BBC: Hormuzi, përtej fjalëve dhe bombave…

Më të lexuarat

Ngushtica që vazhdon të mbajë në ekuilibër luftën, ekonominë dhe jetën e përditshme të miliarda njerëzve

Në brigjet e Bandar Abbasit, në jug të Iranit, peshkatarët janë rikthyer gradualisht në det pas muajsh pasigurie. Mes rrjetave të tyre gjenden peshq, por edhe peshkaqenë të vegjël, një ushqim tradicional në zonë.

Megjithatë, pas qetësisë së dukshme, mbeten gjurmët e një konflikti që e shndërroi Ngushticën e Hormuzit në një nga pikat më të rrezikshme të botës.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit. Gjatë përplasjes mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, kjo zonë u kthye në një mjet të fuqishëm presioni strategjik për Teheranin.

Forcat elitare iraniane nisën të ndalonin anijet tregtare që kalonin pa autorizim, ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosën një bllokadë ndaj anijeve që përdornin portet iraniane. Pasojat u ndjenë menjëherë: trafiku detar u kufizua, çmimet e energjisë u rritën dhe zinxhirët e furnizimit u goditën në shumë vende të botës.

Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, Irani lejoi një rihapje të pjesshme të ngushticës. Megjithatë, lundrimi mbetet i kontrolluar rreptësisht dhe shumë anije mallrash vazhdojnë të presin lejen për të kaluar. Dy anije kontejnerësh, të sekuestruara gjatë kulmit të konfliktit, vazhdojnë të mbeten nën kontrollin iranian.

Bandar Abbas ka qenë gjithmonë një pikë kyçe për kontrollin e Hormuzit. Pozicioni i tij pranë pjesës më të ngushtë të kalimit e ka bërë qytetin qendër të rëndësishme ushtarake dhe ekonomike.

Rreth një e pesta e eksporteve botërore të naftës dhe gazit kalojnë nëpër këto ujëra, çka e bën çdo tension në zonë një shqetësim global.

Edhe pse jeta në qytet po i rikthehet normalitetit, pasojat e luftës janë ende të dukshme. Dyqanet janë hapur, tregjet janë mbushur me njerëz dhe familjet janë kthyer në shtëpitë e tyre. Por disa lagje bartin ende plagët e bombardimeve.

Një ndërtesë banimi pranë universitetit kryesor të qytetit u godit nga një sulm ajror izraelit. Gjysma e saj është shembur plotësisht, ndërsa dhomat e hapura dhe muret e shkatërruara dëshmojnë për jetët që u ndërprenë papritur.

Banorët tregojnë se mes viktimave kishte civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, edhe pse autoritetet izraelite deklaruan se objektivi ishte një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Iraniane.

Sipas të dhënave të organizatave monitoruese, gjatë konfliktit u kryen dhjetëra sulme ajrore në dhe rreth Bandar Abbas-it, shumë prej tyre pranë zonave të banuara. Kjo ka bërë që kufiri mes objektivave ushtarake dhe jetës civile të bëhet gjithnjë e më i paqartë.

Autoritetet iraniane këmbëngulin se vendi nuk doli i dobësuar nga lufta. Kryetari i Bashkisë së Bandar Abbasit deklaroi se as Izraeli dhe as Shtetet e Bashkuara nuk arritën objektivat e tyre strategjikë dhe paralajmëroi se, në rast të rifillimit të luftimeve, Irani mund ta mbyllë sërish Ngushticën e Hormuzit.

Në tregun tradicional të qytetit, njerëzit flasin më shumë për jetën e përditshme sesa për strategjinë ushtarake. Shumë prej tyre tregojnë se lufta u kushtoi vendet e punës, uli të ardhurat dhe shtoi pasigurinë.

Një grua, e cila shet pjeshkë, rrëfen se djali i saj humbi punën gjatë konfliktit dhe se tashmë familja mbështetet vetëm te të ardhurat që ajo siguron në treg. Një tjetër banore thotë se çdo luftë sjell varfëri, frikë dhe pasiguri, por njerëzit përpiqen të vazhdojnë jetën.

Për disa banorë, konflikti solli edhe një ndjenjë solidariteti. Një e re, e kthyer nga Kina për të qenë pranë familjes së saj gjatë bombardimeve, shprehet se iranianët u bashkuan për të mbështetur njëri-tjetrin në ditët më të vështira.

Ndërsa negociatat diplomatike vazhdojnë dhe armëpushimi mbetet i brishtë, Hormuzi vazhdon të jetë një nga pikat më të ndjeshme të politikës ndërkombëtare. Për fuqitë botërore ai përfaqëson një nyje strategjike që ndikon tregjet globale të energjisë dhe ekuilibrat ushtarakë.

Për banorët e Bandar Abbasit, megjithatë, kuptimi i konfliktit është shumë më i thjeshtë: net të kaluara nën kërcënimin e bombardimeve, vende pune të humbura dhe shpresa që qetësia e tanishme të mos jetë vetëm një pushim i përkohshëm mes dy përballjeve. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit