Kur heshtin minberët… – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Ka një dukuri që po vërehet gjithnjë e më shumë në mesin tonë, e cila nuk bën zhurmë, nuk krijon polemika dhe nuk shfaqet me tituj të mëdhenj. Mirëpo, pasojat e saj janë të rënda. Është tërheqja graduale e disa bartësve të dijes nga misioni për të cilin Allahu i zgjodhi.

Nuk bëhet fjalë për braktisjen e fesë, as për devijim në besim. Bëhet fjalë për një tërheqje të heshtur nga përgjegjësia. Minberi mbetet, por zëri dobësohet. Xhamia vazhdon të jetë e hapur, por ndikimi zvogëlohet. Ligjëratat rrallohen, vizitat pakësohen, kontakti me të rinjtë venitet, ndërsa energjia që dikur ushqente zemrat e njerëzve zëvendësohet nga angazhime personale, ekonomike apo familjare.

Askush nuk e mohon se hoxhallarët kanë familje, kanë përgjegjësi dhe nevoja materiale. Kjo është pjesë e jetës. Mirëpo, problemi fillon atëherë kur këto bëhen boshti rreth të cilit sillet e gjithë jeta, ndërsa daveti shndërrohet në një aktivitet dytësor.

Hoxha nuk është thjesht imam i pesë namazeve. Ai është edukator, këshilltar, mbrojtës i identitetit islam, shpresë për të humburit dhe dritë për ata që kërkojnë rrugën e Allahut. Kur ai tërhiqet, boshllëku nuk mbetet bosh. Atë e mbush dikush tjetër. Nëse nuk e mbush fjala e dijes, do ta mbushë zëri i injorancës. Nëse nuk e mbush suneti, do ta mbushin rrjetet sociale, ideologjitë dhe njerëzit pa dije.

Është për të ardhur keq kur shohim njerëz që Allahu u ka dhënë dije, aftësi në ligjërim, urtësi në këshillë dhe ndikim në zemrat e njerëzve, por që gradualisht janë mbyllur në rrethin e interesave personale. Ka prej tyre që dikur ishin të pranishëm në çdo aktivitet fetar, ndërsa sot mezi dëgjohen. Ka prej tyre që dikur formonin breza, ndërsa sot mezi gjejnë kohë për një ligjëratë në javë.

Duhet ta pyesim veten me sinqeritet: a është kjo lodhje e përkohshme, apo është shndërruar në mënyrë jetese?

Nuk duhet të harrojmë se armiku më i rrezikshëm i davetit nuk është gjithmonë sulmi i jashtëm. Shpeshherë është plogështia e brendshme, rehatia, mjaftimi me pak dhe humbja e ndjenjës së përgjegjësisë.

Historia e umetit nuk është ndërtuar nga njerëzit që kërkuan rehati. Ajo është ndërtuar nga pejgamberët, dijetarët dhe thirrësit që sakrifikuan kohën, pasurinë dhe qetësinë e tyre për t’i afruar njerëzit tek Allahu.

Trojet shqiptare kanë më shumë nevojë se kurrë për hoxhallarë që janë mes njerëzve; që i njohin hallet e tyre, që komunikojnë me rininë, që i përgjigjen sfidave bashkëkohore, që shkruajnë, ligjërojnë, edukojnë dhe nuk mjaftohen vetëm me administrimin e përditshëm të xhamisë.

Ne nuk kemi nevojë vetëm për imamë që falin namazin. Kemi nevojë për prijës që ndërtojnë breza.

Çdo hoxhë duhet ta kujtojë se ndikimi i tij nuk matet me vitet e shërbimit, por me zemrat që i ka afruar tek Allahu, me të rinjtë që i ka ruajtur nga devijimi, me familjet që i ka pajtuar, me dijen që ka përhapur dhe me trashëgiminë që lë pas.

Nëse ndonjëri prej nesh ndien se është lodhur, zgjidhja nuk është të largohet nga fusha, por të rinovojë nijetin, të kërkojë ndihmën e Allahut, të shoqërohet me njerëz aktivë dhe të kujtojë madhështinë e amanetit që mban mbi supe.

Minberët nuk kanë nevojë vetëm për zë. Ata kanë nevojë për zemra që digjen për vatanin, popullin dhe umetin.

E lusim Allahun e Madhëruar që t’i forcojë hoxhallarët tanë, t’ua shtojë sinqeritetin, t’ua bekojë kohën dhe përpjekjet, t’i bëjë çelësa të së mirës dhe mbyllës të së keqes, dhe t’i ruajë nga plogështia, rehatia dhe çdo gjë që i largon nga misioni i tyre fisnik.

“Ata që i përcjellin mesazhet e Allahut, i frikësohen Atij dhe nuk i frikësohen askujt tjetër përveç Allahut.” (El-Ahzab, 39)

Bekir Halimi

P.s.
Ky tekst është shkruar si një nasihat i përgjithshëm, pa sulmuar apo aluduar për individë të caktuar, me synimin për të nxitur vetëllogaritjen dhe ringjalljen e misionit të davetit në mesin e hoxhallarëve të trojeve shqiptare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit