Nga Epstein në Gaza: Shthurja e elitës perëndimore tashmë është plotësisht e ekspozuar – Sumeja Ganushi

Më të lexuarat

Nga Epstein në Gaza: Shthurja e elitës perëndimore tashmë është plotësisht e ekspozuar

Soumaya Ghannoushi

Gaza nuk ishte një devijim nga morali i klasës financiare dhe politike që mbikëqyri asgjësimin e saj. Ajo ishte kulmimi i tyre.

Dosjet e Epstein-it lexohen më pak si një skandal dhe më shumë si dokumentacion; dëshmi të palosura në deponime, deklarata me shkrim dhe marrëveshje. Përvoja njerëzore e reduktuar në material çështjeje: e kataloguar, e ndër-referuar dhe e zhveshur nga urgjenca morale.

Abuzimi me të miturat nuk u zhvillua si një thyerje e një rendi ndryshe moral. Ai u zhvillua si një proces i menaxhuar. Vajzat rekrutoheshin përmes cenueshmërisë dhe varfërisë. Ato transportoheshin, paguheshin dhe heshteshin.

Avokatët vlerësonin ekspozimin ndaj rrezikut. Institucionet menaxhonin riskun. Reputacionet mbeteshin të paprekura. Dëmi nuk mohohej, ai kthehej në rutinë.

Një e mbijetuar, Virginia Giuffre, përshkruan se si përdorej dhe më pas u kalohej burrave të tjerë. Një tjetër, Maria Farmer, shpjegon se e kuptoi shumë shpejt se ajo nuk kishte rëndësi, se ekzistonte vetëm për t’i shërbyer orekseve të njerëzve që nuk do të përballeshin kurrë me pasoja.

Këto nuk janë metafora. Janë përshkrime procedurale se si pushteti ndeshet me të pafuqishmit.

Megjithatë, zbulime të tilla, sado groteske qofshin, nuk duhet të na shokojnë. Përse një elitë me përvojë të gjatë në vrasje jashtë shtetit, do të respektonte papritur një kufi moral në shtëpi?

Një zbulim moral

Për dekada, provat nuk ishin të fshehura. Ato transmetoheshin në televizor.

Në Irak, sanksionet dhe lufta kontribuuan në vdekjen e qindra mijëra fëmijëve, një numër i pranuar dhe më pas i justifikuar si çmimi i politikës. Qytetet u rrafshuan, jeta civile u shua, shkatërrimi u shpjegua si strategji, siguri, interes kombëtar.

Në Abu Ghraib, të burgosurit u zhveshën, u abuzuan seksualisht, u fotografuan, u tallën dhe u poshtëruan. Trupat e tyre u kthyen në instrumente dominimi; vuajtja e tyre u dokumentua, u kthye shkurtimisht në skandal, dhe më pas u absorbua në heshtje.

Dhuna u kornizua si e jashtëzakonshme, e kufizuar në shkretëtira të largëta dhe qytete të pushtuara, mbi trupa zeshkanë dhe të burgosur pa emër. Ajo nuk u lexua si një zbulim moral, por si një teprim operacional fatkeq i ushtruar jashtë vendit.

E vërteta e anashkaluar gjatë në shoqëritë perëndimore është kjo: një elitë e gatshme të lërë popullata të vdesin urie, të rrafshojë qytete dhe të brutalizojë seksualisht të burgosurit jashtë vendit, nuk ka asnjë skrupull për të brutalizuar ata që i quan inferiorë në shtëpi.

Kufiri mes brutalitetit të jashtëm dhe moralit të brendshëm ishte gjithmonë imagjinar, një fiksion ngushëllues i mbajtur në këmbë nga distanca, racizmi dhe narrativa.

Ajo që trajtohet përmes deklaratave, censurës dhe shprehjeve të kalibruara të shqetësimit jashtë vendit, trajtohet përmes marrëveshjeve financiare dhe kontratave të konfidencialitetit (mos-zbulimit) në shtëpi.

Shkatërrimi i Gazës nga kjo njëjtë elitë nuk është një anomali morale. I përket të njëjtës arkitekturë. Të njëjtës hierarki të vlerës njerëzore. Të njëjtit supozim se disa jetë janë plotësisht njerëzore, ndërsa të tjerat janë të sakrifikueshme.

Fëmijë të abuzuar në një ishull privat në Karaibe.

Fëmijë të varrosur nën rrënoja në Gaza.

Fëmijë të vendosur në avionë të marrë me qira për të kënaqur orekset e të pasurve dhe të fuqishmëve, të fluturuar në mënyrë diskrete, në heshtje, për t’u përdorur dhe abuzuar pa pasoja.

Fëmijë të vrarë nga avionë të dërguar hapur dhe në mënyrë të përsëritur për t’i shërbyer interesave strategjike të të fuqishmëve, të bombarduar nga qielli sipas dëshirës së tyre, vdekjet e të cilëve injorohen, minimizohen ose rrëfehen si domosdoshmëri.

Privilegji dhe pandëshkueshmëria

Autorët janë të shtyrë nga e njëjta ndjesi e palëkundur privilegji dhe pandëshkueshmërie, nga besimi se zotërojnë të drejtën për të diktuar fatin e të tjerëve, për t’i brutalizuar ata nëse zgjedhin ta bëjnë këtë, qoftë në Florida apo në Gaza.

Kjo njëjtë klasë dominon tani kapitalin global. Oligarkët e teknologjisë, financierët dhe përfituesit e luftës që nxjerrin pasuri në shtëpi dhe përfitojnë nga shkatërrimi jashtë vendit, lëvizin brenda të njëjtit ekosistem elitar që kuroi Epstein-i.

Fytyrat mund të ndryshojnë; logjika është e pandryshuar. Shfrytëzim këtu. Asgjësim atje. Fitim kudo.

Mes figurave që lëviznin lirshëm në botën private të Epstein-it ishte ish-kryeministri izraelit Ehud Barak, i cili u takua me Epstein-in vazhdimisht midis viteve 2013 dhe 2017 dhe qëndroi në rezidencën e tij në Nju Jork në shumë raste.

Sipas korrespondencës së raportuar, Epstein e këshilloi Barakun të “shikonte Palantir-in”, një kompani që asokohe po shfaqej si një lojtar i fuqishëm në analizën e të dhënave, mbikëqyrje dhe softuerët e inteligjencës.

Ky sugjerim është zbulues. E vendos botën e Epstein-it jo thjesht si një vend të shfrenimit personal, por si një pikëtakim ku konvergjonin indulgjenca e elitës, logjika e inteligjencës (spiunazhit) dhe teknologjia më e fundit e luftës.

Konsideroni Palantir Technologies, kompaninë e softuerëve të inteligjencës, mjetet e së cilës u ndërtuan për shtete të mbikëqyrjes dhe fushëbeteja moderne. Që nga tetori 2023, Palantir ka thelluar një partneritet të ngushtë, hapur ideologjik, me qeverinë dhe ushtrinë izraelite, duke e prezantuar teknologjinë e saj si të domosdoshme për luftën bashkëkohore të drejtuar nga Inteligjenca Artificiale (IA).

Në janar 2024, kompania njoftoi një marrëveshje strategjike me Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit për të mbështetur operacionet aktive të luftës, ku ekzekutivë të lartë udhëtuan në Izrael për të zyrtarizuar partneritetin.

Platformat e Palantir-it – Gotham, Foundry dhe Platforma e Inteligjencës Artificiale – shkrijnë inteligjencën, logjistikën dhe shënjestrimin në atë që doktrina ushtarake tani e quan “zinxhiri dixhital i vrasjes”.

Gjykimi njerëzor ngjeshet. Hezitimi moral automatizohet. Dhuna kthehet në rrjedhë pune (workflow). Distanca nuk është më një amortizator; është një veçori.

Ky rreshtim nuk është thjesht teknik, por ideologjik. Drejtori Ekzekutiv i Palantir, Alex Karp, e ka kornizuar publikisht mbështetjen për Izraelin si një detyrim qytetërimor. Lufta nuk shërbehet thjesht; ajo miratohet filozofikisht.

E njëjta gjuhë e domosdoshmërisë dhe përjashtimit moral që dikur mbronte abuzimin privat, tani shenjtëron shkatërrimin publik – vetëm se këtë herë është e koduar në softuer.

Atë që Epstein kuroi në aspektin social: qasjen, izolimin, implikimin e ndërsjellë, kompani si Palantir tani e operacionalizojnë teknologjikisht.

Përçmimi për jetën njerëzore nuk është më thjesht personal; është institucional, kontraktor dhe i programueshëm.

Dhuna e racionalizuar

Kur dhuna është e rrënjosur kaq thellë – në softuer, politikë dhe fitim – nuk kërkon më maskim. Mund të thuhet hapur, madje me krenari, si parim. Ajo që dikur duhej racionalizuar, tani deklarohet.

“Forca është drejtësi,” siç u shpreh me qartësi të pambuluar këshilltari i sigurisë kombëtare i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, Stephen Miller. Kjo është etika: në Gaza, në Venezuelë, apo pas dyerve të mbyllura në Florida.

Ironikisht dhe në mënyrë të turpshme, kjo njëjtë elitë e paraqet veten si standardi global i iluminizmit dhe moralit: kulmi i qytetërimit; arbitri i botës.

Kjo elitë nuk është thjesht e fuqishme; ajo është rritur me një ndjenjë përjashtueshmërie (eksepsionalizmi): privilegj, të drejta dhe imunitet. Ajo banon në një botë të mbyllur prestigji dhe izolimi, ku rregullat janë për të tjerët dhe pasojat janë të negociueshme.

Është pikërisht për këtë arsye që kaq shumë nga kjo klasë gravitoi drejt Epstein-it dhe u zunë kaq lehtë në grackën e tij.

Oferta e tij reale nuk ishte vetëm kënaqësia, por konfirmimi: që rendi i zakonshëm moral nuk vlente për ta. Mbledhjet e tij nuk ishin thjesht festa; ishin audicione. Avionët e tij privatë dhe pronat e izoluara funksiononin si rituale të përkatësisë.

Të mirëpriteshe në orbitën e tij ishte të merrje një distinktiv, pranim në një rreth të brendshëm ku pasojat nuk zbatoheshin.

Epstein nuk shfrytëzoi thjesht dekadencën e elitës; ai e ktheu atë në armë. Ai e përktheu privilegjin në mjet presioni, teprimin në cenueshmëri dhe statusin në një kurth.

Tërheqja e parezistueshme e ekskluzivitetit shpjegon shumë për suksesin e Epstein-it. Ajo që i tërhoqi të fuqishmit në orbitën e tij nuk ishte thjesht vesi, as normalizimi i shkeljes, por joshja e prestigjit dhe qasjes, premtimi i përkatësisë në një mbretëri përtej shqyrtimit.

Epstein e kuptoi se për vërtet të fuqishmit, statusi është më dehës se kënaqësia. Duke u pozicionuar si portier, ai e transformoi indulgjencën në inicim dhe teprimin në kualifikim.

Të fuqishmit nuk ranë thjesht në rrjetën e Epstein-it – ata u bënë pengje të saj. Ajo që ata besonin se ishte një shesh lojërash i ndaluar, funksionoi në vend të kësaj si një aparat inteligjence, duke e konvertuar teprimin në provë dhe shkeljen në cenueshmëri të përhershme.

Një përfundim logjik

Ironikisht dhe në mënyrë të turpshme, kjo njëjtë elitë e paraqet veten si standardi global i iluminizmit dhe moralit: kulmi i qytetërimit; arbitri i botës.

Ajo gjykon kombet e tjera, duke i pikturuar si të prapambetura, irracionale, të dhunshme ose barbare; pastaj i përdor ato gjykime si armë për të justifikuar dominimin dhe nënshtrimin.

Gaza nuk ishte një devijim nga vlerat e elitës që mbikëqyri asgjësimin e saj. Ajo ishte kulmimi i tyre.

Ishte momenti kur një klasë e mësuar prej kohësh të ushtronte pushtetin pa kufizim, e zbatoi atë pushtet në sytë e një bote të tmerruar që po vëzhgonte.

Dosjet e Epstein-it ekspozojnë fytyrën private të këtij rendi.

Gaza ekspozon atë publiken.

Së bashku, ato heqin iluzionet e fundit, duke zbuluar shëmtinë e një elite që i konsumon të cenueshmit në heshtje në shtëpi, dhe i shkatërron hapur ata jashtë vendit.

Ky nuk ishte një dështim i vlerave.

Ishte përfundimi i tyre logjik.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit