Faraoni është personazhi më negativ njerëzor që përmendet më shpesh në Kuran, sepse ai nuk shërben thjesht si një figurë historike, por si arketip dhe model i tiranisë, arrogancës dhe padrejtësisë njerëzore. Sigurisht, çdo “faraon” ka specifikat e veta personale, që lidhen me individin dhe rrethanat e veçanta të secilit, por sidoqoftë të gjithë, sado të ndryshëm të jenë, kanë disa tipare të përbashkëta me Faraonin që përmendet në Kuran.
Specifika ku dua të ndalem këtu janë “mirësitë” që Faraoni dhe faraonët u kanë bërë njerëzve. Por le ta lëmë më mirë Kuranin të rrëfejë, duke na treguar një nga momentet më interesante dhe domethënëse të përballjes me modelin faraonik:
Zoti u tha: “Shkoni te Faraoni të dy dhe i thoni: ‘Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve. Lëri bijtë e Israilit të vijnë me ne!’”
Faraoni i tha: “A nuk të rritëm si fëmijë në mesin tonë për shumë vjet të jetës tënde? Dhe ti bëre atë vepër që ti e di. E pra, edhe ti je një mohues/mosmirënjohës.”
Musai i tha: “Unë e bëra atë, atëherë kur isha i paditur. Prandaj edhe ika kur u frikësova nga ju. Por Zoti im më dhuroi urtësi dhe më bëri profet. E çfarë të mire më përmend ti mua, ndërkohë që ti i ke skllavëruar bijtë e Israilit?!” (Kurani, 26:16-22)
Për rrethana të caktuara, që njihen nga historia, Zoti bëri që Musai të rritej në shtëpinë e Faraonit; pra, të vihej në rrethanat e maksimumit të mirësisë njerëzore që një jofamiljar mund t’i bëjë një njeriu. Njohja e kësaj mirësie dhe falënderimi për të është pjesë e mirënjohjes edhe ndaj Zotit, siç përmendet kjo në një hadith të Profetit.
Mirëpo, Zoti me urtësinë e Tij e vuri Musain në një sprovë të rëndë: kumtimin e së vërtetës ndaj bamirësit të tij personal, i cili njëkohësisht ishte edhe zullumqari më i madh i popullit të Musait. Pra, mirësia personale nuk mund të bëhej pengesë për dëshminë e së vërtetës dhe as për denoncimin e padrejtësisë publike.
Ajetet e mësipërme të Kuranit janë të qarta se si Faraoni ia kujton Musait këtë mirësi, duke e etiketuar si bukëshkalë, çka është nga barrët më të rënda për ndërgjegjen njerëzore. Por përgjigjja e Profetit të Zotit ishte me aq peshë kuptimore, saqë e përmbysi situatën dhe e detyroi Faraonin të përballej me thelbin e misionit të Musait: çlirimin e një populli të skllavëruar dhe përballjen me padrejtësinë.
Faraonët e gjithë historisë njerëzore, të vegjël e të mëdhenj, kanë bërë “të mira”. Por këto “të mira” kanë qenë të kufizuara në lloj dhe në sasi, shpesh vetëm për shpurën dhe njerëzit që u kanë qëndruar afër. Ndërkohë, ligësitë dhe dëmet e tyre ndaj pjesës tjetër, më të shumtë të popullit, kanë qenë të panumërta.
Prandaj, kumtuesit e fjalës së Zotit dhe të së vërtetës së Tij nuk mund të heshtin dhe të stepen para mirësive personale apo të pakta që ata vetë, ose komuniteti i tyre, mund të kenë “përfituar” nga faraonët, ndërkohë që ligësitë e faraonëve kanë rënduar mbi shumicën e popullit. Mirënjohja për të mirën personale nuk mund të shndërrohet në heshtje ndaj zullumit, sepse e vërteta dhe drejtësia janë më të mëdha se çdo borxh personal ndaj pushtetit.
Justian Topulli
