Presidenti amerikan rikthehet te retorika që tërheq vëmendjen dhe spektakli politik
Tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të përshkallëzohen, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një deklaratë që po shkakton reagime të forta në arenën ndërkombëtare.
Në një intervistë për mediat amerikane, Trump u shpreh se Irani ka pranuar të heqë dorë nga ambiciet për armë bërthamore dhe se në të ardhmen mund të zhvillojë një takim me Mojtaba Khamenein, djalin e liderit suprem iranian Ali Khamenei.
“Do të doja ta takoja. Më pëlqen të takoj të gjithë liderët dhe ka shumë mundësi që një ditë të ulemi në të njëjtën tavolinë, në varësi të zhvillimeve”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se kanalet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të hapura pavarësisht përplasjeve të fundit ushtarake.
Deklarata e presidentit amerikan vjen në një moment tepër delikat. Gjatë orëve të fundit, forcat amerikane goditën një anije cisternë iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit dhe kryen sulme ndaj objektivave në ishullin iranian Qeshm.
Teherani reagoi menjëherë duke lëshuar raketa dhe dronë drejt bazave amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, ndërsa raportohen edhe dëme në aeroportin ndërkombëtar të Kuvajtit. Autoritetet kuvajtiane konfirmuan se sulmet shkaktuan viktima dhe të plagosur, si edhe pezullimin e përkohshëm të trafikut ajror.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane pretendon se ka goditur objektiva strategjike amerikane, përfshirë selinë e Flotës së Pestë të SHBA-ve në Bahrein. Uashingtoni i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se shumica e raketave dhe dronëve iranianë janë neutralizuar nga sistemet mbrojtëse.
Ndërkohë, këshilltari ushtarak i Ali Khameneit, Mohsen Rezai, paralajmëroi se çdo sulm i ri amerikan do të përballet me “një përmbytje raketash dhe dronësh”, duke sinjalizuar se Teherani nuk ka ndërmend të tërhiqet nga përplasja.
Në sfond mbetet edhe konflikti në Liban, ku sulmet izraeliane dhe kundërpërgjigjet e Hezbollahut kanë shkaktuar dhjetëra viktima gjatë ditëve të fundit. Përplasjet po e bëjnë edhe më të ndërlikuar situatën rajonale, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po kërkon rrugë për të shmangur një konflikt më të gjerë.
Megjithatë, deklarata e Trump për një takim të mundshëm me Mojtaba Khamenein shihet nga shumë analistë si një sinjal se, pavarësisht retorikës së ashpër dhe operacioneve ushtarake, diplomacia mund të mbetet alternativa e vetme për të shmangur një përshkallëzim të pakontrolluar të krizës. \tesheshi.com\
