Bashkëpunimi ushtarak mes Beogradit dhe Tel Avivit po arrin nivele rekord…
Biseda telefonike e së hënës mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç ka rikthyer vëmendjen te marrëdhënia gjithnjë e më e afërt mes Serbisë dhe Izraelit.
Dy liderët diskutuan situatën në Lindjen e Mesme, sfidat globale të sigurisë dhe mënyrat për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Por pas deklaratave zyrtare qëndrojnë interesa më të gjera politike, ekonomike dhe ushtarake.
Vuçiç deklaroi se gjatë bisedës u shkëmbyen mendime mbi mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se të dy palët konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar një dialog të hapur dhe të drejtpërdrejtë.
Megjithatë, afrimi mes Beogradit dhe Tel Avivit nuk është vetëm diplomatik. Ai është shoqëruar me një rritje të ndjeshme të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Serbia dhe Izraeli kanë intensifikuar marrëdhëniet ushtarake në vitet e fundit, veçanërisht përmes tregtisë së armëve dhe municioneve. Eksportet serbe të pajisjeve ushtarake drejt Izraelit u rritën rreth 42 herë që nga viti 2023, duke arritur në rreth 114 milionë euro deri në fund të vitit të kaluar.
Kjo shifër tregon peshën që ka marrë sektori i mbrojtjes në marrëdhëniet mes dy vendeve. Për Serbinë, bashkëpunimi me Izraelin përfaqëson një mundësi për zgjerimin e tregjeve të industrisë së saj ushtarake, e cila ka një traditë të gjatë prodhimi që nga periudha e ish-Jugosllavisë.
Për Izraelin, Serbia është një partner në një rajon strategjik si Ballkani, ku çështjet e sigurisë dhe ekuilibrat politikë mbeten të rëndësishëm. Por kjo afërsi ka nxitur shumë kritika.
Në një kohë kur operacionet ushtarake izraelite në Gaza kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, ekspertë të Kombeve të Bashkuara kanë kërkuar kufizimin e furnizimeve ushtarake drejt Izraelit, duke ngritur shqetësime për përdorimin e mundshëm të këtyre pajisjeve në konflikt.
Përtej aspektit ushtarak, marrëdhënia Vuçiç-Netanyahu ka edhe një dimension politik. Beogradi kërkon të ruajë marrëdhënie të mira me Izraelin në çështje të rëndësishme diplomatike, ndërsa Tel Avivi sheh Serbinë si një partner me peshë në Evropën Juglindore.
Në këtë panoramë të re të ekuilibrave të sigurisë në rajon, marrëdhënia Serbi-Izrael shihet nga disa analistë edhe përmes prizmit të rivaliteteve të reja në Ballkan.
Në anën tjetër, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë forcuar bashkëpunimin e tyre politik dhe të sigurisë, duke krijuar një koordinim më të afërt në fushën e mbrojtjes dhe të politikave rajonale.
Ky afrim, i parë nga Beogradi si një zhvillim me ndikim në ekuilibrat strategjikë të rajonit, ka shoqëruar edhe me deklarata të ashpra nga Aleksandar Vuçiç, i cili në disa raste ka paralajmëruar se Serbia nuk do të lejojë cenimin e interesave të saj kombëtare dhe ka kritikuar rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes këtyre vendeve.
Përballë forcimit të lidhjeve të sigurisë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, si dhe partneriteteve të Serbisë me vende si Izraeli, Ballkani po përballet me një riformatim të ri të aleancave, ku po marrin gjithnjë e më shumë peshë kapacitetet ushtarake dhe orientimet strategjike. /tesheshi.com/
