Nga Fatmir Baçi
Të gjitha veprat njerëzore duhen kryer me një vëmendje të madhe dhe të vetëdijshme, sepse vëmendja përfaqëson një zgjuarsi morale dhe një përgjegjësi të brendshme ndaj qëllimit përfundimtar të jetës. Në perspektivë teleologjike, çdo veprim fiton kuptim në raport me cakun e tij të fundit dhe me horizontin e llogaridhënies ku ai do të vendoset. Vepra që lind nga një përqendrim i tillë shfaq integritet dhe tërësi; ajo e lidh nijetin, vendimin dhe realizimin në një vijë të vetme etike, duke krijuar unitet ndërmjet brendësisë dhe shfaqjes.
Kështu, veprimi bëhet pasqyrë e strukturës së brendshme të njeriut dhe shenjë e orientimit të tij drejt qëllimit të fundit. Në Ditën e Gjykimit, ku çdo gjë vendoset në peshoren e drejtësisë, një vepër e tillë qëndron pranë bartësit të saj si dëshmi e koherencës së tij morale. Ajo afirmon përputhjen ndërmjet nijetit dhe aktit, ndërmjet vetëdijes së brendshme dhe realizimit konkret, duke fituar qëndrueshmëri në horizontin e përjetësisë.
***
Veprat që kryhen për të tërhequr vëmendje, për lavdi apo për konfirmim shoqëror mbeten të orientuara drejt jehonës së çastit. Qendra e tyre e gravitetit zhvendoset nga qëllimi i fundit drejt pranimit të menjëhershëm. Në to forcohet dukshmëria, ndërsa brendësia humb koherencën e saj teleologjike. Këto veprime mund të prodhojnë admirim dhe efekt të shpejtë në rrethin shoqëror, megjithatë në rrafshin e llogaridhënies përfundimtare ato shfaqen të brishta.
Në Ditën e Gjykimit çdo vepër paraqitet sipas origjinës së saj të brendshme. Pesha e saj matet sipas pastërtisë së nijetit dhe sipas përputhjes me qëllimin për të cilin njeriu është krijuar. Kur veprimi ndërtohet mbi kërkesën për dukshmëri, ai mbetet i lidhur me kufijtë e asaj që ka synuar. Në çastin e shpalosjes së plotë, mospërputhja ndërmjet pamjes dhe motivit bëhet e dukshme dhe vetë vepra merr rolin e dëshmisë.
***
Dallimi ndërmjet të vepruarit me vëmendje dhe të vepruarit për vëmendje përfaqëson një çështje thelbësore të teleologjisë morale. Ai prek raportin ndërmjet nijetit dhe cakut përfundimtar, ndërmjet orientimit të brendshëm dhe rezultatit të përjetshëm. Veprimi i përqendruar forcon tërësinë e personalitetit dhe e vendos jetën në trajektore të qëndrueshme drejt qëllimit të saj të fundit. Veprimi i orientuar nga pritshmëritë e vëzhguesit e fragmenton këtë trajektore dhe e shpërndan energjinë morale në horizonte kalimtare.
Në vlerësimin përfundimtar, aty ku peshohet e vërteta e qëllimit dhe qëndrueshmëria e përgjegjësisë, mbeten të forta vetëm ato vepra që burojnë nga përqendrimi, sinqeriteti dhe harmonia e brendshme. Ato ruajnë plotësinë e kuptimit dhe qëndrojnë si dëshmi në horizontin e përjetshëm të drejtësisë.
