1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Shqiptari në Amerikë gjen zarfin me 200 dollarë dhe i kthen ato

Më të lexuarat

Një çift amerikan ka marrë mbrapsht zarfin e humbur me 200 dollarë, falë një shqiptari që e ka gjetur dhe ua ka kthyer.

Pjetër Palushaj, një emigrant shqiptar me banim në Bronks, e ka gjetur dhuratën e nisur për çiftin e sapomartuar dhe ua ka dhënë sërish.

Palushaj po udhëtonte me makinë së bashku me gruan e tij Liza, vajzën 10 vjeçe, Lena, dhe djalin 5-vjeç Kolin. Për shkak të trafikut, ai zgjodhi një rrugë më të shkurtër dhe ka ndaluar në momentin që ka parë një letër të fluturonte në anë të rrugës.

Letra në fakt ishte një zarf me 10 kartëmonedha 20-dollarëshe, e cila ishte adresuar për Dave dhe Teresa, një çift të sapomartuarish.

“E di se dikush ka punuar fort për t’i fituar ato para”, tha Palushaj, i cili e ka kuptuar vlerën e punës së ndershme që në vitet e para të jetës. Ai është një nga shtatë fëmijët e një familjeje shqiptare të vendosur në Bronks kohë më parë.

Ai thotë se e bëri këtë për t’u mësuar fëmijëve sa e rëndësishme është të bësh gjënë e duhur.

“Çfarë nuk është e imja, nuk është e imja. Nuk e çova kurrë nëpër mend t’i mbaja”, thotë Palushaj.

Pasi i ka gjetur paratë, ai ka nisur kërkimet në “Facebook” për të gjetur personat që kishin emrin në zarf. Pasi ka parë se njëra prej grave që kishin të njëjtin emër, i ka shkruar një mesazh, i cili ka përfunduar në kategorinë “others”.

Kjo ka bërë që të kalojë shumë kohë, derisa nusja të kontrollojë krejt rastësisht mesazhet që i kishin dërguar njerëz që nuk i kishte miq në rrjetin social.

Ajo ka kontaktuar me familjen e shqiptarit Palushaj dhe të dy palët janë takuar. Palushaj thotë se ndihet i lehtësuar se arriti t’i kthente paratë dhe njëkohësisht t’u jepte fëmijëve një mësim të mirë.

Ndërsa nusja, pasi ka marrë paratë, është shprehur se “nëse nuk do të më kishte ndodhur mua kjo gjë, nuk do ta kisha besuar se njerëz të tillë ekzistojnë”.

Ky është një nga rastet kur shqiptarët japin shembullin e mirë në shtetet perëndimore, përkundër shumë rasteve tjera që përfshihen në krim të organizuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit