Është e vërtetuar në Sahih se i vdekuri ndihet mirë dhe ngushëllohet me të pranishmit që e përcjellin pas varrimit të tij.
Muslimi përcjell në Sahihun e tij nga Abdurrahman bin Shimaseh el-Mehri, i cili tha:
Ne ishim pranë Amër ibn el-Asit kur ai ishte në shtratin e vdekjes. Ai qau për një kohë të gjatë dhe e ktheu fytyrën nga muri. Djali i tij filloi t’i thoshte: Pse po qan o babai im? A nuk të ka përgëzuar i Dërguari i Allahut – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – me këtë dhe atë? Amri u kthye dhe tha: Më e mira që ne përgatisim është dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij. Unë gjatë jetës time kam kaluar në tre stade të ndryshme. Në një kohë, nuk kishte njeri që e urrente më shumë të Dërguarin e Allahut – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – se unë, dhe asnjëri nuk do të dëshironte më shumë se unë të kishte mundësinë për ta vrarë atë. Nëse do të kisha vdekur në atë gjendje, do të isha nga banorët e zjarrit.
Kur Allahu e vendosi Islamin në zemrën time, shkova te i Dërguari i Allahut – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – dhe i thashë: Shtrije dorën që të jap besën për Islam. Ai e shtriu dorën e djathtë! Por unë e tërhoqa dorën. Ai më tha: Çfarë ndodhi Amër? Unë i thashë: Dua të vendos një kusht! Ai tha: Çfarë kushti? Thashë: Që të më falen të gjitha mëkatet. Ai tha: A nuk e di se Islami i fshin të gjitha mëkatet e mëparshme?! Emigrimi i fshin të gjitha mëkatet e mëparshme, dhe haxhi i fshin të gjitha mëkatet e mëparshme?
Asnjë njeri nuk ishte më i dashur tek unë se i Dërguari i Allahut – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – dhe asnjëri nuk gëzonte respekt në sytë e mi më shumë se ai. Nuk munda ti mbushja sytë duke e parë atë për shkak të respektit të madh që kisha për të. Nëse do të më kërkonin ta përshkruaja, nuk do të mundesha, sepse nuk mund ta shikoja atë drejtpërdrejt për një kohë të gjatë. Nëse do të kisha vdekur në atë gjendje, do të shpresoja të isha nga banorët e xhenetit.
Pastaj morëm përgjegjësi të ndryshme, dhe nuk e di se cila është gjendja ime. Prandj kur të vdes, mos lejoni që të më shoqërojë asnjë grua që vajton dhe as ndonjë zjarr. Kur të më varrosni, mbulojeni varrin tim me dhe, pastaj qëndroni përreth varrit tim për aq kohë sa duhet për të therrur një deve dhe për të ndarë mishin e saj, që të më jepni ngushëllim dhe të shoh se çfarë do t’u përgjigjem të dërguarve të Zotit tim.”
Ibn Kajim thotë: Kjo tregon se i vdekuri gëzohet dhe ngushëllohet nga të pranishmit pranë varrit të tij.
Ibn Kajim | Libri “Shpirti”
Përktheu: Fatjon Isufi
