Ku e gjeti “Islamin politik” në protesta ky i harruar?

Më të lexuarat

Emra që media i rikthen pa asnjë kriter dhe që thonë broçkulla nëpër studio

Një tjetër emër i harruar dhe pa asnjë vlerë në bursën politike është rishfaqur së fundi duke komentuar protestën, më saktë, duke tentuar ta bëjë pis atë.

Është Fatbardh Kadilli, një ish-emër i PD-së që tentoi të marrë drejtimin e kësaj force, duke dështuar tejet suksesshëm, i cili ringjallet nga media pa asnjë kriter, si gjithnjë, pasi ai dhe gjykimet e tij nuk i thonë asgjë opinionit publik shqiptar. Dhe për këtë mjafton të ndiqni broçkullat e hatashme që nxjerr nga goja nga njëra studio në tjetrën, i thirrur kuptueshëm për të shërbyer si ushtar i verbër kundër protestës. Asgjë tjetër me vlerë tej kësaj nuk thotë. Dhe në ato që thotë, më e rënda që e nxjerr shëmtueshëm është pretendimi se në protestë paskërka elementë të Islamit politik(!!!), pasi më parë thotë se aty ka marksistë, pra në udhëheqjen e saj.

“Islami politik” është një tjetër sajesë e ulët dhe e poshtër e narravitës antiislame, e cila përveç injorancës ka dhe ligësinë brenda. Është një lloj etiketimi me ngjyrim peshorativ me qëllimin për ta kompleksuar dhe frustruar çdo aksion politik që mund të ndërmarrë një musliman apo një grupim muslimanësh, duke targetuar spekullativisht besimin e tyre. Por në fakt, nëse ka një segment shoqëror që vërtet ka legjitimitetin e të jetë një ballë të çdo lëvizjeje, shoqërore apo politike për një Shqipëri të denjë në çdo aspekt, ata janë muslimanët e këtij vendi. E para dhe më kryesorja, ky shtet ka buruar prej tyre, prej formimit, kurajos dhe atdhedashurisë së tyre. Për këtë, hidhni syte te ata dhjetra personalitete që me çallmën e hoxhës hodhën themelet e mendimit shtetëformues, politik e shoqëror shqiptar, duke nisur që me Hasan Tasinin e në vijim, ku një vend të madh zë dhe Sami Frashëri më të parin manifest politik kombëtar – “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

E dyta, po aq me peshë që lidhet me aktualitetin, muslimanët janë të vetmit që çdo ditë në xhami u thuhet nga mimberet që të jenë të ndershëm e atdhedashës, që t’i druhen Zotit dhe t’i bëjnë mirë robit, që të qëndrojnë larg veseve, imoralitetit e amoraliteteve të tjera, që të japin më të mirën për shoqëritë ku jetojnë dhe që ta luftojnë të keqen më sa munden. Pra, bash modeli më i mirë i njeriut që i duhet vendit. Nuk besohet se Fatbardh Kadillit i është thënë në jetën e tij partiake se është haram i madh me e vjedh shtetin, mos me e mbajtë premtimin që u jep njerëzve kur merr pushtet e me e thënë atë që nuk e bën dot. E pra, muslimani i ka këto “çekan mbi kokë” e Kadilli  duket shumë i vogël para tyre.

Dhe jo vetëm që s’i ka artikulur ndonjëherë këto norma të larta morale, jo vetëm nuk është provuar që i ka, por ende nuk është qartë se çfarë atributesh gëzon për të bërë analistin e protestës.  Ai nuk gëzon ndonjë profil të lartë e me peshë ku me patjetër shoqëria pret të dëgjojë se ç’thotë ai, pasi dhe nuk ka spikatur kurrë për diçka, në daç në sferën teorike në daç atë praktike. Është thjesht një emër i zakonshëm ku për aq sa është dëgjuar deri më tani në publik ka thënë gjëra të zakonshme. Por po e prish ku në këtë zakonshmëri po fut dhe pak ligësi. Ligësi, pasi s’mund të thuash se është i padijshëm. Tek e fundit, ky është çmimi që i ka vënë vetes: të rikthehet në debatin politik si ushtar kundër protestave më qytetare që ka patur Shqipëria që pas ‘90-ës.

Kjo është një kohë o krenarie e turpi. Secili bën zgjedhjen e tij, siç Kadilli…me turpin! /tesheshi.com/        

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit