Ministri izraelit i Financave, Smotrich e quan planin “historik”, duke thënë se “do të lehtësojë krijimin e dhjetëra vendbanimeve të paligjshme në territorin e pushtuar”
Qeveria e Izraelit ka miratuar mbi 1 miliard shekelë (334 milionë dollarë) për të ndërtuar dhe përmirësuar rrugët që lidhin vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan mediat izraelite, transmeton Anadolu.
Kanali 7 i Izraelit raportoi sot se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu miratoi fondet për financimin e rrugëve të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese që lidh dhjetëra vendbanime të paligjshme të autorizuara nga Kabineti i Sigurisë gjatë luftës.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, udhëheqës i partisë së ekstremit të djathtë, Sionizmi Fetar, e përshkroi vendimin si “historik”. Ai tha se financimi do të lehtësonte krijimin e dhjetëra vendbanimeve të paligjshme në “lokacione strategjike” në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.
Smotrich shtoi se plani shumëvjeçar përfshin planifikimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja, zgjerimin e infrastrukturës ekzistuese të transportit, lidhje më të forta ndërmjet vendbanimeve ilegale dhe masa shtesë sigurie.
OKB-ja e konsideron Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, si territor të pushtuar palestinez dhe pohon se vendbanimet izraelite atje janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Që nga 8 tetori 2023, Izraeli ka kryer gjenocid në Rripin e Gazës duke vrarë mbi 73 mijë palestinezë dhe plagosur mbi 173 mijë të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.
