemati (bashkësia) e pastaj vdes, ai do të vdes me vdekje të injorancës.” (Muslimi)

Me të vërtetë Allahu e ka nderuar njeriun, e ka krijuar me Dorën e Tij, i ka dhuruar shpirtin, i ka urdhëruar melaiket që t’i bien në sexhde (formë nderimi), ia ka nënshtruar çfarë ka në qiej e në tokë, i ka dhënë fuqi e dhunti në mënyrë që ta udhëheqë tokën dhe të arrijë në piedestalet më të larta të mundshme si nga ana materiale ashtu edhe ajo shpirtërore. Mirëpo njeriu nuk mund t’i realizojë qëllimet e veta dhe ta arrijë kulmin përveç nëse i ofrohen të gjitha kushtet e ngritjes dhe nëse merr të gjitha të drejtat që i takojnë. E drejta e tij themelore që Islami ia ka garantuar është e drejta e jetës. Kjo është e drejtë e shenjtë dhe në asnjë mënyrë nuk lejohet të keqpërdoret shenjtëria e saj. Allahu thotë:

“Mos e mbytni njeriun që Allahu e ka ndaluar (mbytjen e tij) përpos kur është me vend (ligj).” (El-En’am: 151)
Gjithashtu thotë: “Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë! Ne u sigurojmë ushqim atyre dhe juve. Vërtet, vrasja e tyre është gjynah i madh.” (El-Isra: 31)

Kjo ndalesë është e vërtetuar në të gjitha ligjet e mëparshme. Allahu e ka bërë të ligjshëm kisasin[1] edhe për ata që ishin para nesh si ndalim dhe frikësim për derdhjen e gjakut dhe vrasjen e njerëzve pa të drejtë. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Izraelit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve. Të Dërguarit tanë u sollën shenja të qarta, por shumë nga ata, edhe pas kësaj, i kaluan tërë kufijtë me të këqija në tokë.” (El-Maide: 32). Na ka urdhëruar me atë që i kishte urdhëruar edhe ata që ishin para nesh. Allahu thotë:

“O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi për vrasje: i liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën. Ai (vrasës) që falet nga farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin më të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit. E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, do të marrë një dënim të dhimbshëm.” (El-Bekare: 178)

Në Islam nuk është i çmuar vetëm shpirti i muslimanit, por i muslimanit dhe jomuslimanit në mënyrë të barabartë. Nuk vritet muslimani vetëm me diçka që e obligon vrasjen e tij, d.m.th. siç e ka përmendur Allahu në shumë ajete fjalën “vetëm me të drejtë”. Gjithashtu nuk vritet jomuslimani vetëm se me atë që e obligon vrasjen e tij. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka konsideruar shumë të rëndë vrasjen e padrejtë të jomuslimanit që jeton në paqe me muslimanët. Për këtë ka thënë: “Kush vret atë të cilit i është dhënë besa (jomusliman), ai nuk do ta nuhasë erën e xhennetit, edhe pse era e tij nuhatet nga dyzet vjet larg.” (Buhariu)

Ndërsa për atë që vret një besimtar pa të drejtë Allahu ka thënë:
“Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” (En-Nisa: 93)

Hadithe të shumta kanë ardhur që tregojnë për madhërimin e të drejtave të muslimanit, ruajtjen e gjakut të tyre dhe qartësimin e dënimit mbi ata që e bëjnë të kundërtën.

Ebu Bekri radijallahu anhu thotë se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj është i ndaluar për ju, ashtu siç është e ndaluar kjo ditë e juaja, në këtë vend tuajin, në këtë muaj të ndaluar. Allahun do ta takoni dhe Ai do t’ju pyesë për veprat tuaja, mos u zmbrapsni pas meje si femohues ose të humbur, që ta vrisni njëri- tjetrin.” (Mutefekun alejhi)

Nafiu tregon se Ibën Umeri një ditë e shikoi Qaben dhe tha: “Sa e çmuar që je dhe sa e shenjtë që je, por besimtari është më i shenjtë tek Allahu sesa ti.” (Tirmidhiu)

Ebu Hurejra radijallahu anhu tregon se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Largohuni nga shtatë gjërat shkatërruese.” I thanë: “Cilat janë ato o i Dërguari I Allahut?” Tha: “Bërja shok Allahut, magjia, vrasja e shpirtit që e ka ndaluar Allahu, pos me të drejtë, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja nga fronti i luftës, shpifja ndaj grave të ndershme besimtare e të gjora.” (Mutefekun alejhi)

Ibën Umeri radijallahu anhuma thotë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Besimtari vazhdon të ketë hapësirë në fenë e tij përderisa nuk derdh gjakun e ndaluar.” (Buhariu)

Bera’ ibën Azibi radijallahu anhu thotë se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:”Shkatërrimi i botës është më i lehtë tek Allahu sesa të vritet një besimtar pa të drejtë.” (Tirmidhiu, Albani e ka saktësuar.)

Ebu Seid el-Hudriu thotë se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:”Sikur banorët e qiellit dhe të tokës të binin në ujdi që ta vrisnin një besimtar, Allahu do t’i fuste në zjarr që të gjithë.” (Tirmidhiu, e ka saktësuar Albani.)

Për shkak të rëndësisë dhe shenjtërisë së gjakut, gjëja e parë që Allahu do të gjykojë mes robërve është gjykimi në gjakra, siç tregon për këtë hadithi: “Çështja e parë që do të gjykohet mes robërve Ditën e Gjykimit është çështja e gjakrave.” (Mutefekun alejhi)

Këto ishin disa hadithe që tregojnë për dënimin e vrasësit që vret dikë tjetër, por cili është dënimi i atij që vret veten? Vetëvrasja është mëkat i madh dhe dënimi për të është i hidhur. Në hadithin që e transmeton Ebu Hurejra, i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë:
“Ai që e vret veten me hekur, atë hekur do ta ketë në dorë duke e futur në barkun e tij në zjarrin e xhehennemit duke qëndruar ashtu përgjithmonë. Ai që e vret veten me helm, helmin do ta ketë në dorë duke e marrë atë në zjarrin e xhehennemit përgjithmonë. Ai që e hedh veten nga një vend i lartë dhe vritet, ai do të hidhet ashtu në zjarrin e xhehennemit përgjithmonë.” (Mutefekun alejhi)

Ky ishte dënimi i atij që vetëvritet. Si qëndron puna nëse ai vetëvritet duke hedhur veten në erë dhe shkakton vrasjen e të tjerëve, muslimanë ose jo? Ky vetëvrasës ka kryer tre krime: ka vrarë veten, ka vrarë muslimanin dhe jomuslimanin, gjaku i të cilit është i mbrojtur, prandaj i meriton të gjitha dënimet që u përmendën më herët. Nëse shpërthimi i tij sjell vrasjen e më shumë njerëzve, atëherë për çdo shpirt do të ketë dënim të veçantë.

Nga madhëria e Islamit dhe lehtësia e tij është se edhe gjatë kohës së luftës e ka kufizuar luftën vetëm mes ushtarëve dhe e ka ndaluar rreptësisht që lufta të tejkalojë nga mejdani i saj te njerëzit që janë të sigurt e të qetë nëpër faltoret e tyre, nëpër shtëpitë dhe tregjet e tyre. Ibën Umeri radijallahu anhuma thotë: “Kaloi i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem pranë një gruaje të vrarë gjatë çlirimit të Mekës, pastaj tha: “Kjo nuk do të luftonte (kundër nesh)”, pastaj ndaloi nga vrasja e grave dhe fëmijëve.” (Mutefekun alejhi)

Në bazë të këtij arsyetimi (ajo nuk do të luftonte), dijetarët kanë thënë se iu bashkëngjitën këtij rregulli gratë, fëmijët, shërbyesit e faltoreve, haxhilerët, pleqtë, të sëmurët dhe të tjerë të cilët janë distancuar nga lufta, që ndryshe quhen qytetarë, prandaj duhen respektuar ata dhe pasuria e tyre. Duke u nisur nga kjo, ne i kundërshtojmë të gjitha shpërthimet që ndodhin sot në vendet muslimane dhe jomuslimane sepse këto shpërthime kanë për qëllim qytetarët e rëndomtë, të cilët janë të sigurt. Islami, siç e thamë, e ndalon në mënyrë të prerë vrasjen e qytetarëve në gjendje lufte, kështu që kuptohet si qëndron çështja në situata sigurie dhe paqeje.

Marrë nga revista “Tevhid”, numër 107
Përktheu me disa ndryshime: Mr. Fidan XHELILI

/pertymoter/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit