4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Agim Shahini mashtroi bankat, tash pritet të përballet me ligjin

Më të lexuarat

Bankat komerciale Raiffeisen dhe TEB nuk po mund t’ia marrin assesi borxhin prej 750 mijë eurove, kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahinit.
Këto dy banka tani e pesë vite e akuzojnë Shahin për mashtrim në marrje të kredive, shkruan Gazeta Fjala.

Madje për shkak të mos gatishmërisë së të parit të AKB-së që t’ua kthejë paratë këtyre institucioneve financiare, është ngritur edhe aktakuzë e kallëzime penale ndaj Shahinit.

Kallëzimi penal nga banka është dorëzuar në prokurorinë publike komunale në Mitrovicë në vitin 2010.

Megjithëkëtë, gazeta merr vesh se deri tani në Gjykatën Themelore të Mitrovicës nuk është mbajtur asnjë seancë.

Shahini kishte marrë kredit në vlerën e 500 mijë euro nga banka Raiffeisen në vitin 2007, duke lënë si hipotekë mallin e kompanisë së tij “Besarti Company”.

Kjo kompani të cilën kreu i AKB-së e kishte themeluar që nga viti 1990 merret me shitjet me shumicë e pakicë të pajisjeve elektro-shtëpiake, pijeve e produkteve të duhanit dhe artikujve tjerë shtëpiakë e ushqimorë.

Por kur erdh koha që ndaj bankës të paguhej për kreditin e marrë, ai arriti t`i ikë pagesës.

Raiffeisen Bank e ka konfirmuar se ky borxh që Shahini e ka ndaj tyre ende nuk është paguar.

Iliriana Tahiraj Zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun tha për Gazetën Fjala se borxhi që ky klient e ka ndaj bankës nuk ka pasur mundësi të realizohet.

“Për shkak se paluajtshmëritë e hipotekuara nuk kanë qenë ato të cilat i ka deklaruar, respektivisht janë tjetërsuar”, tha Tahiraj.

Shahini ka arritur të mashtroj bankën duke e ndryshuar pronarin e hipotekave. Përmes një vendimit të ish gjykatës komunale të Mitrovicës e ndërron titullarin e pronës, duke e bartur tërë pasurinë në emër të vëllait.

Kështu banka nuk mund t`i marrë hipotekën pasi që pronar të pasurisë e njeh vetëm Shahini, i cili edhe e ka marrë kredinë.

Shahini 250 mijë eurot të tjera i mori kredit edhe nga banka TEB. Në të njëjtën mënyrë veproi edhe me të, nuk i ktheu obligimin.

Gazeta ka provuar të kontaktoj edhe me Agim Shahinin mirëpo ai nuk është përgjigjur në thirrje.

Aktakuzë dhe kallëzim penal ndaj Shahinit

Sipas Tahirajt për këtë arsye, Banka Raiffeisen ka paraqitur kallëzim penal por deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim nga gjykata përkatëse.

Kallëzimi penal nga banka është dorëzuar në prokurorinë publike komunale në Mitrovicë më 5 maj të vitit 2010, e që duke u bazuar në këtë kallëzim penal, në dhjetor 2013, prokuroria nisi hetimet ndaj Agim Shahinit.

Zyrtarja për informim tha se në parim nuk mund të ofrojnë detaje të tjera duke qenë se rasti është në Gjykatë.

Megjithëkëtë, gazeta merr vesh se deri tani në Gjykatën Themelore të Mitrovicës nuk është mbajtur asnjë seancë në lidhje me rastin e Raiffeisen.

Shahini ka edhe një tjetër çështje të hapur në institucionet gjyqësore. Banka TEB ka ngritur aktakuzë në Prokurorinë publike të Mitrovicës në muajin mars të 2012-ës.

Sipas kësaj aktakuze Shahini dhe dy vëllezërit e tij e kishin mashtruar bankën, pasi që e kishin tjetërsuar pasurinë e kompanisë së tyre “Besarti Company” që e kishin lënë peng për të marrë një kredi në vlerë prej 250 mijë eurove.

“Ata të tre së bashku akuzohen se kanë dëmtuar qëllimshëm “TEB Bank”-ën”.

Banka TEB nuk ka kthyer ende përgjigje në pyetjet e Gazetës lidhur me këtë çështje.

Firma Besarti Company përmes së cilës kryetari i AKB-së arriti t`i marrë nga të dy bankat komerciale tani në regjistrat e biznesit në Ministri të Tregtisë figuron në emër të vëllait të tij, Bashkimit Shahinit.

Por pavarësisht akuzave Shahini vazhdon të udhëheqë me Agjencionin Kosovarë të Bizneseve.

AKB-ja është pjesë e trupave të përbashkëta qeveri-biznes që kanë për qëllim përmirësimin e mjedisit afarist në Kosovë./Gazeta Fjala/.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit