3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kuçi nuk e ka ndërmend ta lë politikën

Më të lexuarat

Parlamenti i Kosovës ka miratuar në parim Kodin Penal pa nenet që cenojnë lirinë e mediave. Në këtë mënyrë u plotësuan kërkesat e gazetarëve dhe iu hap rrugë kthimit të Hajredin Kuçit në Qeveri. Ai tha se nuk e ka ndërmend ta lë politikën.

Hajredin Kuçi si duket nuk e ka ndërmend ta lë në baltë Hashim Thaçin. Pas heqjes së neneve, që konsideroheshin të rrezikshme për lirinë e medias nga Kodi Penal në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, në një prononcim për “Express”, Kuçi e ka lënë të hapur mundësinë të kthehet në postet nga të cilat dha dorëheqje.

 “Unë jam njëri që nuk e ka ndërmend me lanë Kosovën edhe që do me kanë aktiv në politikë, por unë po flas për momentin dhe nuk mundem me komentu asgjë më shumë pa e ditur se çka ka ndodhur në Kuvend”, ka thënë Kuçi.

 Ai ishte zotuar se do t’i largojë nenet 37, 38 dhe 39, në të kundërtën do të largohej nga qeveria, gjë të cilën edhe e bëri pasi që Kodi së bashku me ato nene në muajin qershor u miratua me shumicë votash.

 Por, largimi nga Qeveria nuk i ka pëlqyer Kreut të Qeverisë. Të enjten Thaçi ka rikthyer Kodin Penal në Kuvend së bashku me një projektligj, me të cilin kërkoi shfuqizimin dhe heqjen e neneve kontestuese, kërkesë kjo e cila u miratua të enjten nga deputetët.

 Me këtë u miratua edhe kërkesa e vazhdueshme e gazetarëve për heqjen e neneve që cenojnë lirinë e medias, derisa është hapur edhe rruga për kthimin e Kuçit.

 Ky i fundit nuk e mohoi një mundësi të tillë, duke u shprehur i pakënaqur me debatin që është krijuar rreth kthimit apo jo të tij në qeverisje.

 “Nuk jam i interesuar që të debatoj për këtë çështje, unë do ta shqyrtoj qysh është gjendja dhe çka është gjendja dhe mund t’ ju them se asnjë arsye tjetër s’kam pas me dhanë dorëheqje, veç në raport me këto, domethënë me nenet”, ka thënë Kuçi për Express.

 Ai tha se do të shqyrtojë atë që ndodhi me nenet para se të fillojë ndonjë diskutim për kthimin e tij. “Nuk e di çka ka vendos Kuvendi, a është leximi i parë apo i dytë dhe unë çdo vendim të Kuvendit e respektoj dhe pastaj do të diskutojmë se çka e qysh do t’ia bëjmë”, tha ai.

 Projektligji për ndryshimin e Kodit Penal, respektivisht shfuqizimin e tri neneve që gazetarët konsiderojnë se cenojnë lirinë e medias, u miratua në parim të enjten me 59 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë tash pritet që vlerësimin e tij rreth ligjshmërisë së këtij vendimi të japë edhe Komisioni funksional i Kuvendit në leximin e dytë të projektligjit./kohaislame


- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit