Dje po lexoja librin Sijer A’lam en-Nubela dhe fjalët e Abdullah ibën el-Mubarekut për Imam Malikun vazhdojnë të më jehojnë në vesh edhe sot. Ai tha:
“Nuk kam parë njeri të ngrihet në pozitë si Maliku ibën Enesi. Ai nuk shquhej për agjërime të shumta e as për namaze të shumta, por kishte një fshehtësi tëjn̈çç sinqertë me Allahun.”
⸻
O miku im,
Kur Imam Maliku e shkroi El-Muvattanë, i thanë:
— Çfarë nevoje kanë njerëzit për këtë libër, kur librat e hadithit janë të shumtë?
Ai u përgjigj:
“Ajo që bëhet për Allahun, mbetet.”
Dhe Maliku ishte i tëri për Allahun, prandaj El-Muvatta mbeti.
⸻
O miku im,
Nuk ka gjë më të dashur tek Allahu sesa një vepër e mirë e fshehtë, të cilën robi e mban vetëm mes vetes dhe Zotit të tij.
Një vepër që sytë nuk e shohin për ta lavdëruar dhe veshët nuk e dëgjojnë për ta përmendur.
E bën atë pa pasur në zemër askënd tjetër përveç Allahut, duke qenë i bindur se tek Ai nuk humbet asnjë vepër.
Një sadaka e vazhdueshme që nuk e regjistrojnë kamerat.
Disa rekate nate, ndërsa familja jote mendon se je duke fjetur.
Borxhe që ua shlyen njerëzve të zhytur në borxhe, pa i njohur ata dhe pa të njohur ata ty.
Kujdesi për një jetim, i cili nuk do ta dijë se kush e sponsorizoi, përveçse Ditën e Kiametit.
⸻
O miku im,
Meditoje fjalën e Imam Malikut:
“Ajo që bëhet për Allahun, mbetet.”
Një shkrim që e publikon vetëm nga dashuria për Allahun dhe në mbrojtje të fesë së Tij.
Allahu ua vë në shërbim mijëra njerëzve që ta shpërndajnë, ta përcjellin dhe ta çojnë në mbarë botën, ndërsa ti je ulur në shtëpinë tënde.
Një libër që e shkruan pa pasur në zemër askënd tjetër përveç Allahut, duke shpresuar që Ai ta bëjë shkak për kthimin e një pendimtari, ngushëllimin e një të pikëlluari, përkëdheljen e shpirtit të një zemërthyeri dhe udhëzimin e një të humburi.
Ti ndërron jetë, por Allahu e lë atë të jetojë për ty.
Një pemë që e mbjell për Allahun.
Allahu e mban atë në këmbë si një mal, i jep bereqet dhe ua drejton njerëzit drejt saj, që ti të fitosh shpërblim. Dikur ishte vetëm një filiz i vogël, por sepse u mboll për Allahun, ajo mbeti.
Një pus që e hap për Allahun.
Ndoshta shpërblimi i tij do të jetë një gllënjkë ujë nga dora e Pejgamberit ﷺ.
Askush nuk është më besnik në premtim se Allahu.
Një shkollë për mësimin e Kuranit që e financon.
Ti vetë ndoshta nuk pate mundësi ta mësosh Kuranin përmendësh, por Allahu sjell aty njerëz që e mësojnë. Engjëjt shkruajnë në regjistrin tënd shpërblimin e secilit prej tyre.
⸻
Ajo që bëhet për Allahun, mbetet.
Kush do ta kishte menduar se libri Rijadus-Salihin do të shitej në libraritë e Parisit dhe Londrës?
Por Allahu e pa zemrën e Imam Neveviut, u kënaq me të dhe ia bëri librin të jetojë.
Po kështu, nuk është rastësi që zemrat lidhen me librin Medarixhus-Salikin, sepse më parë zemra e Ibën Kajimit ishte lidhur fort me Allahun.
As nuk është çudi që Ibën el-Xheuzi ndërroi jetë, ndërsa libri i tij Sajdul-Hatir vazhdon të jetojë. Sepse ai që është për Allahun, Allahu është për të.
Imam Ahmedi lutej:
“O Allah! Ma merr shpirtin pa më njohur askush prej krijesave të Tua.”
Por kur Allahu e pa zemrën e tij dhe se ai nuk e dëshironte famën, bëri që pas vdekjes së tij të mos mbetej i panjohur për askënd.
⸻
O miku im,
Kujtoje gjithmonë:
“Ajo që bëhet për Allahun, mbetet.”
Paqja qoftë mbi zemrën tënde.
Ed-hem Sherkavij
