“Për mua nuk është e rëndësishme kush do të hyjë i pari në BE. E rëndësishme është sa më mirë jetojnë njerëzit, pagat, pensionet, fuqia e shtetit dhe aftësia për t’i mbrojtur interesat tona”, tha presidenti serb.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot në Tivat se suksesin e Serbisë nuk e mat me atë se cili vend i Ballkanit Perëndimor do të hyjë i pari në Bashkimin Evropian, por me atë se sa më mirë jetojnë qytetarët.
Duke folur në margjinat e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, Vuçiq tha se do ta uronte Malin e Zi nëse do të bëhej anëtari i ardhshëm i BE-së, por se për të çështja kyç mbeten treguesit ekonomikë dhe standardi i jetesës.
“Për mua nuk është e rëndësishme kush do të hyjë i pari në BE. E rëndësishme është sa më mirë jetojnë njerëzit, pagat, pensionet, fuqia e shtetit dhe aftësia për të mbrojtur interesat tona”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se qëllimi strategjik i Serbisë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por se prioritet është forcimi i ekonomisë dhe rritja e standardit të jetesës. “Jemi në rrugën tonë drejt BE-së. Ky është qëllimi ynë strategjik”, tha Vuçiq, duke shtuar se pret përparim të Serbisë në procesin e integrimit evropian.
Duke folur për samitin, Vuçiq vlerësoi se ka zhvilluar bisedime shumë të mira dhe produktive me zyrtarë evropianë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Ai tha se pret përparim të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane, duke theksuar se para Serbisë mbeten ende shumë detyra reformuese. Vuçiq shtoi se Serbia po njihet gjithnjë e më shumë si vendi ekonomikisht më i fuqishëm i Ballkanit Perëndimor në raport me madhësinë e saj dhe se prioritet do të mbetet tërheqja e investimeve dhe forcimi i rritjes ekonomike.
Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor mbahet më 4 dhe 5 qershor në Tivat të Malit të Zi nën sloganin “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” ndërsa tema kryesore e samitit do të jetë zgjerimi i BE-së.
Mbledhja drejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, i cili këtë javë zhvilloi një turne në vendet e rajonit. Pritës i samitit është presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ndërsa do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Siç njofton Komisioni Evropian, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së do të diskutojnë për zgjerimin dhe Planin e Rritjes. Pritet që BE-ja të rikonfirmojë përkushtimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.
Samiti është pjesë e zbatimit të agjendës së Këshillit Evropian 2024-2029. Samitet BE–Ballkani Perëndimor mbahen që nga viti 2018 ndërsa i fundit u mbajt në Bruksel në dhjetor 2025.
Mali i Zi ka angazhuar rreth 1.500 policë që kujdesen për sigurinë e pjesëmarrësve të samitit.
