SHBA, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe shkëmbejnë akuza për sulme në Hormuz: Çfarë dimë

Më të lexuarat

Ekpertët thonë se akuzat dhe kundërakuzat rrezikojnë rrugën diplomatike për t’i dhënë fund luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.

Tensionet në Gjirin Persik janë përshkallëzuar këtë javë pasi SHBA-ja dhe Irani pretendojnë se kanë sulmuar dhe dëmtuar anijet e njëri-tjetrit, pavarësisht një armëpushimi në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.

Pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një plan për të “drejtuar” anijet e bllokuara në Gjir përmes Ngushticës së Hormuzit (Operacioni “Project Freedom”), Irani paralajmëroi se çdo anije që kalon pa leje nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC) do të sulmohet, duke rritur frikën për rikthim të luftës.

Trump nuk dha detaje se si SHBA do të sigurojë kalimin e sigurt për anijet tregtare. Rreth 2,000 anije janë aktualisht të bllokuara në të dy anët e ngushticës, e cila është pothuajse e mbyllur që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.

Të hënën, agjencia iraniane Fars raportoi se një anije luftarake amerikane u godit nga dy dronë iranianë pasi refuzoi të kthehej. Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) e mohoi këtë dhe pretendoi se kishte fundosur anije të IRGC-së.

Irani e mohoi këtë pretendim dhe publikoi një hartë ku tregonte zona të reja nën kontrollin e tij, që përfshinin edhe ujërat territoriale të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke rritur frikën për përplasje rajonale.

Më pas, Emiratet akuzuan Iranin për një sulm me raketa dhe dronë në Fujairah, që shkaktoi zjarr në një rafineri nafte dhe plagosi tre shtetas indianë.

Çfarë është “Project Freedom”?

Trump tha se forcat amerikane do të fillojnë të shoqërojnë anijet përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë strategjike ku kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

Mbyllja e kësaj rruge ka rritur çmimet globale të naftës dhe plehrave kimike dhe ka shtuar frikën për recesion dhe krizë ushqimore.

Si përgjigje, SHBA vendosi një bllokadë detare ndaj porteve iraniane më 13 prill.

A sulmoi Irani një anije amerikane?

Irani pretendon se po, ndërsa SHBA e mohon. Nuk ka verifikim të pavarur për këtë ngjarje.

Eksperti Shahram Akbarzadeh thotë se Irani po përpiqet t’i përgjigjet përshkallëzimit të SHBA-së me përshkallëzim të vetin.

A sulmoi SHBA anije iraniane?

SHBA pretendon se ka fundosur disa anije të IRGC-së. Irani e mohon dhe thotë se janë sulmuar dy anije civile, duke vrarë pesë persona.

Edhe kjo nuk është verifikuar nga burime të pavarura.

A u sulmuan Emiratet?

Emiratet pretendojnë se Irani sulmoi Fujairah me raketa dhe dronë. Irani e mohon dhe thotë se incidenti ishte rezultat i veprimeve ushtarake amerikane.

Sa serioze është situata?

Sipas ekspertëve, situata rrezikon seriozisht përpjekjet diplomatike për paqe.

“Po shohim përshkallëzim pas përshkallëzimi,” tha Akbarzadeh, duke paralajmëruar se këto incidente mund të çojnë në një konflikt të madh.

Ai shtoi se as SHBA dhe as Irani nuk duan luftë, por asnjëra palë nuk dëshiron të duket e dobët  gjë që i mban të bllokuar në një konflikt të vazhdueshëm.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit