Kur mesazhi i fesë kufizohet vetëm në fjalë që mbahen mbi minber, thirrja islame e humb vazhdimësinë e saj natyrore në jetë. Xhamia shndërrohet në një vend vetëm për ligjërata, e jo në një qendër për formimin e individit musliman, ndërsa hutbeja bëhet një zë kalimtar dhe jo një forcë që ndryshon realitetin. Kriza e umetit sot nuk qëndron te mungesa e fjalëve për fenë, por te dobësia në shndërrimin e fesë në mëshirë që ecën mes njerëzve, në drejtësi që ata e prekin, në solidaritet që ua lehtëson nevojat dhe në edukim që i mbron fëmijët nga humbja. Këtë e përmbledh qartë fjala e Allahut të Lartësuar:
“Ne të kemi dërguar ty vetëm si mëshirë për botët.” (El-Enbija, 107).
Pra, në thelbin e saj, shpallja synon të prodhojë ndikim real që lehtëson vuajtjet dhe ndërton individin.
Në konceptin islam, imami nuk është një punonjës që kryen vetëm namazet, as një lexues tekstesh dhe as një hatib që e përfundon detyrën sapo zbret nga minberi. Përkundrazi, kur ai zbret mes njerëzve, jeton me ta dhe ndërvepron me ta, shndërrohet në zemrën që rreh për shoqërinë, në edukator të mendimit, reformues të familjes, udhërrëfyes shpirtëror, mësues të fëmijëve, edukues të rinisë dhe ndërgjegje të gjallë të lagjes ku jeton. Pikërisht këtu lind nevoja për rikthimin e funksionit qytetërues të imamit-thirrës: të kalojë nga udhëheqja e safëve në udhëheqjen e halleve të njerëzve, dhe nga drejtimi i namazit në drejtimin e reformës shoqërore.
Në përvojën profetike, xhamia nuk ishte një kënd i izoluar nga shoqëria, por një qendër edukimi, reformimi, solidariteti, konsultimi, formimi burrash, përkujdesjeje për të dobëtit dhe lidhjeje të njerëzve me kuptimet e besimit në çdo aspekt të jetës së tyre. Suneti profetik vendosi themelet e përgjegjësisë së ndërsjellë dhe solidaritetit të plotë, siç ka thënë Pejgamberi ﷺ:
“Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë e tyre ndaj njëri-tjetrit është si shembulli i një trupi: kur një gjymtyrë sëmuret, i gjithë trupi i përgjigjet me pagjumësi dhe temperaturë.”
(Transmeton Muslimi.)
Prandaj, imami që nuk e njeh xhematin e tij, nuk pyet për mungesën e tyre, nuk viziton të sëmurët, nuk përpiqet të plotësojë nevojën e të varfrit dhe nuk dëgjon pyetjet e të rinjve, mund të jetë një ligjërues i suksesshëm, por ende nuk e ka arritur kuptimin e plotë të imamllëkut, i cili mbështetet mbi kujdesin ndaj njerëzve dhe mëshirën për ta, duke ndjekur shembullin e Pejgamberit ﷺ, i cili pyeste për shokët që mungonin dhe vizitonte të sëmurët e tyre.
Ky rol fillon duke njohur njerëzit: emrat e tyre, familjet, dhimbjet, krizat dhe nevojat e fshehta. Lagjja nuk përbëhet nga numra dhe xhemati nuk është një grup fytyrash që kalojnë në saf. Pas çdo namazliu fshihet një histori, pas çdo shtëpie një sprovë, pas çdo të riu një pyetje, ndërsa pas çdo familjeje një frikë, një dobësi ose një nevojë për dikë që t’ia zgjasë dorën. Kur imami afrohet me këto realitete, thirrja islame shndërrohet nga një ligjërim i përgjithshëm në një trajtim të dobishëm.
Më pas, funksioni i tij zgjerohet në ndërtimin e një shoqërie solidare. Ai bëhet urë lidhëse mes të pasurit dhe të varfrit, mes atij që ka përvojë dhe atij që ka nevojë, mes atij që ka mundësi dhe atij që nuk ka, si edhe mes nismave bamirëse dhe atyre që presin ndihmë. Nuk mjaftohet vetëm duke ua kujtuar njerëzve vlerën e sadakasë, por organizon mënyrat e shpërndarjes së saj, ruan dinjitetin e nevojtarit dhe e shndërron mirësinë individuale në një rrjet të vetëdijshëm mëshire, duke zbatuar fjalën e Allahut:
“Besimtarët dhe besimtaret janë mbrojtës të njëri-tjetrit; urdhërojnë për të mirën dhe ndalojnë nga e keqja.” (Et-Teube, 71).
Kjo mbrojtje nuk është vetëm ndjenjë, por solidaritet i fortë dhe ndihmë praktike. Kështu, xhamia bëhet një institucion i sigurisë sociale, po aq sa është vend adhurimi.
Një nga fushat më të rëndësishme të këtij imamllëku është kujdesi për rininë. Të rinjve nuk u mjaftojnë këshillat nga larg; ata kanë nevojë për dikë që e kupton gjuhën e tyre, dialogon me dyshimet e tyre, u përgjigjet dilemave, i ndihmon të luftojnë epshet dhe u hap dyert e parimeve, burrërisë, punës dhe shembullit të mirë. Nëse imami nuk e gjen të riun në xhami, atë do ta gjejnë platformat digjitale, ideologjitë devijuese, epshet dhe boshllëku. Ndërtimi dhe mbrojtja e kësaj kategorie është një dobi që përfshin të gjithë shoqërinë, në përputhje me udhëzimin profetik që i dha rëndësi të veçantë rinisë dhe e lidhi devotshmërinë e saj me hijen e Arshit Ditën e Kiametit, siç thuhet në hadithin e shtatë kategorive që Allahu do t’i strehojë nën hijen e Tij:
”…dhe një i ri që është rritur në adhurimin e Allahut.”
(Buhariu dhe Muslimi.)
Kjo e obligon imamin të krijojë një mjedis edukativ dhe të sigurt për ta.
Roli i imamit nuk plotësohet derisa ai të jetë i pranishëm edhe në çështjet e drejtësisë dhe mëshirës: të mbështesë të shtypurin, të solidarizohet me çështjet e drejta, të zgjojë te njerëzit ndjenjën e përkatësisë ndaj umetit pa u zhytur në ekstremizëm dhe t’i edukojë ata për ta mbështetur të vërtetën me urtësi, e jo me thirrje emocionale të përkohshme. Një thirrje që nuk zgjon mëshirë ndaj të dobëtëve mbetet e mangët, sado e bukur të jetë gjuha e saj. Përkrahja e të shtypurit dhe pengimi i padrejtësisë janë parime themelore të Sheriatit, prandaj imami duhet të jetë balsam për plagët e shoqërisë dhe të umetit të tij.
Në vendet perëndimore, ky funksion bëhet edhe më i rëndësishëm. Atje imami nuk është vetëm imam i xhamisë, por një nga shtyllat e ruajtjes së identitetit islam, orientimit të integrimit, mbrojtjes së familjes muslimane, përfaqësimit të komunitetit dhe kuptimit të ligjeve e institucioneve të vendit. Ai duhet ta njohë mirë komunitetin mysliman, shkollat, komunën, institucionet mbështetëse dhe problemet e brezave të rinj, në mënyrë që komuniteti të mos mbetet mes dy skajeve: izolimit që ruan formën, por humbet ndikimin, ose shkrirjes që ruan jetesën, por humbet mesazhin. Synimi është dëshmia qytetëruese e Islamit pa cenuar parimet e pandryshueshme të fesë.
Rikthimi i funksionit të plotë të imamit-thirrës fillon me një vetëdije të thjeshtë, por të thellë: feja nuk zbriti që të mbetet mbi minber, por që të zbresë në shtëpi, në tregje, në zemra, në marrëdhënie dhe në vendet ku njerëzit vuajnë. Kur imami afrohet me njerëzit, njeh plagët e tyre, bashkon energjitë e tyre, udhëzon rininë, kujdeset për familjet dhe bëhet dëshmitar i çështjeve të tyre, imamllëku rifiton kuptimin e tij të parë: udhëheqjen e njerëzve drejt Allahut përmes përmirësimit të jetës së tyre, e jo vetëm përmes ligjëratave të shkëputura nga realiteti.
Allahu ka urtësi të pafundme në krijimin e Tij.
Hasan Abbas
