Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Washingtoni po rikthen atë që ai e quajti “bllokada iraniane” dhe propozoi vendosjen e një tarife prej 20 për qind për ngarkesat që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, në këmbim të mbrojtjes amerikane të kësaj rruge strategjike detare, transmeton Anadolu.
“Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe do të mbetet e hapur, me ose pa Iranin”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Ne po rikthejmë bllokadën iraniane, e quajtur kështu sepse ajo ndalon vetëm anijet ose klientët e Iranit që të hyjnë ose të dalin. Të gjitha vendet e tjera do të kenë përdorim të drejtë dhe të hapur të ngushticës”, tha Trump.
Trump tha se SHBA-ja do të ofrojë siguri për këtë rrugë ujore dhe do të kërkojë rimbursim nga operatorët e transportit të mallrave.
“SHBA-ja, nga ky moment e tutje, do të njihet si ‘roja e Ngushticës së Hormuzit’, por si e tillë dhe për hir të drejtësisë, do të rimbursohet me një normë prej 20 për qind për të gjitha ngarkesat e transportuara, për çdo kosto të nevojshme për të kryer detyrën e sigurimit të mbrojtjes dhe sigurisë në këtë pjesë shumë të paqëndrueshme të botës”, shkroi ai.
Ai tha se zbatimi i kësaj mase do të fillojë menjëherë.