Si Kurani, ashtu edhe Bibla, flasin për besimin, moralin, jetën shoqërore, marrëdhëniet njerëzore me pushtetin, drejtësinë, korrupsionin e elitave, historinë e popujve e të mbretërve, si dhe për përballjet e profetëve me ta.
Këta libra flasin, pa diskutim, edhe për qeverisjen e mirë dhe të keqe, sepse feja, nëse nuk përfshihet në jetën reale të njerëzve, nuk është më fe, por thjesht një ritual i izoluar nga përgjegjësia morale dhe shoqërore.
Prandaj është absurde të përjashtosh Kuranin nga politika, siç bën nga padija deputeti Taulant Balla, i cili, njësoj si Kryeministri, i thotë të njëjtit hoxhë të mos i kalojë muret e xhamisë!
Padijen fetare të politikanëve tanë, të mbrujtur për dekada me afetarizëm, mund ta kuptoj. Por injorimin e historisë sonë politike e kombëtare, të mbushur me hoxhallarë e priftërinj, që kanë qenë pjesë e pandarë e jetës publike dhe e shtetformimit shqiptar, nuk mund ta kuptoj ndryshe, veçse si trashëgimi të ligë të dashakeqësisë komuniste ndaj fesë.
