Pse Hamasi nuk duhet të çarmatoset sipas kushteve të Izraelit

Më të lexuarat

Procesi nuk synon paqen, por ndryshimin e ekuilibrit në favor të Izraelit

Ahmed Asmar, Daily Sabah

Sa herë që zhvillohen negociata për një armëpushim në Gaza, në qendër të debatit rikthehet e njëjta kërkesë: çarmatosja e Hamasit. Për shumë vëzhgues lind pyetja nëse dorëzimi i armëve do t’i jepte fund luftës dhe do të lehtësonte vuajtjet e popullsisë palestineze.

Por, kjo pyetje e thjeshton një konflikt shumë më kompleks. Kërkesa për çarmatosje krijon përshtypjen sikur Izraeli i ka respektuar të gjitha kushtet e armëpushimit dhe pengesa e vetme që mbetet është refuzimi i Hamasit.

Kjo nuk përputhet me realitetin, pasi Izraeli i ka vazhduar operacionet ushtarake dhe shkeljet e marrëveshjeve edhe pas nënshkrimit të armëpushimeve. Nga ana tjetër, çështja e armëve të rezistencës nuk është vetëm një vendim organizativ apo ushtarak, por lidhet me të gjithë projektin kombëtar palestinez dhe me të drejtën për t’i rezistuar pushtimit.

Kërkesa izraelite për çarmatosjen e Hamasit nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë. Ajo synon dobësimin e plotë të rezistencës palestineze dhe krijimin e kushteve që Izraeli të vendosë një rend të ri politik në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Në diskursin ndërkombëtar, është krijuar një formulë e thjeshtë: “Dorëzoni armët dhe do të ketë paqe”. Por kjo qasje shmang problemin kryesor – pushtimin dhe konfliktin politik – duke e paraqitur Hamasin si pengesën e vetme për stabilitetin.

Sipas së drejtës ndërkombëtare, popujt nën pushtim gëzojnë të drejtën për rezistencë. Për këtë arsye, çarmatosja shihet si një kërkesë që palestinezët të heqin dorë nga çdo mjet vetëmbrojtjeje pa marrë asnjë garanci për fundin e pushtimit apo për krijimin e një shteti të pavarur.

Në këto kushte, unë parashikoj dy skenarë të mundshëm. Nëse Hamasi pranon të çarmatoset, organizata do të humbte rolin e saj politik dhe ushtarak, ndërsa Izraeli do ta kishte më të lehtë të impononte një rend të ri në territoret palestineze.

Nëse Hamasi refuzon, Izraeli do ta paraqiste atë si pengesën kryesore të paqes dhe do ta përdorte këtë argument për të vazhduar operacionet ushtarake dhe për të fituar mbështetje ndërkombëtare. Dhe në të dyja rastet, çështja palestineze do të dilte e dobësuar.

Vendimi për armët nuk i takon vetëm Hamasit. Ajo është një çështje kombëtare që duhet të vendoset me konsensus mes forcave palestineze, pasi lidhet me historinë e gjatë të konfliktit dhe me identitetin politik të palestinezëve.

Gjatë dialogut ndërpalestinez janë diskutuar edhe alternativa, si ruajtja ose ngrirja e armëve të rënda nën mbikëqyrjen e palëve neutrale, por jo sipas kushteve të vendosura nga Izraeli, të cilat do t’i shërbenin objektivave të tij strategjikë.

Në përfundim, pyetja e vërtetë nuk duhet të jetë “Pse nuk çarmatoset Hamasi?”, por “Pse palestinezëve u kërkohet të heqin dorë nga e drejta për vetëmbrojtje pa marrë asnjë garanci për lirinë e tyre?”.

Armët e rezistencës nuk janë shkaku i konfliktit, por pasojë e tij. Për sa kohë që vazhdon pushtimi dhe palestinezëve u mohohen të drejtat themelore, si vetëvendosja, kthimi në tokat e tyre dhe krijimi i një shteti sovran, kërkesa për çarmatosje do të shihet si një kërkesë për dorëzim dhe jo si një rrugë drejt paqes.

Për më tepër, çarmatosja e rezistencës palestineze nuk do të ndikonte vetëm në të ardhmen e tyre, por do të krijonte edhe një precedent që mund të ndryshonte ekuilibrat e fuqisë në të gjithë Lindjen e Mesme. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit