Paditësi i Netanyahu-t, triumf në një proces të montuar politik

Më të lexuarat

Akuzat për abuzime seksuale ndaj kryeprokurori i Hagës, inskenime të ndyra me sfond izraelit

Karim Khan, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), është pastruar nga çdo akuzë për shkelje detyre apo sjellje të pahijshme seksuale. Një panel prej tre gjyqtarësh, i emëruar për të shqyrtuar gjetjet e një hetimi të Kombeve të Bashkuara, ka dalë në përfundimin unanim se provat nuk vërtetojnë asnjë keqsjellje.

Ky zhvillim, i zbuluar ekskluzivisht nga Middle East Eye, i jep fund një periudhe pasigurie që kishte paralizuar zyrën e prokurorit që prej vitit të kaluar. Sipas raportit konfidencial të dorëzuar më 9 mars, paneli gjyqësor shqyrtoi mbi 5.000 faqe prova dhe një dosje 150-faqëshe të OKB-së.

Middle East Eye raporton se gjyqtarët ndoqën standardin më të lartë të provës, atë “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, duke rrëzuar pretendimet që synonin të njollosnin figurën e Khan.

Akuzat dolën në dritë në një moment kritik, pikërisht kur Khan po përgatitej të kërkonte urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte në Gaza.

Siç vëren Middle East Eye, këto pretendime u shpalosën paralelisht me një fushatë agresive presioni nga Izraeli dhe SHBA-ja për të penguar hetimet në territoret e pushtuara palestineze.

Që nga shkurti i vitit 2025, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur sanksione financiare ndaj Khan dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke e konsideruar punën e gjykatës si një sulm ndaj aleatëve të saj. Por presioni nuk ishte vetëm amerikan.

Një investigim i mëparshëm i Middle East Eye, zbuloi se ish-sekretari i jashtëm britanik, David Cameron, kishte kërcënuar personalisht Khan-in me ndërprerje të fondeve nëse guxonte të lëshonte urdhër-arreste për zyrtarët izraelitë.

Pavarësisht mjegullës së hamendjeve dhe rrjedhjeve të qëllimshme në media, paneli i gjyqtarëve konfirmoi se nuk ka pasur asnjë shkelje të kodit të etikës. Ky vendim jo vetëm që rehabiliton figurën e Karim Khan, por godet edhe pretendimet e Izraelit, i cili argumentonte se prokurori po nxitonte me urdhër-arrestet për të shpërndarë vëmendjen nga problemet e tij personale.

Me mbylljen e këtij kapitulli, pritet që Khan të rikthehet plotësisht në krye të detyrës, duke vazhduar ndjekjen penale për krimet në Gaza, një proces që tashmë i ka mbijetuar asaj që shumë vëzhgues e konsiderojnë si një “atentat” politik ndaj drejtësisë ndërkombëtare. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit